Mauro Ikardi po kalon një nga momentet më të vështira të karrierës së tij, duke qenë se prej disa javësh tashmë, nuk grumbullohet me Interin dhe kjo erdhi pak orë pasi iu hoq edhe shiriti i kapitenit.
Klubi zikaltër duket se nuk ka më ndërmend të tërhiqet nga vendimi për të lënë jashtë Ikardin, deri kur ky i fundit të kërkojë falje para shokëve të skuadrës.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo situatë e krijuar, mediat italiane raportojnë se ai është gjobitur nga Interi për shkak të sjelljes së tij dhe orët në vijim do të marrë një përgjigje për të ardhmen, ku vetë Ikardi po pret që të ribashkohet me skuadrës.
Letra që ka shkruar së fundmi, ku akuzon se në klub ka drejtues të cilët nuk i duan të mirën Interit, vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat dhe nuk ka rezultuar me fat për argjentinasin.
Sakaq, nga situata e krijuar mes palëve duket se asnjë skuadër tjetër nuk është e interesuar për shërbimet e argjentinasit. Deri më tani, kanë munguar interesimet nga klubet e tjera dhe mesa duket, Juventusi e Napoli nuk e kanë më prioritet dhe shkak për këtë është bërë sjellja jashtë fushe e ish-kapitenit.