PROFILI: Kush janë drejtorët dhe ish-drejtorët e LSI që u bënë deputetë në Parlament (dhe që tani i shpallin tradhtarë)

5 Mars 2019, 20:25Politika TEMA

Katër deputetë të rinj, të cilët vijnë nga listat e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, por që u shpallën “tradhtarë” nga kjo parti morën mandatet dhe kryen betimin të martën më 5 mars në Kuvendin e Shqipërisë. Disa kandidatë të tjerë nga LSI dhe PD pritet gjithashtu të pranojnë mandatet e lëna vakante nga dorëheqja në masë e deputetëve të opozitës në muajin shkurt.

Disa nga këta deputetë të rinj kanë shpallur se “do të jenë në opozitë” me qeverinë, ndërsa një pjesë nuk ka folur publikisht. Jetëshkrimet e tyre të publikuara në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se deputetët e rinj janë në përgjithësi ish-drejtorë të institucioneve të ndryshme shtetërore gjatë viteve që LSI ishte në koalicion qeverisës, fillimisht me PD-në në vitet 2009-2013 dhe pastaj me PS-në në vitet 2013-2017. Njëri prej tyre nga lista e PD-së, Lefter Maliqi nga Beratiështë armiqësuar prej kohësh me partinë e tij dhe aktualisht është emëruar zëvendësdrejtor burgjesh nga qeveria “Rama”. Ai ka deklaruar se në parlament do të jetë “opozitar i arsyeshëm” me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Rama fitoi zgjedhjet e vitit 2017 duke marrë 74 deputetë nga 140, por tre deputetë të partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet si dhe së paku një deputet i LSI kanë votuar në mbështetje të tij në mënyrë të vazhdueshme që nga ajo kohë. Po kështu ka votuar edhe Tom Doshi, i cili është ish-deputet socialist dhe aktualisht deputet i Partisë Social Demokrate. Në rast se disa nga deputetët e rinj e mbështesin atë, Rama mund të fitojë shumicën e cilësuar të parlamentit me 84 deputetë. Kjo është shumica që kërkohet për miratimin e disa ligjeve të rëndësishme si Kodi Civil, Kodi Penal apo Kodi Zgjedhor.

Rama vetë paralajmëroi në fjalimin e tij në Kuvend një plan të tillë. “Me opozitën e re në Parlament do ta çojmë përpara reformën zgjedhore,” tha ai.

Tre nga katër deputetët e rinj nuk humbën kohë duke votuar në favor të projektligjeve të miratuara në seancë plenare, ndërsa njëri prej tyre votoi kundër.

Gjithsesi, Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studime Politike, mendon se Ramës për momentin nuk i intereson “të hyjë në aventura”.

“Besoj se nuk ka interes të përdorë numrat për të bërë vendimmarrje kontroverse,” tha Krasniqi. “Politika nuk është kurrë numra, është frymë,” shtoi ai.

Drejtorë dhe ish-drejtorë

Deputetët e rinj kanë CV të pasur në poste drejtuese të shtetit për periudhën kur Lëvizja Socialiste për Integrim ishte në koalicione qeverisëse.

Edmond Rrushi, me profesion jurist, zëvendësoi deputetin e dorëhequr Endrit Brahimllari. Sipas jetëshkrimit të vetëdeklaruar prej tij, [link CV] ai ka qenë avokat i lirë deri në vitin 2012, kur u bë zv.drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, ALUIZNI. Vetëm katër muaj më vonë ai u bë drejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe vetëm shtatë muaj më vonë, në tetor 2013, u bë drejtor i një zyre te Posta Shqiptare, e cila në atë kohë, u mor nën drejtimin e një drejtori të LSI, Majlind Lazimit. Në vitin 2014 ai u bë kryeinspektor i zonës së Tiranës në Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, një strukturë e krijuar rishtazh në atë vit në kohën kur Ministria e Mjedisit drejtohej nga Lefter Koka i LSI.

Aurora Mara është deputetja e re e Dibrës, e cila zëvendëson Përparim Spahiun. Sipas CV-së së saj zyrtare, ajo është 41 vjeç dhe ka studiuar në Itali. [Link CV]. Ajo ka punuar “shefe e sektorit të shpronësimeve” në Ministrinë e Transportit në periudhën 2014-2017, kohë kur ministër ishte Edmond Haxhinasto i LSI.

Haxhinasto dha dorëheqjen si deputet i Qarkut Elbasan, por i treti në listën e LSI, Enver Roshi, e zëvendësoi atë. Roshi është i diplomuar në mjekësi dhe ka qenë pedagog në Universitetin e Mjekësisë deri në vitin 2016, kur u bë shef i Departamentit të Shëndetit Publik. [Link CV]

I katërti deputet që mori mandatin të martën është Ylli Shehu. Ai është 38 vjeç dhe sipas CV-së së tij zyrtare, që nga viti 2009 ka qenë student në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë ndërsa më herët ka studiuar në Universitetin Kristal. Ai u zgjodh fillimisht deputet i Partisë Republikane në vitin 2013, pasi kishte punuar më herët si jurist në Prefekturën Kukës, këshilltar i kryetarit demokrat të Bashkisë Kamëz, kryetar i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Tiranë dhe Këshilltar i Ministrit të Mjedisit kur Fatmir Mediu ishte ministër. Ai kaloi në rradhët e LSI menjëherë sapo Mediu ra në opozitë në vitin 2013, ndërsa u shpall “tradhëtar” nga LSI pasi mori mandatin e deputetit. [Link CV]

Shehu deklaroi fillimisht se nuk kishte të shkuar penale në formularin e parë të vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës. Ai u bë një nga 12 politikanët që ndryshoi formularin për të deklaruar një dënim për kontrabandë me mallra të tjerë në vitin 2006. (BIRN)

2 komente në “PROFILI: Kush janë drejtorët dhe ish-drejtorët e LSI që u bënë deputetë në Parlament (dhe që tani i shpallin tradhtarë)”

  1. Taraboshi says:

    Po qe per te quajtur tradhetar ne radhe te pare dhe te funditjane drejtuesit e PD dhe te LSI si dhe ndjekesit e tyre te cilet tradhetuan te gjithe ate mase votuesish te ketyre Partive vetem per te mbrojtur interesat e tyre dhe jo te votueseve.
    Dashamiresit e tyre duke patur besim tek keto vune cdo interes te tyre duke i votuar qe ketoti perfaqesonin ne Parlament.Qe te jepnin mendimet e tyre per ecien perpara te ekonomise se tyre si nocion i pergjitheshem i te mirave materjale.Qe te hapeshin me shume vende pune
    te vinin firma te medha n.per ndertimine fabrikave .uzinave.etj Keto jo vetem qe nuk dhane ndihmesen e tyre por perkundrazi vitin e kaluar e
    braktisen kuvendin per 6 muaj dhe u kethyen per interesat e tyreqe mos tju nderpritej rroga.Kete vit dorzuan mandatet e deputetit jo per interesa te zgjelleseve te tyre.por perseri per interesa te veta .Me kete veprim ato dojne ti shpetojne reformes ne drejtesi dhe nuk duan qe Shqiperise ti
    hapen negociatat per BE.Ndersa keto qe po i bashkohen parlamentit jane me besniket e elektoratit te tyre.

  2. ideali says:

    Genjeshtra.Duhet te kesh qene shofer dhe bodigard i baba Takut ne vjedhjet, bastisjet dhe ndertimet pa leje 5m larg hekurudhes ne vitin e mbrapsht 1997 per te bere karriere te shkelqyer.Vershuan banditet ne parlament.E pate fytyren e Rrushit apo jo.Mjera ne!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje