Roma nuk ia ka dalë që të mbrojë fitoren 2-1 të sfidës së parë ndaj Portos, duke u eliminuar pas humbjes 3-1 të sigluar pas kohëve shtesë në “O’ Dragao”.
Skuadra italiane nisi ndeshjen si mos më keq, me golin e shënuar nga Soares, por pastaj në fundin e pjesës së parë gjeti barazimin me penalltinë e De Rosit.
Kapiteni u desh të largohej nga fusha e lojës për dëmtim dhe për Romën gjërat u vështirësuan, edhe pse u përpoq të rezistonte me rreshtimin me 5 mbrojtës.
Marega shënoi në fillimin e pjesës së dytë dhe kualifikimi u hap plotësisht për të dy skuadrat, pasi rezultati i pandryshuar deri në fund të 90 minutave, solli shtesat e ndeshjes.
E para ishte pa emocione, ndërsa në të dytën, Xheko humbi dy raste para se VAR të shihte faullin e Florenzit në zonë ndaj Fernando. Ish-interisti Tejes goditi nga pika e bardhë dhe siguroi kualifikimin e mëtejshëm të Portos, duke mbyllur aventurën evropiane të Romës e me shumë mundësi edhe aventurën e Di Françeskos në pankinë.
PORTO-ROMA 3-1
27′ Soares, 53′ Marega, 117′ Tejes / 37′ (p) De Rosi