Nga Përparim Kabo
Sot Panajot Pano do të mbushte 80 vjeç…Mjafton vetëm emri i tij që i madh dhe i vogël, bashkëkohës dhe më të rinj, njerëz të futbollit dhe jo vetëm, sportistë, specialistë të medias, trajnerë, gjyqtarë, mjekë sportiv, spordashës në të gjithë vendin dhe jashtë tij, kudo ku jetojnë sot anë e mbanë botës; të thonë oh i madhi Panajot Pano.
Djaloshi që e nisi udhën e sportit si një fëmijë i një familje të thjeshtë në rrugën Fortuzi….do të mbrinte një ditë shumë larg, ai do shëndrohej në futbollistin më të madh shqiptar, dhe i vetmi që në 100 vjetorin e FIFA-s në vitin 2003 të meritonte “Medaljen e Meritës” akorduar nga organi më i lartë i futbollit botëror…
E kishte nisur si portier sepse kishte kërcyeshmëri të lartë…dhe qe shumë i zhdërvjellët, por shumë shpejt do kuptohej se ai ishte një sulmues race i lindur…Sprint i shkurtër dhe ai në gjysmë distancë ishin specialiteti tij. Me dha pa top, Pano shpërthente duke na kujtuar çka thuhej për Pelen, epiteti benzina…që do të thoshte “që shpërthente”.
I tillë ishte edhe Panajot Pano një shpërthyes që të çudiste, e mbante aq afër topin, të driblonte me trup dhe me top, godiste me të dyja këmbët nga vendi dhe në ecje, kërcente me kokë dhe i vidhte kohën mbrojtësave edhe më shtat lartë se ai, qëndronte në ajër më shumë se kundërshtari; aq sa të dukej se fiziku i tij ishte një prerje magjike që thyente dhe ligjet e fizikës si atë të inercisë dhe gravitetit….
Kush e pa Panajot Panon dhe nuk e duartrokiti, në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Korçë, Kavajë. Gjirokastër, Berat, Lushnjë, Durrës, Elbasan, etj…por dhe jashtë vendit në RFGJ, në Danimarkë, Belgjikë, Holandë, Turqi, Rumani, deri në lindjen e largët….
Kudo që ai zbriti në fushën e blertë vrapoi si era, dhuroi emocione, bëri që ti gufontë zemra tifozëve dhe të detyronte ti hiqnin kapelen edhe kundërshtarët…Ai luajti në fushë me gjigandë si Bekenbauer, Overat, Shulc apo Gert Myler…por as një herë përball tyre nuk u zvoglua, përkundrazi ai ndriste mes tyre me vlerat, cilësitë atletike, me artin e tij të topit, me kurajon dhe lojën e barabartë me ta.
Ai veshi fanellën e kuqe të Partizanit dhe me të u lidh për jetë, sa që dyshja Partizani-Pano janë gati gati simbiozike. Nëse Partizani në 70 vjetorin e krijimit në vitin 2016 u dekorua nga Presidenti Republikës Bujar Nishani, me titullin “Nderi Kombit” dhe nga Federata e Futbollit Shqiptar me titullin e lartë, ”Legjenda e Futbollit” mes atyre që e themeluan dhe e ngritën në ato maja si Besim Fagu, Loro Boriçi, Rexhep Spahiu, Refik Resmja apo Lin Shllaku etj etj…pa dyshim xhevairi ishte dhe mbetet Panajot Pano.
Partizani e bëri Panon lojtar të madh, Panajoti e bëri Partizanin ekip fitues. Pano ishte një njeri i thjeshtë, një model njerëzor që në fushë njihte vetëm Fair- Play, një shpirt i madh njerëzor, një mik dhe shok për kokë, një model përkushtimi dhe sacrifice njerëzore…Ai argëtohej në fushë dhe dhuronte emocion por ai ishte një mik i ngushtë me çdo lojtarë kundërshtarë.
Kurrë nuk përbuzi apo nënçmojë ndokënd, ai e donte futbollin dhe futbollistët ndaj dhuroi përqafime për cilindo që luajti në fushë me të sa herë që gjyqtari fërshkëllente për mbarimin e ndeshjes.
Ai pati miq në të gjithë Shqipërinë sepse aq sa i madhërishëm ishte në fushë po aq i thjeshtë ishte atje dhe në jetë. Kudo u kërkua, por zemra e tij ishte Partizani dhe Shqipëria…Sot ai nuk është më mes nesh…por nuk mund të jetë jashtë kujtesës sonë…
Të harrosh Panajot Panon do të thotë të harrosh historinë, sepse ajo që bëri Panajot Pano me kontributin e tij mund të përmblidhet edhe në pak fjalë…” Panajot Pano me fanelën kuq e zi na mësoi se si dhe pse duhej ta donim atdheun…” Mirënjohje mjeshtër…! Mirënjohje në amshim…!
Nje talent gjigand.Kam pare ,natyrisht ne tv.Pelen,Krujfin,Maradonen,Platinin. Kam pare ne Q.Stafa Bekenbaerin,Zeller,Myler,Butragenjon,Prohasken,dhe shume te te tjere.Ndjek edhe sot magjite e Mesit dhe K.Ronaldos,kam pare ne stadiumet italiane Zidan,Ronaldon ,Ibrahimovic,Del Pieron,Baxhion dhe shume emra te tjere.Por asnjehere nuk kam mundur te krahasoj me dike talentin e gjigandit Pano.Nuk dua te bej krahasime,pasi ato gjkithmone calojne,por dua te theksoj se Pano ne fushe ishte nje gjeni i shperthimit,i improvizimit,i driblimit,i gjuajtjes ne ecje,dhe pse jo edhe nje mesfushor klasi.megjithese ishte koha e roleve klasike.Te shikoje Panon ne fushe ishte sikur shkoje ne nje shfaqje artistike ,pervec sportit.Do te deshiroja qe nje nga anesoret e stadiumiut te ri qe mua do te me pelqente gjithmone me emrin Q.Stafa,te emerohej …anesorja Panajot Pano….Nuk di ne se Rama do te kuptoje se kjo eshte histori qe nuk mund te fshihet,ashtu sikurse nuk mund te fshihen emrat e shkencetareve,inxhiniereve,agronomeve,kimisteve,gjeologeve ,projektuesve dhe drejtuyesve te veprave dhe nderrmarrjeve te te gjitha fushave prodhuese,studjuesve te shkencave shoqerore qe nxoren Shqiperine nga epoka primitive ne boten moderne dhe qe politika ,shkolla dhe media per turp i kane lene ne harrese te plote.Popujt moderne dhe shoqerite e perparuara nuk vine nga …viti zero…i berishizmit dhe bunkartet.. e Rames…Ben mire z. KABO qe u kujton brezave te rinj qe Shqiperia nuk ka lindur ne 90..ten .
I respektuar Profesor! Rrofsh sa me gjate, qe na kujton idhullin e futbollit, te madhin Panajot Pano. Me ke munguar shume tek “Procesi Sportiv” me ate te foluren tende te kadifejte dhe tere vertetesi. I kam kushtuar nje poezi Panos qe e kam botuar ne librin me vjersha: “revolte me heshtjen”, botuar ne 2017. Po e publikoj dhe ketu.
NDERIM LEGJENDËS
-Panajot Panos-
Ti nuk ishe Verd e as Moxart,
po njëri prej nesh, o zemërflori,
ti shkrove simfoninë e futbollit art
dhe në terrnajë na fale veç liri…
Si shkove kështu, Pano kaq larg?
Kanadaja për ty nuk kish vend,
këtu ku ngrihesh si mal i lartë,
këtu përjetë, si monument.
Ike vetëtimë, i ri, aq papritur,
kjo nuk është e drejtë, o njeri.
Ç’ botë e pabesë, e panginjur,
kur shpesh mban gjakës në gji!
Fundja s’ mund të ikje në vendin tënd
në shqipen tënde nuk mund të ikje,
në Kanadanë e largët s’ kishte vend
për legjenda si ty ka veç pritje.
Ti ishe gjeneral pa ofiqe, grada,
ndaj do vije në vendin e bekuar.
Gjeneralët priten veç me parada
dhe me fanfara e lule në duar.
Na pikëllove me të fundit akt
në qoshe të futbollit të donim.
Ç’ ishte ai çast tragjik me atak
dhe sytë na rridhnin e pikonin!
S’ do të shohim më, simbol i ndritshëm,
s’ do të jesh më fizikisht me ne,
ti, si një yll i papërsëritshëm,
me acar në zemër, pse na le?!
Kur të kundroja isha një çunak,
në Shkollën e artë “Skënderbej”,
mrekullisht zemra më merrte flakë,
vrullonte gjaku hovshëm nëpër dej.
Ç’ zemërdritë, sa shumë na deshe,
flisje edhe me gurët e udhës,
të gjithëve na dhuroje buzëqeshje
flatrime horizontesh mbi kalin e muzës!
S’ le asnjë stadium pa tronditur,
luftoje duke ngritur përmendore,
atdheun e bëre më të ndritur,
futbollin-kryvepër madhështore.
Ç’ nuk u tha për ty e ç’ nuk u shkrua,
“mbret i futbollit”, gjeni, legjendë…
Nuk e di, o mjeshtër, por për mua,
je porsi gjak që na gurron në venë.
Kur buçiste stadiumi për ty
kur mposhte Shulcin gjerman!
Vullkani ndizej në zemra e sy
se ti ishe një zemërluan.
Kanë kaluar vite, emri s’ u harrua
se zemrën na i ndriçove në liri,
akoma flasim për çuditë e tua,
s’ është gjetur ende një si ty!
Nëpër maja, si shqiponjë gjithmonë,
për ty vallë kush nuk do ketë mall.
Unë e di mirë, në vendin tonë,
në zemra je skalitur piedestal!
Ti ishe një Tomor e një Korab
që nuk ka Vjosë e Drin ta mbytë,
ti ike, po emrin tënd e kemi prapë
sepse të deshëm si të dy sytë.
Tani fli i qetë, shumë je lodhur
për të na falur gëzim, lumturi.
Një jetë shpirtin na ke hovur
dhe atje ku ndodhesh, në shenjtëri.
Legjendat pas lënë legjenda
siç le një Ledio të paepur,
hyn e del fushave të blerta
zemra e legjendës s’ paska vdekur.
Ti nuk ishe Verd e as Moxart,
po njëri prej nesh, o zemërflori,
ti shkrove simfoninë e futbollit art
dhe në terrnajë na fale liri!…