Për komunistet që mundën dhe u mundën nga kapitalizmi

19 Mars 2019, 20:13Blog TEMA
Për komunistet që mundën dhe u mundën nga kapitalizmi

Kristo MËRTIRI

Muzgu i jetës më trokiti fort në mërgimin e detyruar. Por shpesh më dilte përballë edhe portreti i mikut tonë të përbashkët gjirokastrit, që mbrojti titullin Profesor në Bujqësi e aspak nëpër studio, auditore e laboratorë të Kryeqytetit. E njohën dhe e respektuan në fusha, kodra e male të Shqipërisë tonë, atje ku mbillej e hidhnin shtat misri e gruri. Më beso, nuk më shqitet ende nga memorja ajo skenë dimërore te “21 Dhjetori”, pak metra poshtë Poliklinikës, buzë trotuarit : Dy ditë para se të ikja, pashë Profesorin e dashur të mbledhur grusht e me një kapele ulur mbi vetulla, përpara një kutie kartoni me banane ! Përmes cingërimës, fërkonte shpesh duart e rreshkura të bëra akull nga era e ftohtë dhe priste mos ndalte hapat ndonjë kalimtar blerës.
Të parin njeri që kërkova për një kafe. Por…kishte 5 vjetë në varrezat e Sharrës !
Publikimi i faktit jo pak tronditës edhe për kolegët e mi gazetarë, do të flasë gjatë e me zë të lartë për ata ish komunistë batakcinj që “u kishte hipur Beu në qafë”, ethebutë, skile, mashtrues e manipulatorë të thekur nëpër llagëmet erërënda shtetërore e private të dhuruara. Dje dhe sot. Duke u strehuar nën sqetulla Presidenciale, Kryeministrore, Parlamentare e Ministrore.Duke shitur pacipërisht patriotizëm kallp, besnikëri kallpazane ndaj Njëshave në pushtet a opozitë. Duke notuar përditë kryesisht me “not qeni” nëpër rrëkera e lumenj hipokrizie të pashoqe. Në cirkun e neveritshëm Polit(h)ik të pseudodemokracisë shqiptare të tre dekadave të fundit, këta tipa u tjetërsuan si palaco e klounë qesharakë përballë njerëzve të thjeshtë që i njohin me rrënjë e degë.
Ideali i tyre i vetëm është paraja e fëlliqur përtej borderove shtetërore ! Bordero që nuk u qasen as te maja e thoit vilave, pallateve, veturave të shtrenjta e luksoze; aksioneve të shumta legale e ilegale në banka, kompanira, biznese e industrira, publike e private. Të kuptohemi mirë: Këta ish komunistë batakcinj e pehlivanë të regjur, i gjen me bollëk majtas e djathtas, sidomos atje ku fryn sadopak era e përfitimeve të jashtligjshme. Po shkojnë 3 dekada që kullandrisen me lugë në brez nëpër metropol e provinca, buzë “detit” që u bë kos ! Sepse paraja-maskaraja, sic ka theksuar i mencuri i mocëm, “është këmbë e ndyrë e pushtetit”.
Konkretisht, më thoni, rastësi e rëndomtë ishte ajo e Legjislaturës së kaluar , ku hynë 32 deputetë me rekorde kriminale ?! Hajdutë, vrasës e përdhunues, falsifikatorë të kalibrit sipëror, u ulën këmbëkryq në tempullin e Demokracisë. Dhe nuk i zuri rruga e nata ashtu hipur në kuaj e pela si udhëtarë hallexhinj të vonuar pranë ndonjë kishe a teqeje. Hynë me firmën e kryetarëve të partive, kryetarë që nuk kanë dhënë ende asnjë fije llogarie morale, statutore e kushtetuese.
Që nga viti 2008 kështu, kur i hodhën nenet e Kushtetutës në flakërimën e Gërdecit ku piqej e digjej mish njeriu ! Mileti voton vetëm për emrat vezullues të partive. Dhe një ditë befas i shikojnë të kapardisur nëpër kolltuqe e fuoristrada deputeti, si peshqeshe të liderë-kalanderëve. Shumica janë o ish komunistë batakcinj, o pasardhës tipikë të tyre, në të majtë e në të djathtë.
Edhe në Legjislaturën e tanishme paskan hyrë 11 deputetë kallpazanë me ngarkesa të ndryshme kriminale ! Mos vallë janë nga ajo racë që shohin tym e bëjnë konak ?…
Personalisht, e kam dashur dhe e dua atë brez të kulluar e të pastër si bora në male, që i dha aq shumë Shqipërisë hallemadhe. Vetëm antishqiptarët me damkë mund ta mohojnë. Postulati lapidar i Havelit, se komunistët më të rrezikshëm janë komunistët antikomunistë, nuk të lë të livadhisësh me komente të tepërta. Ata idealistë të pandreqshëm janë më hallexhinj se të tjerët. Por kryetarët e partive janë mjeshtra në veshjen e ujqërve me lëkurën e qengjit ! Dhe Shqipëria lëngon : 1,7 milion vetë i falen vetëm arratisë, syrgjynosjes biblike !

5 komente në “Për komunistet që mundën dhe u mundën nga kapitalizmi”

  1. Raiti says:

    E more gazetar Mertiri. Asgje nuk te heq nga ato qe thua. Dritheruese eshte fati i atij profesorit. Por sa te tille nuk u perfillen madje dhe sot rrembythjet e socialisteve as duan tia dine per ata intelektualet e ndershem, idealiste te perjetshem, me kulture e profesioniste te nderuar. Batakcijte, fytyra te urryera qe spekullonin me qenien komuniste, jane po ata te hurit e te litarit. Ke leka?, themi ne nga Korca. Ske leka sje askushi per ta. Kjo kohe flet me ze per ta, ne vila, ne luksin e cfrenuar.

  2. Mesapliku says:

    Palo komunistet batakcij i ke dhe sot ne me nder partite qe se bashku me batakcij te tjere e katandisen Shqiperine ne kete dite. Shqelmin ketyre. Le te shohim nje klase te re politike me njerez te ndershem qe u dhimbet vatani. A do te vije kjo?

  3. Llaman says:

    Tani munda ta lexoj komentin, koncis e pa shume uje, vertet i bukur Vec ca gjera nuk i ka te qarte Kristua. Mbrohet doktorata , kurse titulli profesor nuk mbrohet por fitohet ne baze te meritave akademike.

  4. Idajeti says:

    Zoterinj te Tema. Nxirenii ju lutem komentin tone..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje