Përse është gabim të krahasosh protestat e Francës me ato të Shqipërisë!

18 Mars 2019, 10:13Blog TEMA
Përse është gabim të krahasosh protestat e Francës me

Nga Denis Dyrnjaja

Shpesh e më shpesh po tentohet të vendoset një vijë paralele mes protestave në Paris me ato në Tiranë dhe përveç dallimit në formë po i mëshohet shumë idesë, madje edhe me ironi se përse ndërkombëtarët heshtin kur Parisi digjet dhe reagojnë kur në Tiranë hidhen ca gurë.

Kjo është vetëm një qasje sipërfaqësore e situatës kur mendon çfarë përfaqësojnë francezët dhe çfarë përfaqësojnë shqiptarët në raport me lirinë dhe më pas me demokracinë.

Le të përmendim disa prej fakteve që bëjnë dallimin. Franca si shtet, si komb ka qenë një vend që ka pushtuar shtete të tjerë dhe ka qenë shumë pak e pushtuar në periudha të ndryshme të të gjithë ekzistencës së saj. Ndërsa ne shqiptarët kemi qenë në 600 vitet e fundit vetëm të pushtuar.

Edhe kur mendonim se ishim të lirë gjatë regjimit komunist që erdhi pas pushtimit fashist, sërish ishim të pushtuar nga një kastë kriminale diktatoriale si ajo që prodhoi regjimi i Enver Hoxhës mendësinë dhe reminishencat e së cilës i shohim edhe këta 30 vite pseudo demokraci. Francezët vetë janë prodhues edhe revolucioni, edhe demokracie. Ne s’kemi prodhuar kurrë asnjërën prej tyre. Francezët kanë prodhuar shtet, ne anti shtet.

Ata sot po prishin e djegin në emër të shpirtit karakterial të pashtypshëm, atë që vetë kanë ndërtuar me mund dhe krenari e nesër e ndërtojnë përsëri, me paratë e tyre, ndërsa ne nuk kemi krijuar asgjë dhe na duhet të lypim për të ekzituar. Jemi në rrënim të gjithhershëm.

Franca është një ndër vendet që prodhoi Bashkimin Europian dhe ka një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB, pra vendos për fatin e vendeve dhe shteteve të tjerë, ndërsa ne nuk vendosim dot as për fatin tonë, jo më të të tjerëve. Dhe për të mos e zgjatur pa fund se diferencat janë si dita me natën, po kaloj në ditët e sotme.

Në Francë njerëzit kanë disa elementë të rëndësishëm, karakterin rebel, dinjitetin dhe konceptin për shtetin.

Ata dalin në protestë se i thërret ndërgjegjja e vet, ne na thërret politika me komandë dhe na shpërndan me komandë. Francezët janë populli ku drejtësia nuk është e askujt përveç se e ligjit.

Në Francë kanë shkruar para gjyqit presidentët e vendit Shirak e Sarkozy që kanë patur në dorë jo vetëm pushtet politik, por edhe butona bërthamorë dhe për ta nuk e dogji kush një shkop sepse shtetin dhe drejtësinë se kanë prej plasteline që të ndryshojë formë sipas tekave të politikës dhe politikanëve.

Pra diferenca është përmbajtësore dhe themelore ndaj kujdes se veshja e jelekëve nuk e barazon një protestues të unazës së re me një jelekverdhë francez. Ata dalin në protestë kundër “zaptimit të të drejtave”, këtu dilet në protestë për të mbrojtur “zaptimin”!

4 komente në “Përse është gabim të krahasosh protestat e Francës me ato të Shqipërisë!”

  1. Eri says:

    Franca eshte nje shtet kolonial ku pervec kolonializmit qe ka kryer neper bote ka realizuar dhe nje kolonializim tjeter ne brendesi te asaj qe sot njohim si republike franceze.Shume popuj dhe etni qe sot mund te kishin shtetin e tyre Franca i permblodhi ne unitetin e saj duke asgjesuar kulturen dhe historine e tyre.Megjithate levizjet e popujve Baske e Korsikane jane aktive edhe sot.Kurse protestat ne Shqiperi i organizojne antishqiptaret duke perdorur veglat e tyre ne Shqiperi per te ndaluar ndergjegjesimin e kombit shqiptar ne rajonin e ballkanit.Sepse me zhdukjen e politikaneve tradhetar bashkohet kombi shqiptar.

  2. Klevesit te ballinjva ska kush ti shkruaje apo ti therase ne vesh se po mbron zaptuesit e trojeve, kjo duhet tu behet e qarte cdo zaptuesi dhe deputeti qe po mbron nje kauze te shtrember. Zaptuesit nuk i ndali PD qe ishte ne pushtet atehere por i stimuloi ne vitet 90, aq me keq qe tani PD del ne mbrojtje te tyre

  3. Troci says:

    Bravo, keshtu duhet te shkruajne gazetaret!

  4. hasoni says:

    Sali berusha dhe protestat e tije treguan para disa ditesh se ai eshte karte e djegur.
    ishte ndryshe me 92shin kur e mbeshtesnin ne protesta ne gjithe shqiperine por u pa se ai e ka barutin e lagur tashme. me 97 pati Gazideden dhe Zhulalin, me 98 reaksionin prej kosove por sot per sot eshte kot fare. vetem Ilir Meten dhe 40 hajdute qe nuk dine tjeter veç te shkojne e lajne koken ne shatervan, e jo me te bejne lufte.
    tashme ai ka rene nga fiku, dhe eshte thjesht çeshtje kohe te perfundoje ne kazan. qeveria po luan me te si macia me miun, dhe duket se i intereson qe ta dobesoje deri ne frymen e fundit. por berisha e di qe ska nga tja mbaje. po iku, vetem arabia saudite e pret, po ndejti, o burgu o hasmi. rrezik i mbush valixhet mujin tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje