Tirana, kallzim për Laskën e akuzë FSHF-së: U provokuam e dhunuam, për gjyqtarin vazhdonte deri në të gdhirë

31 Mars 2019, 18:46Sport TEMA

Klubi i Tiranës ka reaguar publikisht pas ngjarjeve të fundit që e shohin të vazhdojë të përfshihet rrezikshëm në luftën për mbijetesë.

Bardheblutë, pas ndeshjes së djeshme të përfunduar në barazim 1-1 ndaj Laçit dhe dhunës në ambientet e brendshme kanë vendosur që më në fund të flasin dhe sidomos të veprojnë,

Ata kanë bërë kallzim penal për ngjarjen në fjalë, duke dërguar pamjet në polici, ndërsa janë të ndërgjegjshëm se FSHF-së nuk i duhet besuar ndaj i janë drejtuar FIFA-s për të kërkuar drejtësi.

Denoncim publik

Klubi i Futbollit Tirana dënon ashpër ngjarjet e ndodhura dje në stadiumin “Selman Stërmasi”. Lojtarët e Tiranës u provokuan dhe u dhunuan. Klubi i ka vënë në dispozicion të Policisë së Tiranës pamjet filmike për gjithçka ka ndodhur në përfundim të ndeshjes Tirana – Laçi dhe pret zbardhjen e ngjarjes si dhe pasojat ligjore.

Denoncimet publike në këtë vend, thuajse gjithmonë kanë rënë në vesh të shurdhët për të mos sjellë ndryshim. Për këtë dhe të tjera arsye, zgjedhim të mos flasim gjate por të veprojmë.

Dy javë më parë, gjyqtari Olsi Sokoli vodhi turpshëm skuadrën në fushë ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur një çështje ndaj tij në FIFA, në sektorin e Luftës kundër Racizmit, në mungesë të një përgjigje nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Dje skuadra u vodh në fushë, në një ndeshje që mund të luhej deri në të gdhirë sipas kryesorit Kridens Meta dhe më pas u provokua dhe u godit turpshëm.

Pamjet filmike janë depozituar në Policinë e Tiranës. Ngjarjet e dy javëve të fundit do të relatohen gjithashtu në UEFA dhe FIFA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje