Lionel Messi është treguar edhe një herë vendimtar për Barcelonën, duke i siguruar katalonasve fitoren kundër Espanyolit.
Katalanasit arritën të fitojnë në derbin e Katalonjës, kundër Espanyolit, me rezultatin e pastër 2-0, në kuadër të javës së 29-të të La Ligës.
Me këto tre pikë, Barcelona shkon në kuotën e 13 pikëve para Atletico Madridit që renditet në vendin e dytë.
Tre pikët e kësaj ndeshjeje Barcelonës ia siguroi argjentinasi Lionel Messi, i cili në minutën e 71-të shënoi golin e parë për këtë ndeshje.
Por, kjo nuk ishte e gjitha për argjentinasin në këto 90 minuta lojë. Vetëm një minutë para fundit të kohës së rregullt, Messi shënoi edhe një gol tjetër, duke i siguruar Barcelonës fitoren.
Messi kishte qenë në dyshim për këtë ndeshje, pasi pësoi lëndim në ndeshjen e fundit të zhvilluar për ekipin kombëtar të Argjentinës. Megjithatë, ai u rikuperua në kohë dhe arriti ta bëjë një paraqitje të mrekullueshme, e cila sipas SofaScore u vlerësua me notën 9.5, më të lartën nga të gjithë lojtarët në fushë.