Nga Vangjel Kozma*
Franko (Françesk Radi) ishte idhulli i brezit tonë dhe në fatin dhe dramën e tij, ne shikonim fatin dhe dramën tonë.
Me Frankon jam takuar për herë të parë në Radio – Tirana, po njohja me të ka qënë shumë më e herëshme. Kur atë e kishin transferuar në Fushë – Arrës, mua më degdisën po për “edukim”, në Hidrocentralin e Fierzës dhe kur kthehesha një herë në muaj në Tiranë, qëndroja herë pas here në Fushë – Arrëz ku ishte shoku im me i ngushte, Ruzhdi Keçi që punonte si veteriner.
Qëndroja aty një natë, në shoqërinë e “jabanxhinjve” të tjerë dhe nuk kishte se si të mos flisnim edhe për Frankon. Ai ishte idhulli i brezit tonë dhe në fatin dhe dramën e tij, ne shikonim fatin dhe dramën tonë. Në atë kohë, siç më thoshin ata, Franko ishte në një gjendje të vështirë krize dhe ishte disi i tërhequr nga shoqëria. Megjithatë, për të gjithë ai vazhdonte të ishte jo vetëm artisti i mrekullueshëm, por dhe një shok i rrallë.
Pas një bllokade të gjatë, kur ai nuk shfaqej më në ekrane dhe festivale, më duket se ka qënë pikërisht kjo kohë, kur më në fund Frankon e pashë në skenë, po këtë rradhë jo me kitarën e tij, po me një çifteli dhe me veshjen e një pukjani që, të them të drejtën i shkonte shumë.
Këndoi këngën “Molla e kuqe”, variant alla Franko i një kënge të asaj zone. Pas kësaj në “repertorin “ e darkave tona në barakat e Fierzës, u shtua përveç “Adresës” dhe “Biçikletës” edhe “Molla e kuqe”. Pas kthimit nga Fierza dhe përmbysjes së diktaturës, miku im, regjisori Leonard Gjata, me ftoi të shkruaj skenarin e Festivalit të 31- të këngës në RTSH.
Që nga ai dhjetor, takimet me Frankon u bënë të zakonshme. Ai ishte në redaksinë e muzikës, unë në të kulturës. Ishin kohë të vrullshme kur më në fund na u dha mundësia të shkruanim dhe të këndonim ashtu siç kishim ëndërruar. Jemi takuar shpesh, po asnjëherë nuk folëm për ato që kishim hequr në fatet tona paralele, ndërkohë që shumë të tjerë rreth nesh, i binin daulleve të “disidencës”.
Me tekstet e këngëve u mora krejt rastësisht, po në rastin e parë që m’u dha, bëra atë që ëndërroja prej kohësh, u mundova të sjell poezinë e vërtetë, pa rimat foljore dhe problematikën banale, që mbytën krijimtarinë e atyre viteve dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Në këtë pikë, paralelet me Frankon, na u bashkuan, pasi ai ishte nga artistët e pareë që ishte përpjekur të bënte të njëjtën gjë me këngët e tij. Kisha shkruar tekstet e këngëve të Grupit Mister, “Nuk është Babilon”, “ Kulti im – dita ime”, “Krimi nuk jam unë” etj.
Kur Franko më kërkoi ta ndiqja lart, në një nga studiot e boshatisura mbi Fonotekën e radios, ku ai kishte ca vegla të vjetra dhe një karrike këmbëthyer. Kjo është studioja ime, më tha. Pastaj, mori kitarën dhe luajti një motiv që m’u duk shumë i thjeshtë dhe që arrita ta përsëris pa vështirësi. Dua të bëj një këngë vuajtjeje dhe shprese. I shikoj të dyja, i thashë. Vuajtjen në strofë, shpresën në refren.
Kam një poezi që i përshtatet shumë kësaj që kërkon. Titulli është “ Më thotë pylli, eja” dhe ia recitova menjëherë. E pëlqeu, po derisa poezia u kthye në tekst kënge dhe kënga u realizua, m’u desh të përballoj shqetësimin e përditshëm të tij dhe këmbënguljen për përsosmëri, që mua nuk më vinin hiç për shtat. Ai këmbëngulte që strofa të ishte sintezë e asaj që kishim kaluar, duke e shtrirë edhe në aspektin ekologjik që për herë të parë, po fitonte terren në Shqipëri.
Nga kjo këmbëngulje e Frankos erdhën vargjet “…E lashë qytetin mbushur plot me zogj të vrarë / Trishton një pemë e tharë / Dhe bari qan…” të cilat i dhanë këngës një dimension shumë më të gjerë. Kënga u prit shumë mirë dhe klipi i thjeshtë me siluetën e bukur dhe elegante të Frankos në ecje, m’u duk i mrekullueshëm.
Më pas, ai më bëri një nder të madh, kur albumit të tij, i vuri titullin e këngës sonë “Zemër e lodhur”. Kur doli për herë të fundit nga holli i Radio Tiranës nën tingujt e këngës “Zemër e lodhur”, e dija se po përcillnim një zemër të madhe që edhe lodhjen e saj ia ktheu njerëzve në fisnikëri dhe tinguj dashurie.
Vitet e fundit me Frankon takoheshim rrallë, kurse tani, takohemi pothuajse çdo ditë. Kur dalim nga Parku i madh, aty para kishës, i them gruas : “ Kalojmë nga Frankoja!” dhe ecim në heshtje duke parë kitarën e bronztë, syzat, flokët e gjata dhe trupin elegant. Në një nga këto ditë, kur ishim aty, një djalë i vogël, pyeti gjyshin : “ Kush është ky burri me kitarë? “ Ky…është Franko”, – tha, dhe eci ngadalë me nipin për dore.
*Skenarist
Me se e vertete. Franko nje talent i rralle si ne krijimtari ashtu dhe ne interpretim.
I paharuar imazhi i tij qe na e percjelle dhe busti i ngritur per kete qellim.
Françeskun e kam patur në Lice i cili ishte një vit më i madh.Edhe në shkollë Françesku nuk qe shuml i shoqërueshëm,kishte një shok të ngusht që ishte firzamoniçisti i talentuar Blerim Reçi.
Blerimi na vinte në mbrëmjet që bënim të shtunave se kishim në kla dhe kitaristin Edi Miso.
Kujtime të bukura ato vite.
ZOTI KOZMAI.
MESA DI UNE TI JE DERGUAR NE EXPEDITEN E FIERZES PER TE PUNUAR SI TOPOGRAF NGA NERMATJA GJEOLOGJI-GJEODEZI, JO PER EDUKIM SE DERI NE ATE KOHE NUK KISHE TREGUAR SHENJA KUNDER REGJIMIT, POR PUNOJE SI SHUME TE TJERE. KUR MBAROI PUNA E GJEOLOGJISE TI U KTHEVE PRAPE NE NDERMARJE. NE KARAKTERISTIKAT E BERA NGA NDERMARJA, NUK KA ASGJE TE SHENUAR SE JU KENI SHKUAR PER EDUKUM.
SIPAS TEJE TE GJITHE ATA GJEOLOGE E TOPOGRAFE QE SHKUAN ATJE DHE PUNUAN PER KETE VEPER KANE QENE PER EDUKIM? PYET SHEFAT E TU DHE ATA TE ISH ADMINISTRATES PER KETE HISTORI.
ME VJEN KEQ PER NJE NGA HUMORISTET ME TE MIRE QE PERLYEJNE EMRIN E TYRE TE NDERUAR ME GENJESHTRA TE TILLA.
PER KETE KE KU E VERTETON NGA ISH SHEFI I KUADRIT TE ISH NDERMARJES SHEFQET BOGDANI