Raporti për Ramiz Alinë: Ibrahim Gani kritikoi me të drejtë Kadarenë për tregimin “Provokacioni”, por kaloi në ekstrem me aludime politike dhe Kadareja nuk bëri autokritikë e u largua nga mbledhja

26 Mars 2019, 10:04Kulturë TEMA
Raporti për Ramiz Alinë: Ibrahim Gani kritikoi me të drejtë

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Në kuadrin e diskutimeve të shumta që bëheshin në mbledhjet e analizat e institucioneve artistike e kulturore në Tiranë dhe mbarë vendin, në fillimin e pranverës së vitit 1973, lidhur me orientimin që ishte dhënë nga Komitetit Qendror pas fjalës së Enver Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, “për të luftuar kudo ndikimet dhe shfaqjet e huaja borgjeze e revizioniste” në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pas mbledhjes, apo më saktë diskutimit krijues me temë “Mbi heroin pozitiv në gazetën ‘Drita’ viti 1971”, gjë të cilën e pamë në dokumentet paraardhës, u mbajt edhe një mbledhje tjetër me temë; “Diskutim mbi tregimin e sotëm, gjendjen e tij dhe ndikimet e huaja”. Midis të tjerash, në atë “diskutim krijues”, u kritikua ashpër edhe shkrimtari Ismail Kadare, lidhur me tregimin e tij “Provokacioni”.

Madje kritikat ndaj tij nuk u ndalën vetëm për gabime ideore e artistike, por ato shkuan me tej, ku një shkrimtar ushtarak (Ibrahim Gani), e akuzoi Kadarenë për qëndrime të padrejta politike. Gjë për të cilën, sekretari i organizatës bazë të lidhjes, Dalan Shapllo, në raportin dërguar Ramiz Alisë, midis të tjerash shprehet: “Ndonjë shok si Ibrahim Gani, duke e kritikuar me të drejtë tregimin “Provokacioni” të Ismail Kadaresë kaloi në ekstrem, bëri edhe aludime politike duke e lidhur me probleme politike, me mosnjohjen e dokumenteve të partisë nga autori etj.

Ky qëndrim i Ibrahim Ganit u kritikua menjëherë nga shoku Dritëro Agolli, në konkluzione dhe nga 3-4 vetë të tjerë. N’ anë tjetër, nuk ra mirë në sy që Ismail Kadareja, nuk bëri autokritikë (mbas kritikës së Ibrahim Ganit ai nuk u duk më në mbledhje)”. Dokumentin në fjalë, po e botojmë të plotë pa asnjë ndryshim.

DISKUTIMI MBI TREGIMIN E SOTËM, GJENDJEN E TIJ DHE NDIKIMET E HUAJA

Më 18-19 maj, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, u zhvillua një diskutim rreth gjendjes së prozës së shkurtër, rreth ndikimeve të huaja që janë shfaqur në disa tregime.

Diskutimi ishte i gjallë, folën rreth 15 vetë dhe, në përgjithësi, u ngritën probleme. Në vazhdën e diskutimeve të tjera mbi poezinë dhe dramaturgjinë, edhe për tregimin u panë (bile këtu kjo gjë, ndofta, u bë më mirë) arritjet e tregimit tonë, sukseset në trajtimin e temave të caktuara dhe ne frymën e përgjithshme të shëndoshë që zotëron në to. U vunë mirë në dukje disa probleme ideo-artistike dhe raste ndikimesh, që janë bërë çështje edhe në kritikë.

Por u vu re se tregimi, si gjini mjaft e shtrirë, e përhapur nuk njihet ende mirë. Shpesh thuheshin mendime të përgjithshme, po rrallë konkretizoheshin me shembuj. Ka pasur edhe vështirësi objektive, se koha e përgatitjes qe e shkurtër dhe artikuj kritikë për tregimin janë shkruar pak. Zhvillimi i kritikës do të ndihmonte për të zbuluar më mirë problemet. Megjithatë ky diskutim dha frytet e veta, i shërbeu qëllimit dhe krijoi një bazë edhe për diskutime në të ardhmen, me karakter problemor ose edhe për vëllime të veçanta.

Ndër diskutimet më të mira, ishin i Fatmir Gjatës, Teodor Laços. Pati edhe diskutime të tjera serioze si i Fatos Malos, Ndue Zef Tomës, Bashkim Kuçukut, Koço Kostës, Sabri Godos etj..

Konkluzionet e këtij diskutimi i bëri Dalan Shapllo.

Në diskutimin për tregimin u dha një ton i drejtë nga pikëpamja historike, për vlerësimin e brezave të ndryshëm dhe zhvillimin e etapave të letërsisë sonë. Për këtë foli sidomos Fatmir Gjata, i cili përmendi traditat e tregimit tonë duke filluar nga Migjeni, Nonda Bulka etj. si edhe , duke vazhduar me tregimet dhe skicat e para të luftës nga Shefqet Musaraj, Zihni Sako e më vonë duke theksuar kontributin e Dhimitër Shuteriqit dhe pastaj numrin e madh të tregimtarëve të rinj.

Sukseset në tregimin tonë lidhen me trajtimin, përgjithësisht, të mirë të temës së luftës dhe të disa temave aktuale, me vizatimin e heroit pozitiv dhe me zbulimin e konflikteve që burojnë nga realiteti. Tema e rinisë, e jetës në aksione etj. Ka zënë më shumë vend kohët e fundit. Subjekti është demokratizuar dhe sfera e pasqyrimit është bërë më e gjerë në tregimin tonë. Ndihet më shumë larmia e stileve dhe individualiteteve të ndryshme. Ka më shumë përpjekje për mjeshtri. Është luftuar skematizmi, shprehje të sentimentalizmit etj., megjithëse nuk mund të thuhet se këto janë zhdukur krejt.

Po krahas sukseseve, vërehen edhe disa dobësi të përgjithshme si edhe shprehje të ndikimit të ideologjisë së huaj, të qëndrimeve liberale. Burimet kryesore të këtyre shfaqjeve, si edhe në gjinitë e tjera, janë ndikimet e drejtpërdrejta të letërsisë së huaj me frymë të sëmurë, si edhe njohja e sipërfaqshme e realitetit, mungesa e përvojës, por edhe rendja pas formave “të reja”, pas ndonjë “simboli” të papërligjur, pas psikologjizmit.

Veç këtyre është me rëndësi të thuhet se, si tani, si në të kaluarën, shpesh gabimet në ide janë bërë në emër të luftës kundër skematizmit, për ta paraqitur jetën me anët e shumta, me heroizmin, po edhe me frikën, për të polemizuar, në një lloj mënyre, me atë që është krijuar përpara. Kur kjo prirje bëhet me qëllim në vetvete dhe, kur mungon njohja e thellë përgatitja ideologjike dhe konceptimi didaktik, atëherë gjejmë shfaqje të deheroizimit, të objektivizmit natyralist etj.

Dobësia më e përhapur në tregimet e sotme, sidomos të disa të rinjve, është ngushtësia tematike, kapja pas disa dukurive të jashtme dhe zbulimi i cekët i konflikteve. Në disa raste, ka pasur edhe bindje të tilla, sipas të cilave tregimi “modern” nuk ka pse të ketë doemos konflikte, ndeshje të brendshme, sa mund të mjaftonte edhe një fabulë mjaft e thjeshtë, një cikërrimë e jetës, për të bërë një tregim. Është tjetër gjë evoluimi dhe zgjerimi i mundësive të tregimit, po kjo pikëpamje ka bazë subjektiviste dhe të shpie në formalizëm.

Tema e dashurisë, e marrëdhënieve morale-etike shpesh është trajtuar dobët ; ka pasur raste të një interpretimi të cekët të dashurisë, të familjes dhe të mungesës së motivimit në paraqitjen e kthesave shpirtërore. Ndjenja mikroborgjeze, meskine është kritikuar, po nuk kanë qenë të pakta rastet kur ka pasur shprehje të një qëndrimi mikroborgjez kur kanë munguar idealet të cilat duhet t’u viheshin përballë aspekteve negative.

Diskutimi u mor në mënyrë të veçantë me dy tregime që janë kritikuar edhe në shtyp, me tregimin “Provokacioni” të Ismail Kadaresë dhe me tregimin “Fushata” të Sabri Godos. Tregimi i I. Kadaresë u quajt i gabuar, me ndikime të humanizmit abstrakt dhe mjaft artificial, bile edhe një ndjenjë erotizmi të papërshtatshme për letërsinë tonë. Tregimi i S. Godos u kritikua për objektivizëm, për mungesën e idealit që duhet të përshkonte tregimin si edhe për një prirje deheroizmi. Tregimet e tjera të tij, ndonëse pati edhe ndonjë që i kritikoi, u quajtën të drejta dhe nuk u vunë re në to gabime.

Në diskutime u fol edhe për trajtimin e temës së burokratizmit. Ka pasur raste kur kjo është trajtuar mirë, por në disa tregime janë mbajtur qëndrime të cekëta, nuk i është kundërvënë këtij fenomeni forca e revolucionit dhe e idealit. Këtu mbetet për t’u thelluar se problemi është mjaft delikat.

U fol mjaft edhe për shfaqjet e formalizmit të lidhura ngushtë me konceptet e huaja, me leximet dhe me përdorimin e mënyrave stilistike, pa u thelluar në to dhe pa një qëndrim krijues. U kritikuan disa forma reportazhesh, të cilat largojnë nga njeriu ynë i ri dhe nga proceset e thella jetësore; u kritikuan poza letrare, thyerja e sintaksës së shqipes, gjuha e tepruar figurative etj..

Në mbledhje ky problem u shtrua drejt dhe në këtë pikë nuk u kalua në ekstrem. Kërkimet në formë janë të nevojshme, po të mos bëhen qëllim në vetvete dhe të zbehin përmbajtjen. Edhe qëndrimet e ngurta, konservatore ndaj mënyrave të reja të shprehjes duhen dënuar.

Në mbledhje u përmend për tregimin edhe ndikimi nga hermetizmi. Po mendoj se kjo gjë nuk përligjet, sepse errësira në tregime nuk është një prirje e dukshme dhe, veç asaj, paaftësia e shprehjes nuk duhet ngatërruar me shfaqje të huaja apo me parime estetike. U kritikua ndonjë tregim me kompozicion të shthurur, me ngatërrime linjash si edhe të personave që tregojnë, gjë që është një imitim i hapur i disa mënyrave formaliste të huaja.

Mbledhja, në përgjithësi, kaloi në një frymë të shëndoshë partie. Kritika ishte e hapur dhe shumica dijtën të kritikojnë dhe të ruajnë taktin e duhur. Ndonjë shok si Ibrahim Gani, duke e kritikuar me të drejtë tregimin “Provokacioni” të I. Kadaresë kaloi në ekstrem, bëri edhe aludime politike duke e lidhur me probleme politike, me mosnjohjen e dokumenteve të partisë nga autori etj.. Ky qëndrim i I. Ganit u kritikua menjëherë nga shoku Dritëro Agolli, në konkluzione dhe nga 3-4 vetë të tjerë. N’ anë tjetër, nuk ra mirë në sy që I. Kadareja, nuk bëri autokritikë (mbas kritikës së I. Ganit ai nuk u duk më në mbledhje).

S. Godo bëri autokritikë për tregimin e tij “Fushata”, u mundua të zbulonte burimin e gabimeve. Ai nuk u pajtua me disa teprime dhe keqinterpretime në artikullin e F. Zeqos botuar në “Drita” para disa muajsh mbi tregimin e tij “Fushata”.

Në diskutim u shtrua nga shumë shokë nevoja e gjallërimit të kritikës për tregimin, e inkurajimit të të rinjve, e analizës objektive të krijimtarisë së tyre dhe të më të rriturve.

Në mbledhje u orientuan tregimtarët për krijimtarinë e tyre të mëtejshme. Njohja me bazën, lejet krijuese në qendra pune, fshatra etj. do të sjellin dobi. U tha gjithashtu që lufta kundër ndikimeve të huaja nuk duhet të shkaktojë stepje. Shtypi letrar ka nevojë për tregime. Kjo gjini e shkathët, komunikuese, që mund t’i kapi më shpejt disa dukuri të reja të jetës, ka mundësi të zhvillohet edhe më shumë e më mirë.

Tiranë, 4. VI. 1973 Dalan Shapllo

Arkivi Qendror i Shtetit, Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Fondi 14. Dosja 289, Viti 1973. f. 37-41

(Ky shkrim është marrë nga libri, “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave” i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë, 2016)

Lini një Përgjigje