Denoncimi i drejtorit të Teatrit: Kur Ismaili dhe Mark Gurakuqi, patën konflikt në mes tyre, Paçrami mbajti anën e Kadaresë dhe e mbylli fare atë problem (disa foto të panjohura)

25 Mars 2019, 12:14Kulturë TEMA
Denoncimi i drejtorit të Teatrit: Kur Ismaili dhe Mark Gurakuqi, patën

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Ky dokument që po botojmë në këtë pjesë të librit, është shkëputur nga një dosje tejet voluminoze me proces-verbale mbledhjesh, raporte, relacione, letra denoncuese, udhëzime etj., etj., dhe të gjitha kanë si kryefjalë; Fadil Paçramin, anëtarin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ish-sekretarin e Komitetit të Partisë së Tiranës për problemet e propagandës, i cili sapo ishte shkarkuar nga të gjitha funksionet e detyrat partiake e shtetërore dhe ndodhej në rrethin e Pukës si drejtor i një ndërmarrje të thjeshtë sharrash në pyjet e Fushë-Arrzit. Pra, kjo dosje tejet e mbingarkuar është e formuluar e përgatitur enkas e gjitha në kuadrin e sulmeve dhe goditjeve që sapo kishin filluar ndaj Fadil Paçramit dhe një prej tyre është dhe Bardhyl Kosova, i cili për disa vjet kishte mbajtur postin e drejtorit të Teatrit Popullor në Tiranë.

Nisur nga ky fakt, ai kishte pasur shumë lidhje pune me Fadil Paçramin, apo më saktë ishte një nga vartësit e tij në rrugë partiake dhe kësisoj “partia priste shumë nga ai” që “t’ia hapte zemrën partisë”, dhe të bënte autokritikë e tregonte e dëshmonte gjithçka mbante mënd apo kishte dijeni mbi “veprimtarinë e Paçramit në dëm të punës së partisë”. Dhe në kuadër të kësaj, është dhe ky dokument që po e botojmë të plotë në këtë pjesë të librit, i cili është diskutimi që ka mbajtur Bardhyl Kosova në një prej mbledhjeve të shumta që u bënë asokohe për Fadil Paçramin, e cila siç do ta shikojmë më poshtë në këtë kapitull të librit, është një denoncim i ashpër ku ai ka rreshtuar plot 20 pika me një sërë “gabimesh e fajesh të rënda” ndaj ish sekretarit të Komitetit të Partisë së Tiranës, që njihej më së shumti si dramaturg, duke e implikuar rëndë atë në mjaft probleme.

Themi denoncim, pasi përveç problemeve të sferës së artit, kulturës dhe letërsisë, aty ka mjaft gjëra të tjera që nuk kanë lidhje me këto, por me atë të jetës private të Paçramit, si me kë shoqërohej ai, kë mbrontre dhe kë sulmonte, etj, etj, duke e implikuar atë në aspektin politik si një kuadër i lartë i partisë që me veprimet e tij dilte kundër vijës politike të saj. Por, si dhe në mjaft dokumente të tjera, aty përmendet edhe shkrimtari Ismail Kadare, lidhur me një konflikt që ka pasur dikur ai me shkrimtarin e ndjerë Mark Gurakuqi, ku Paçrami ka mbajtur anën e Kadaresë. Dhe me shumë gjasa, rrëmimi dhe sjellja në kujtesë nga Bardhyl Kosova e një ngjarje të largët, nuk ka qenë thjesht një “breje ndërgjegjeje” e tij…?! Nisur nga kjo gjë si dhe mjaft fakte të tjera që do të shohim në dokumentet në vijim, duket se gjithçka ka qenë e parapërgatitur për të implikuar shkrimtarin jo pak të njohur Ismail Kadare, me Paçramin, në kuadrin e goditjes që sapo kishte filluar ndaj këtij të fundit…?!

Diskutimi i shokut Bardhyl Kosova, drejtori i Teatrit Popullor

Në dritën e fjalimeve të fundit të shokut Enver, duke kuptuar gabimet e mia shumë të rënda si dhe duke u përpjekur që të shikoj veten time në pozita sa më autokritike, lidhur me veprimtarinë përçarëse dhe antiparti te Fadil Paçramit, paraqes këto fakte dhe vrojtime të tjera, përveç atyre që kam parashtruar në autokritiken time të bërë në mbledhjen e fundit të organizatës bazë dhe të kolektivit të Teatrit Popullor.

I . Në pozitat e politikës së tij tendencioze dhe antiparti për brezin e ri si kundërvënie brezit më të moshuar, kam përshtypjen se Fadil Paçrami në një mënyrë shumë të maskuar shfrytëzoi afro dy vjet më parë vizitën delegacionit të njerëzve të artit dhe kulturës me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së shoqes Nexhmie Hoxha. Këtu, që në fjalët e para Fadil Paçrami tha se gjetja më e rëndësishme ishte futja talenteve të reja në parti, duke marrë shkas nga prezenca e shkrimtarit Ismail Kadare dhe balerinës Zoica Haxho, të cilët bënin pjesë në delegacionin dhe që njëkohësisht ishin pranuar si kandidatë partie.

Edhe një herë tjetër, me rastin e 25 vjetorit të Teatrit Popullor, në darkën e dhëne nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me këtë rast, shoku Thoma Deljana në përshëndetjen e tij ngriti dolli për sukseset e Teatrit Popullor dhe veteranëve. Fadil Paçrami u ngrit në çast dhe si me sfidë tha se e propozonte dollinë e tij jo për të vjetërit, por për të rinjtë e teatrit. Ky gjest shkaktoi një përshtypje të keqe atëherë midis te pranishmëve.

Tani kuptoj mirë se Fadil Paçrami ushqente dhe veproi me një mosbesim të theksuar ndaj shokut Manush Myftiu. Këtë e shpjegoi me faktin se ai nuk donte në asnjë mënyrë që ne instruktorët e sektorit të edukimit, të merrnim kontakte të veçanta me shokun Manush Myftiu. Ne mbledhjet tona të sektorit , kur ngrinim ndonjë çështje me rëndësi për t’u konsultuar me shokun Manush Myftiu, ai shpreheshe në mënyre kategorike se përgjegjës ishte ai, dhe se për çdo çështje duhet të komunikonim ndërmjet tij. Këtë e justifikonte atëherë me pozitat e centralizimit.

Shoku Manush Myftiu në iniciativën e tij, përdorte takime me ne për çështje të ndryshme të punës. Kur ndonjëherë i tregonim për çështje të ngritura në takime ai zemërohej. Petro Shapos i tha njëherë që të ndaloji të takohesh pa e vënë atë në dijeni, kurse mua më kritikont kur shihte që e ndihmoja për ndonjë punë redaktoriale shokun Manush.

Për kompozitorin Çesk Zadeja, Fadil Paçrami kishte një adhurim të veçantë. Puna kishte arritur deri atje, sa për kompozimin e një opere, këtij iu sigurua një vend special në Vorë, ndërsa për ta shpënë dhe për ta kthyer në Tiranë, përdoresh automjeti i Fadilit. Gjatë një takimi, kur unë i tërhoqa vërejtjen për këtë gjë dhe se flitej në Tiranë, ai me tha se të ndaloj të flasësh për këtë. Në këtë çast, instruktori Petro Shapo tha se Çesku nuk ishte njeri i mirë dhe se ishte përmendur në hetuesi, Fadil Paçrami i inatosur tha se ata hetuesit e Sigurimit nuk i pyes dhe se ato i hedh copa-copa në shportë.

Gjatë një takimi dhe shëtitje të vogël në bulevard me shokët Llazar Siliqi dhe Pjetër Gjokën, Fadil Paçrami u shpreh se të vjetërit duhet të hiqen nga teatri. Unë dhe Llazar Siliqi kundërshtuam me forcë këtë mendim të gabuar.

Drejtorin e Teatrit, Fadil Paçrami e donte që t’i nënshtrohesh totalisht dhe ai të vepronte si dirigjent i plotë. Me caktimin tim në Teatrin Popullor, vendosa që të mos i bindesha verbërisht urdhrave të tija personale. Përpara meje, anëtarët e këshillit artistik i caktonte ai vetë, kështu edhe për të gjitha problemet më kryesore. Mbas premierës “Viti 6I”, ai insistonte me të madhe që të vihesh në skenë një pjesë e Ibrahim Uruçit “Ky dimri i vitit 1944”. Unë refuzova kategorikisht qoftë për vlerat, qoftë edh për faktin se teatri ishte bërë kryesisht monopol i Fadil Paçramit dhe Ibrahim Uruçit, gjë e cila kishte bëre qe shume autorë te njohur të largoheshin nga teatri. Për vendosjen në skenë të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, nuk ishte dakord, sepse sipas tij dhe Ibrahim Uruçit, ky roman nuk premtonte për skenë, gjoja se i mungonte konflikti.

Ndryshe nga herë të tjera, ne fillim të vitit 1972, Këshilli Artistik u formua kryesisht nga forcat më të mira aktoreske të teatrit. Lista u paraqit dhe u aprovua nga kolektiv në mbledhje të hapur. Kjo e zemëroi pamasë atë, veçanërisht kur mori vesh se kisha hequr nga këshilli Ibrahim Uruçin, te cilin ai e konsideronte specialistin e parë për dramaturgji dhe teatër. Heqjen e I. Uruçit unë e motivova, se ai ishte bërë një pengesë e madhe për teatrin. Edhe lidhjet me komitetin e arteve dhe kulturës nuk i pëlqenin fare. Disa herë më është kanosur se shtypi do ta dërmonte si teatrin popullor ashtu dhe teatrot e tjera.

Gjatë një takimi, në prezencën e shokut Vilson Kilica, më atakoi shumë rende, duke më paralajmëruar se do të më nxirrte para Byros së komitetit se partisë. Ishte koha që shoku Enver sapo kishte mbajtur fjalimin e tij ne Mat. Unë ju përgjigja se ai vepronte në kundërshtim të hapur me normat e partisë dhe fjalimin e shokut Enver. Gjithashtu i fola se kishte ardhur koha që të mos ngatërronte postin e sekretarit të partisë me atë personal të dramaturgut dhe sa kohe që është në ketë post të mos jap drama për teatër. Në ato çaste më tha se një mendim të tillë e kishte dëgjuar nga shoku Mantho Bala, kurse ketë ma thoni ju tashti qe të heq dorë nga dramaturgjia.

Fadil Paçrami duke parë që pjesët e tija dhe të Ibraim Uruçit nuk po futeshin menjëherë në teatër, një here m’u shpreh se do krijonte “teatrin e orës 8” për këtë qellim. Unë e kundërshtova kategorikisht si absurditet.

Me Qamil Buxhelin kishte afinitet të madh për dramaturgji dhe bënte çmos per afirmimin e tij si dramaturg, sidomos me komedinë “I pazëvendësueshmi”. Ne fillim të vitit 1972, kur pa se Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk e propozoi atë dhe Qamil Buxhelin për çmime të Republikës, me porositi që këtë ta bëja nëpërmjet teatrit. Unë nuk ju binda. Në bazë të udhëzimeve të Ministrisë, organizova një mbledhje të hapur të kolektivit, ku u propozuan lirisht shfaqje të tjera.

Përpara se të vdiste shkrimtari Mark Gurakuqi, në prezencën time i referoj Fadil Paçramit për një konflikt që kishte pasur me Ismail Kadaren. Mark Gurakuqit i kishte rënë ne dorë një letër me anën e një studenti të fakultetit, që ia tregoi në tavolinë. Fadili kërkoji ta minimizojë fare ketë fakt duke mos i dhënë asnjë rëndësi.

Në bazë të premtimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, për të sjellë në teatër disa aktorë me përvoje nga rrethet në listën tonë ishin vënë dhe artistët e njohur Nikolin Xhoja dhe Tinka Kurti. Këtë kërkesë Fadil Paçrami e kundërshtoi me forcë, si të vjetër.

Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit, paraqiten nje projekt për organizimin në qendër të sheshit Skënder bej të një manifestim artistik me motive nga libri i shokut Mehmet Shehu “Lufta për çlirimin e Tiranës”. E kundërshtoi duke thënë se kishte dramën e tij “19 dite”.

Në kuadrin e 5 majit-ditës së dëshmorëve organizuam dy manifestime të mëdha në sheshin Skënder bej. I propozova që të bëhesh tradicional për çdo vit. Sipas tij duhej të bëhej vetëm në raste të veçanta.

Për vitin 1971, Fadil Paçrami mendonte që të mos bëhesh parakalimi tradicional i 1 Majit, por shëtitje në kodra.

Fadil Paçrami nuk donte në asnjë mënyrë që të krijohej dega e Lidhjes për Tiranën si në të gjithë qytet e tjera të Shqipërisë.

Ish instruktoren e rajonit shoqen Lumturi Kapo, nuk e vlerësonte fare se kjo e kundërshtonte, dhe kur kjo kërkojë të largohej e la menjëherë

Më kujtohet se Fadil Paçrami bënte çmos për heqjen e Vladimir Kapos nga Teatri i Operës.

Kur pjesa “Njollat e murrme” u kritikua rëndë si e gabuar ideologjikisht, Ibrahim Uruçi shkroi një kritikë kundra, ndërsa Fadil Paçrami fliste me tërbim. Atëherë flitej se Fadili e kishte aprovuar para se të vihej në skenë.

Duke parë në Bibliotekën Kombëtare disa revista te “Shejzave” organ reaksionar i Ernest Koliqit, vura re se ishte shkruar një kritikë pozitive për dramën e Fadilit “Ngjarjet në fabrikë”. Kritiku çmonte shumë konfliktin e dramës. Për ketë e vura në dijeni Fadilin.

Për Milto Vakon megjithëse i flitej se ishte i degjeneruar plotësisht, për ketë nuk pyeste, e rehabilitoi dhe e vuri si udhëheqës artistik të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.

Mbas diskutimit të Bilal Xhaferrit kundra romanit te I. Kadaresë “Dasma”, më kujtohet se Fadili shkoi për këtë gjë në Durrës.

Kur kam punuar si gazetar në “Zërin e Popullit” kam parë të hyjnë në zyrën e Fadil Paçramit, Arshi Pipën dhe Fiqiri Llagamin.

Tiranë 10. IV. 1973 Bardhyl Kosova

Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSh-së, (Struktura) Dosja 191. Viti 1973. f. 16-20

(Ky shkrim është marrë nga libri, “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Endrrave” i autorit Dashnor Kaloçi, botim i UET PRESS, Tiranë, 2016)

Lini një Përgjigje