Kolegji konfirmon shkarkimin e prokurorit Elsion Sadiku

5 Prill 2019, 18:52Kronika TEMA

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kryesuar nga Ardian Hajdari, Ina Rama relatore dhe anëtarë Albana Shtylla, Luan Daci, Sokol Çomo, hodhi poshtë të mërkurën ankimin e prokurorit Elsion Sadiku, duke lënë në fuqi vendimit nr. 50, të datës 27 korrik 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sadiku, prokuror në Prokurorinë e Korçës ishte përfshirë në listën prioritare të vetingut për shkak të kandidimit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas vendimit të zbardhur, KPK vedosi shkarkimin e tij nga detyra pasi hetimi administrativ gjeti pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe mangësi në hetimin e dy çështjeve.

Në vendimin e zbardhur rezulton se treshja e KPK e kryesuar Brunilda Bekteshi,  me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj, gjeti që Sadiku nuk mund të justifikonte ‘në mënyrë të ligjshme’ kursimet e bashkëshortes  para korrikut 2009 dhe për rrjedhojë një sërë transaksionesh që ishin bazuar mbi këto kursime, përfshi blerjen e disa pajisjeve për një klinikë dentare private.

“Ka pasaktësi në deklarimin e burimeve financiare, deklarim të pamjaftueshëm të të ardhurave, si dhe ka burime financiare të paligjshme e, për rrjedhojë, ka burime financiare të ligjshme të pamjaftueshme për kryerjen e investimeve përkatëse”, thuhet në vendimin e KPK-së.

KPK gjeti po ashtu mangësi në hetimet e kryera nga prokurori. Në një hetim ndaj një dekani të Universitetit të Korçës, KPK shprehet se Sadiku nuk kishte kryer hetim të thelluar sa i përket një denoncimi që pretendonte se dy diploma të lëshuara në Bullgari ishin false. Po ashtu sipas KPK-së, pushimi pa hetuar i një kallëzimi për ekspertizë të falsifikuar në një gjyq civil, tregonte mangësi profesionale.

Sa i përket pasurisë, Sadiku u mbrojt duke pranuar se nuk mund të sillte dokumente provuese për të ardhurat e bashkëshortes para se ata të lidheshin në martesë, megjithëse paraqiti deklarata noteriale të punëdhënësit të saj. Ndërkohë, sa i përket dyshimeve mbi profesionalizmin, ai i mbrojti vendimet që kishte marrë duke i thënë Komisionit se në të dy rastet, hetimet përtej asaj që ai kishte bërë nuk kishin qenë të nevojshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje