Paraja “cash’ është mbreti në menaxhimin financiar të Rusisë. Pas tre dekadash të kolapsit të komunizmit, ekzistojnë të paktën 163,176 milionerë në vend.
Nga totali i aktiveve të tyre, 26% është para “cash’, që është niveli më i lartë në botë.
Kjo shifër është dy herë më e madhe se Europa dhe thuajse 3 herë më e madhe se në Shtetet e Bashkuara.
Kjo traditë në Rusi është nxitur nga historia.
Sipas analistëve, tranzicioni i egër i vendit drejt kapitalizmit u ndoq nga shumë zhvlerësime të valutës, ku më i fundit ishte në vitin 2014.
Ekziston pak besim ndaj produkteve financiare të shitura nga bankat dhe investitorët presin që në çdo moment të ndodhë një krizë e re.
Kjo ka bërë që paraja cash të jetë zgjedhja e duhur për një jetesë të denjë, apo për të injektuar kapital për të shpëtuar një biznes.
Shumë prej të pasurve rusë i mbajnë paratë në depozita, ku interesat janë rritur së fundmi pasi banka qendrore në SHBA tkurri politikat monetare.
Mbajtja e dollarit sjell përfitime, pasi rubla është zhvlerësuar me më shumë se 50% që prej vitit 2014, kur Shtetet e Bashkuara vendosën sanksionet e para, raporton SCAN.
Sipas analistëve, të pasurit rusë janë gjithashtu të frikësuar ndaj produkteve të komplikuara financiare.