Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjesë dje në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian në Vjenë.
Gjatë këtij aktiviteti, kreu i Kuvendit mbajti edhe një fjalë përshëndetëse, ku vuri theksin te rëndësia që ka integrimi i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Sipas Ruçit, ngadalësimi i procesit integrues për vendet e Ballkanit Perëndimor e ekspozon këtë rajon ndaj influencave ruse, duke theksuar se në Shqipëri ka dyshime për financime të paligjshme të partive politike të caktuara.
“Kolegë, fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk është anëtarësim, por pikësëpari është një mundësi që ju, BE dhe vendet anëtare, të monitoroni e vlerësoni më mirë dhe më strikt vendet tona.
Procesi i negociatave për anëtarësim është shumë i gjatë, i bazuar tërësisht në meritën e çdo vendi.
Zgjerimi duhet të mbetet një synim i pandryshuar i Bashkimit Europian, sikurse dhe thellimi apo reformimi, dhe se zgjerimi nuk do të thotë vetëm shtim i vendeve anëtare, por investim për paqen, sigurinë e stabilitetin e të gjithë kontinentit tonë.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ngadalësimi i procesit mund të krijojë hapësira, që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë, të cilët synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, të dëmtojnë stabilitetin dhe të devijojnë perspektivën e tij europiane.
Nuk mund ta fshehim që tashmë ka një prezencë të shtuar të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, sikurse ka dhe dyshime për financime të paligjshme të partive politike të caktuara”, u shpreh Ruçi, duke akuzuar në mënyrë indirekte Partinë Demokratike, e cila është nën hetim nga Prokuroria shqiptare për financat e saj.