Në kategorinë e parë, u luajt sot një finale e vërtetë për një biletë në kategorinë superiore. Kështu, në Kavajë, Besa vendase priti Bylisin. Të dyja skuadrat ishin pretendentet kryesore të grupit B për të siguruar një vend në elitën e futbollit shqiptar në sezonin e ardhshëm.
Në këtë formë, Bylisi vinte si kryesuese teksa kishte 3 pikë avantazh ndaj Besës së vendit të dytë. Ndërkaq, sa i përket ndeshjes futbollisti Entoni kaloi në avantazh të tijtë në minutën e 19. Me fitoren e miqve u mbyll pjesa e parë, teksa në fraksionin e dytë loja ishte më e ashpër.
Ndërkaq, protagonistë u bënë tifozët e Besës, të cilët filluan të hidhnin shishe në drejtim të futbollistit ballashiot, Lamçes. Me kalimin e minutave tensioni u shtua edhe më shumë, ndërsa arbitri ndëshkoi mbrojtësin e kavajasve, Danaj me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër.
Kjo solli reagimin edhe më të rëndë të tifozerisë vendase, të cilët goditën anësorin Denis Rexha. Kaq mjaftoi dhe gjyqtarët morën vendimin për të braktisur ndeshjen teksa nuk pranuan të rifillonin takimin.
Tashmë takimi do të jetë objekt diskutimi i komisionit të disiplinës. Besa rrezikon seriozisht të marrë një ndëshkim të rëndë pas sjelljes së tifozerisë.