Sot patëm një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar, kuptohet ata që ishin në Tiranë. Siç dihet unë jam Kryetar i këtij Këshilli dhe pata nderin të drejtoja mbledhjen.
Shkova gjysëm ore më parë në sallë dhe pata nderin të prisja Lulin ulur aty. Më pas dhe Doktorin. U ndjeva vërtet si President i Partisë.
Pas mbledhjes pati disa deklarata të Lulit që kanë çoroditur shumë demokratë për vendimin nëse do hyjmë në zgjedhje apo jo.
“Të nderuar demokratë!
Jari ju sqaron.
Mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar pati katër pika.
Pika e parë u vendos të krijojmë një qeveri tranzitore. Pati diskutime se kush nga ne do hyjë në qeveri dhe kush jo. Kjo krijon shumë përçarje në parti. Që të shmangnim përçarjen ne ja deleguam Doktorit, të na i japë në minutat e fundit emrat që do hyjnë në qeveri. Kështu shmangim përçarjen dhe nuk ka konflikte për emrat.
Pika e dytë ishte koha kur do të regjistrohemi për zgjedhje. Edhe këtu pati shumë debate dhe rrezikonim përçarjen e partisë. Disa thoshin të regjistrohemi një herë, pastaj kërkojmë qeveri të re, disa thoshin të bëjmë një herë qeverinë pastaj regjistrohemi. Dhe këtu u vendos që këtë vendim t’ia lëmë në dorë Doktorit, i cili ka marrë mandat që në minutën e fundit të na thotë të futemi apo të mos futemi në zgjedhje.
Pika e tretë ishte se si të pengojmë zgjedhjet nëse nuk do hyjmë në zgjedhje. Shqetësimi kryesor është se Edi Paloka ka deklaruar se nëse ata bëjnë zgjedhje pa ne, unë iki nga politika. Kjo ka rënë si bombë mbi çdo demokrat. Ne nuk mund të lejojmë ikjen e Edi Palokës nga politika. Ndaj dhe për këtë autorizuam Doktorin që në minutën e fundit të na japë komandën “zjarr” mbi zgjedhjet, ose “zjarr” mbi Palokën.
Pika e katërt ishin negociatat me koalicionin. Këtu ja hoqëm kompetencat Doktorit dhe ja dhamë Lulit dhe Gaz Bardhit. Pala tjetër ja ka lënë kompetencat Monikës. Këta diskutojnë me njëri tjetrin, se çfarë pikash të përbashkëta do kërkojmë për zgjedhje dhe të gjithë së bashku të biem dakord që vendimin për zgjedhje do ta marrë Doktori siç kemi rënë dakord më sipër.
Bazuar mbi këto pika, tani jam i sigurt se gjërat janë nën kontroll dhe Doktori do marrë vendimin e duhur. Ai që na nxori nga parlamenti do të dijë të na fusë në histori. Për këtë jam i bindur.
I juaji Jari!”
Parti budallenjsh, mbidhet keshilli kombetar i nje organizate te madhe me mbi 100 fryme dhe nuk ka asnje mendim ndryshe!