Zikja, për një Kongres partie

24 Prill 2019, 09:13Blog TEMA

Nga letërkëmbimi me Zike Pallaskën

Nga Pëllumb Kulla

Më fal, o byrazer, po u bënë ca si shumë parti këtej nga anët tona. Mirë që bëhen, por e keqja është se partitë po na ngjasin si ca mushka, apo pela, që të marrin mbi kurriz e të shpien në majë të malit-pushtet.

E këtë ëndërr e ushqejnë vetëm të zotërit e mushkave, ata që janë shaluar mbi samarin e saj.

E vërteta është, se këto ëndrra nuk realizohen se sikur të realizoheshin, të parët që do brohorisnim për çdo rrugëtim pele, do të ishim ne. Se do i ndërronim kalorësit në majë të malit-pushtet e të shihnim, se mbase ndonjëri do dilte më i mirë dhe do t’i bënte më shumë punë këtij vendi.

Po nuk është vend për kaq shumë pela ky i yni, ore, se dhe mendjellinjtë nuk i kemi aq të shumtë sa të përndahen rreth kalorësve e t’u japin mëndje, që ata të kenë me kë të pleqësojnë punët. Kështuqë pjesa më e madhe e këtyre partive-laj-thaj, vetëm kalorës kanë. Ai që është kalorës është dhe mëndjelliu.

Kështu është edhe Koço Kokëdhima!

Nuk di a e njeh Kokëdhimën, o byrazer, por unë e njoh për burrë të zgjuar, veçse është ca si oreksmadh. Qëkur kreu i fundit komunist e futi edhe Koçon në ato ndërmendjet që kishte për të emëruar vetë biznesmenët e parë, ka patur plane mbi plane, ëndrra përmbi ëndrra, Koçoja bëri përpjetë, po jo aq lart saç deshi. Këto ditë paska vendosur të provojë të bëhet i pari i Tiranës, kryetar bashkie!

Nuk është për t’u sharë çdo ambicje. Edhe nuk i shaj as ato ambicje që mbijnë si barërat e këqia. E kam njohur mirë Kokëdhimën dhe kam pasur miqësi më parë.

Dhe më vraftë Zoti, po t’i shkruaja këto radhë, ngaqë do ta dëgjoja që do të thosh vetëm se po përgatitet t’i hyjë valles zgjedhore.

Po miqësia e vjetër do të ma falë mëkatin që po e marr Koçon nëpër gojë. Nuk durova dot, or byrazer, kur e dëgjova që tha se, do kandidojë apo jo, këtë… do ta vendosë kongresi i partisë së tij!

E di, byrazer, që tani ti po qesh me të madhe dhe rrezik nga e qeshura të shkulësh ndonjë brinjë, po, për shpirtin e babajt kështu tha!… Dhe mua vetë akoma po më dhembin brinjët.

E po si, ore, asnjëra nga partitë, daç ato më të mëdhatë, daç ato më të voglat, nuk hoqën dorë nga shkolla e partisë të Qoftëlargut, nga e folura e tij dhe nga demagogjia e tij?!

Shefat e partive tona, janë edhe kapot e tyre, edhe ushtarët e tyre. Edhe zotërit edhe shërbëtorët e partisë. “Unë jam ushtar i partisë,” thoshte Enver Hoxha. – “Këtë nuk e them unë, e thotë partia” – “Kështu na mëson ajo” Edhe kur merrte kërbaçin, edhe në shkulm të zemërimit, nuk e harronte partinë ai: “Ti do arrestohesh në vend, e këtë nuk e vendosa unë, por e vendosi partia!”

Dhe partia rreth e qark tij shqyente sytë e zhgabërryer nga tmerri (që kish vendosur të ndëshkonte!) dhe i hidhte sa nga i pari, te mëkatari!

Kështu Koçoja do të mbledhë kongreeeesin!..

Dhe do të dëgjojë në ankth, se qysh do të vendosë kongresi i tij: do ta lejojë Koçon të hedhë zaret për kryetar Tirane, apo do t’i thotë sus?!

Vallahi, or byrazer, uroj t’i vejë mbarë e ta bindë kongresin që t’i japë vizën, se Kokëdhima është gojëtar e do t’ua mbushë mendjen.

Por që të jem i sinqertë fare-fare, unë kam frikë se delegatë për të mbushur ndonjë sallë ai nuk ka, por dhëntë zoti të ketë aq sa për të mbushur zyrën!

Ja këto kishim nga Tirana, këtë radhë.

I yti Zike Pallaska

3 komente në “Zikja, për një Kongres partie”

  1. ETHEM LALAJ says:

    TE LUMT P.KULLA.VAZHDON TE JESH PENE E ARTE NE MJEDISIN TON TE MJERE POLITIKE.
    -KOÇON E NJOH MIRE DHE UNE,QEKURSE ISHTE I PARI I RINIS NE FIER.SE KISHTE MBIENER TE MIRE,FAMILJE DESHMORI..APO JO.!?
    -ME KUJTOHET MIRE KUR KOÇO ME DISA TE RINJE LESH-GJATE QE JU TURREN BUSTIT TE ENVERIT TE VDEKUR PER TA HEDHUR NE GJANICE.DHE UNE SI USHTARAK QE ISHA THOSHA ME VEHTE:SI KA MUNDESI QE KY I TURRET ENVERIT TE VDEKUR KUR KY E KA USHQYERE MIRE ME BUKE KUR DISA FSHATAR TE FARFER JA MUAREN NGA THOJTE BUSTIN GJYSEM TE THYERE E TE NDOTUR NGA UJT E GJANICES QE TRAZOHET ME BITUMIN E RAFINERISE..!?
    -DHE TASHNE KOÇOJA KERKON TE DRIBLOI LALI ERIN PER BASHKINE E TIRABES DHE BASHKE ME TE EDHE EDI RAMEN,SE I PARI TIRANES BEHET I PARI QEVERUSE…SIKUR KTA TE DY TE JENE BURRA TE NJERKES SE TIJ.
    -DHE SIKUR KJO TE BEJE VAKI..PRA KOÇO KRYEBASHKIAK E KRYETARQEVERIE DO TE THOTE QE EDHE ARIXHIJT E LEVANIT-FIER TE BEHEN TE GJITHE MINISTRA FUQIPLOTE.DHE UNE VOTEN E VETME DO UA JEPJA KTYRE TE FUNDIT SI AJKA E SINDIKATES SE PA VARUR PA KRYETAR,PASI KY (G.KALAJA) QEKURSE DEKOROI ISH-KRYEMINISTRIN NUK PUNON ME NE ZYRE PAVARSISHT SE RROGEN E MERE ME NJE KEMBE.Te fala nga Fieri stolisur…!

  2. Vjosani says:

    I mrekullueshmi Pellumb Kulla!

  3. fred says:

    brilant dhe i drejte…
    qendron mbi kembet e tija
    dhe jo si koqo mavria…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje