Kukësi ndalet te traversa me Teutën, në Gjirokastër “fiton” Kastrioti

28 Prill 2019, 18:06Sport TEMA

Kukësi nuk arrin të përfitojë nga ndalesa e Partizanit me Laçin, barazon 0-0 me Teutën në Kamzë, me distancën mes kryesuesve që mbetet po 10 pikë.

Raste flagrante të falura nga dy sulmuesit e skuadrës verilindore, Shkurtaj dhe Reginaldo në fillim të sfidës dhe në limitet e kohës shtesë, me portierin Isli Hidi që në rastin e parë (7’) bëri heroin ndërsa në sekondat e fundit duhet t’i falet Zotit, që goditja e sulmuesit nga Mozambiku përfundoi në traversë.

Meritonte më shumë Kukësi në këtë përballje, por edhe Teuta i pati rastet e saj, sikurse ishte ai i minutës së 27-të me Amadou Latif, i cili nga shumë pranë vijës fatale e dërgoi topin jashtë kuadratit, duke bërë më të vështirën, shkruan Supersport.

Nuk pati fitues as në sfidën e mbijetesës në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Tiranës, që u ndanë në barazim 1-1, rezultat që i leverdis Kastriotit, që me tri pikët në tavolinë të ndeshjes me Kamëz u është afruar si bardhebluve ashtu edhe bluzinjve, që kanë respektivisht 37 dhe 39 pikë (Kastrioti 34).

Tirana shpërdori një mundësi të artë, pasi kaloi në e epërsi që në minutën e 9-të me Edon Hasanin, që shndërroi në gol një 11-metërsh të fituar nga Sentamu pas ndërhyrjes së Aleksit (e kontestuar me forcë nga gjirokastritët).

Mirë në fraksionin e dytë Donald Rapo shënoi një gol të mrekullueshëm me një gjuajtje-kros, që gjeti të papërgatitur portierin Abibi. Raste të shumta për shënim në minutat e mbetura, sidomos për Tiranën, por rezultati mbeti I pandryshuar, me të dyja skuadrat që ndanë nga një pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje