Shkojmë në Berlin – pak duke qarë e shumë të përçarë

29 Prill 2019, 09:43Blog TEMA

Krerët e Kosovës dhe të Shqipërisë shkojnë në Berlin si të injoruar nga vendet e fuqishme të BE-së. Arsyet duhet kërkuar në Prishtinë dhe Tiranë, në radhë të parë. Vajtimet e tyre nuk do t’i marrë askush seriozisht. Kur nuk i kryen punët si duhet në shtëpi, vajtimi në Berlin mund të ketë efekt për disa sekonda vetëm në ndonjë qebaptore ballkanike në kryeqytetin gjerman.

Nga Enver Robelli

Në Berlin sot do të sillen vërdallë Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj. Dy të parët në 12 muajt e fundit e kanë parë të nevojshme të bëhen pjesë e agjendës së Aleksandar Vuçiqit dhe lobistëve të paguar prej tij për «korrigjimin» e kufijve të Kosovës. Haradinaj e ka kundërshtuar këtë plan, por reputacioni i tij në shoqërinë kosovare nuk është i mirë për shkak të keqqeverisjes kolosale.

Në Berlin, Shqipëria nuk shkon si shtet që i plotëson kushtet për çeljen e negociatave për hyrje në BE. Shkon si shtet i fundosur në kaos politik, me një opozitë që është e gatshme të djegë vendin me një grusht militantësh për shkak se i ka humbur zgjedhjet dhe me një qeveri që e ka keqpërdorur besimin e shqiptarëve egërsisht. Aferat e korrupsionit, vjedhja e maskuar me kontratat për partneritet publiko-privat, tenderët që u jepen firmave fiktive (fatmirësisht të zbuluara nga mediat), kanabizimi i atdheut të Kastriotëve nga Kukësi në Kakavijë, ikja masive e njerëzve nga Shqipëria, mes tyre e inspektorëve të lartë për luftimin e trafikut me drogë dhe shumë mbrapshti të tjera e bëjnë Shqipërinë vend problematik.

Para një viti BE shtyu për një vit datën e fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nga atëherë Maqedonia është bërë Maqedoni e Veriut, ndërsa Shqipëria e ka humbur edhe një vit me përralla të Edi Ramës, gjuhë qesharake politike të Lulëzim Bashës dhe kopalla digjitale të Sali Berishës. Asnjëri prej tyre nuk ka bërë pothuaj asgjë që imazhi i Shqipërisë të përmirësohet. Edi Rama beson se imazhi i Shqipërisë ndreqet nëse ky hap ndonjë ekspozitë në Europë dhe nëse politikën e bën me «kosovarë privatë» nga qymezi medial dhe parapolitik. Basha e Berisha kujtojnë se i ndihmojnë Shqipërisë nëse arrijnë të angazhojnë ndonjë poterexhi kinse konservator nga Europa që llomotit kundër qeverisë socialiste. Pa konsensus minimal mes dy partive për çështje strategjike siç është hyrja në BE, Shqipërinë askush nuk e merr seriozisht. Sot gazeta e njohur gjermane «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» shkroi se i vetmi vend që meriton të fillojë negociatat për hyrje në BE është Maqedonia e Veriut. Shqipëria nuk përmendet fare.

Kosova shkon në Berlin me Hashim Thaçin e zemëruar që plani i tij për korrigjimin e kufijve të Kosovës nuk po ecën sipas synimeve. Argatët e tij «publicistikë» të punësuar në Twitter dhe gjetiu po e humbin durimin dhe kanë filluar ta fyejnë edhe Gjermaninë për shkak se ajo nuk po e përkrah ndarjen e Kosovës. Rrjedhimisht, thuhet se Gjermania nuk e ka përkrahur as luftën, as pavarësinë e Kosovës. Kjo lëre që nuk është e saktë, por është edhe ndotje e higjienës publike. Por me ndotje të higjienës publike Thaçi dhe sejmenët e tij kanë përvojë.

Kjo u pa sërish javën që lamë pas gjatë asaj që u paralajmërua si dëshmi e presidentit për ekstradimin e gjashtë turqve dhe përfundoi me një lumë fyerjesh që di t’i bëjë vetëm Hashim Thaçi. Kush ka luftuar për çlirimin e Kosovës duke respektuar autoritetet e prira nga Ibrahim Rugova e Bujar Bukoshi u quajt «mercenar» ose «Boshko Buhë» (kështu synohej «serbizimi i luftës çlirimtare» nga një injorant që nuk e di se idealet për të cilat ka luftuar partizani Boshko Buha kanë qenë fisnike), ndërsa një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje u stigmatizua si homoseksual. Një president i tillë e përfaqëson Kosovën në Berlin.

Jo shumë më ndryshe qëndron puna me Ramush Haradinajn. Ai nuk mund ta mbulojë keqqeverisjen me taksën kundër prodhimeve serbe. Sepse keqqeverisja shihet sidomos te fakti se as kryeministri nuk e di a i ka në kabinet 89 apo 91 zëvendësministra. Ndërsa populli nuk e di nëse kjo qeveri do t’ia ngarkojë arkës shtetërore 800, 900 apo 999 milionë euro për ndërtimin e «autostradës së Dukagjinit». Autostradat e Kosovës janë si varre masive të vjedhjes së popullit. Partia Demokratike e Kosovës e ka perfeksionuar këtë biznes. Të tjerët duan ta vazhdojnë.

Pjesa tjetër e së keqes së kësaj qeverie është edhe kjo: për të qëndruar në pushtet Haradinaj toleron një ministër të Jashtëm që karashtiset nëpër karnavale dhe diplomacinë shtetërore e ka shndërruar pothuaj në firmë private që i shërben interesave të tij, për pasojë numri i njohjeve ka rënë, papërgjegjësia në këtë ministri është shtuar, nepotizmi ka marrë përmasa neveritëse dhe gjithçka çka u kujtohet diplomatëve perëndimorë pas takimeve me «kryediplomatin» kosovar është fjala «horrific».

Në Berlin Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj do të ankohen – secili në mënyrën e vet. Vajtimet e tyre nuk do t’i marrë askush seriozisht. Kur nuk i kryen punët si duhet në shtëpi, vajtimi në Berlin mund të ketë efekt për disa sekonda vetëm në ndonjë qebaptore ballkanike në kryeqytetin gjerman. Komedia filloi që në Aeroportin e Prishtinës: padishahu presidencial kosovar tha se nuk ka shkëmbim territorresh, por Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. Ju kujtohet kur thoshte ta japim veriun se na e ka bërë dhuratë Aleksandër … jo Vuçiqi, por Rankoviqi?

4 komente në “Shkojmë në Berlin – pak duke qarë e shumë të përçarë”

  1. Taraboshi says:

    Shkrojte .shume shkrojte .por vetem qe ti te marresh vesht se cfare ke shkruar.Nuk le njeri pa share dhe ofenduar.Por pa asnje rruge zgjillje.

    Ne emer te kujt fole .nxorre ne pah Ibrahim Rugoven qe nuk ishte

    gje tjeter.Vetem nje kujdestar i dhunes Serbe ndaj Kosovareve.dhe per deshiren e tij Kosova do te ishte akoma Serbi.

    E kalove tangent lenien e imunitetit dhe bllokimin e rrugeve nga gjoja Opozitaret.Dhe nuk e nxorre nje nje pengese serioze e ecies se vendit per

    para.Iquajte te gjithe ne menyren tende muter duke e lene veten mut muti.Nje anti Shqiprtare i thekur qe ben perqarje duke isherbyer ne meny
    .
    ren Vucicit.Kjo ishte hera e fundit qe do te merrem me pseudoanalizat tuaja.

  2. Timi says:

    Fol per Kosoven se e njeh me mire, nuk eshte mirw te flasesh oe gjera qe nuk i njeh…per shembull pwr Shqiperine…Rama e stopoi kanabisin qe Berisha dhe kriminelet e tij r pwrhaoen ne Shqiperi kudo…a ke degjuar ndonjehere per Lazaratin….dhe detyrat e Shtepise pwr BE Rana i ka ktyer tw gjitha nje pernje. Kw degjuar gje pe reformen ne drejtesu dhe SPAK-un…nese jo informohu dhe do mesosh edhe arsyen oerse qeni Sali Berisha me banden e tij po perpiqet ti veje flaken Shqiperise.

  3. Diana says:

    Robelli.
    Sa i tharet qe je? Po I ke bere te dy shtetet shqiptare sikurme qene me keq se Africa. Shume e nxin e vetem negativ je. Ne nga shqiperia kemi nje shprehje “Fole fole o bey ine por si nuk fole nje fjale te mire per shqiperine_”
    Turp turp per kete nxirje qe i ben shqiperise e kosoves.

  4. zeqiri says:

    Ky Torobelli eshte kokrra e spiunit serb,lexojeni me vemendje cfare pjerth nga goja kjo hijene,Cfare mutin bejne organet e dhjera medemek te specializuara shqiptare e kosovare Ky vetem vrer nxjerr nga goja e zi e me zi parashikon ore e minute.Mesa duket detyra e tij prej serpentesi eshte primare dhe duke e ditur trashesine e sherbimeve tona sekrete,nuk e can torobellen e shkruan perdite ndonje poezi te thurur ne beograd

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje