Nëntë muaj të humbur me thashetheme për «korrigjime të kufirit», tallje me Luginën e Preshevës, shpëlarje truri – dhe një debakël shqiptar në Berlin

30 Prill 2019, 17:39Blog TEMA

Samiti në Berlin qortoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën për arsye se u bënë pjesë e një aventure politike, duke i shkaktuar dëm Kosovës dhe Shqipërisë. Dështimi i tyre i tanipërtanishëm duhet të jetë mësim për shoqëritë shqiptare.

Nga Enver Robelli 

Mund të merret me mend si ndihen qytetarët e Luginës së Preshevës pas Samitit të djeshëm në Berlin, i cili përjashtoi ndryshimin e kufijve në Ballkan. Së paku tani për tani.

Që nga gushti i vitit të kaluar presidenti i Kosovës rregullisht ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë do të parashohë bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Thirreshin në presidencë në Prishtinë politikanë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, nxirreshin para kamerave e mikrofonave dhe duhej të rrinin pothuaj gatitu ndërsa presidenti fliste për të ardhmen e ndritur të kësaj treve në kuadër të shtetit të Kosovës.

Për portalet e Kosovës kryetari i Preshevës thoshte se ose bashkohet e tërë Lugina me Kosovën, ose nuk do të ketë bashkim. I njëjti në një gazetë gjermane së fundi u ankua se debati për ndryshimin e kufijve po i largon investitorët nga Presheva. «Një shkëmbim i territoreve do të ishte hapje e Kutisë së Pandorës. Ky debat duhet të marrë fund, sepse po na bën dëm ekonomik dhe politik, por edhe po e zbeh prestigjin e BE-së», tha kryetari i Preshevës. A po kupton ndokush diçka këtu? Për mediat e Kosovës këlthet: bashkim me Kosovën, në mediat gjermane bërtet: aman, jepni fund këtij debati. Qe nëntë muaj edhe presidenti i Kosovës po tallet me banorët e Luginës së Preshevës dhe për këtë qëllim është përpjekur t’i instrumentalizojë politikanët e atjeshëm.

Në nëntë muajt e fundit ka pasur përpjekje të pareshtura nga presidenti i Kosovës, nga kryeministri i Shqipërisë, nga përkrahësit e tyre nga qymezi paramediatik, nga lobistët e paguar nga Serbia që ndryshimi i kufijve të Kosovës të shitet si punë e kryer. Kush kritikonte këtë aventurë, bëhej pre e shpatës që vringëllonte kryeministri i Shqipërisë, i cili mendon(te) se po i ndihmon(te) Kosovës duke u futur thellë e më thellë në batakun e përgatitur nga kryetarët e Kosovës dhe Serbisë. Samiti në Berlin – në fakt – i qortoi Hashim Thaçin dhe Edi Ramën për arsye se u bënë pjesë e një aventure politike, duke i shkaktuar dëm Kosovës dhe Shqipërisë. Dështimi i tyre i tanipërtanishëm duhet të jetë mësim për shoqëritë shqiptare, që të mos u falet besimi, as mos të tolerohen politikanët që pa kurrfarë transparence demokratike struken nëpër kafehane të qyteteve të Europës për të folur për jo më pak se ndryshimin e kufijve. Për Edi Ramën Berlini ishte një shuplakë ndoshta kthjelltësuese për të kuptuar se ndaj Kosovës nuk mund të bëjë politikë me «kosovarë privatë».

Për Hashim Thaçin dita e djeshme duket të ketë qenë e ankthshme, sepse në vend të duartrokitjeve që i priste në Berlin për ndryshimin e kufijve të Kosovës hasi në kundërshtim të ashpër të krejt establishmentit të atjeshëm politik. Andaj presidenti i Kosovës gjatë gjithë ditës së djeshme brohoriti nëpër Berlin me nervozë: pa Amerikën nuk ka zgjidhje të ngatërresës mes Serbisë dhe Kosovës, Europa është e dobët. Në të vërtetë mesazhi i padishahut kosovar ishte ky: pa John Boltonin nuk ka zgjidhje! Dihet se Bolton favorizon prishjen e Kosovës së 17 shkurtit. Ky do të ishte një triumf i tij pasi më 2008 e ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.

Takimi i delegacionit kosovar me ambasadorin e Donald Trumpit në Berlin ishte një mesazh shpërfillës ndaj mikpritësve gjermanë. Ambasadori aktual amerikan në Berlin – një militant i Trumpit pa përvojë politike – është ndër diplomatët më të vetmuar në kryeqytetin gjerman, sidomos politikanët e rangut të lartë nuk e takojnë fare. Madje për shkak të ndërhyrjeve të tij pa takt në politikën e brendshme gjermane, nënkryetari i parlamentit gjerman Wolfgang Kubicki ka kërkuar dëbimin e tij nga Gjermania.

Nuk është e saktë se europianët e veçanërisht gjermanët janë kundër rolit të Amerikës në Ballkan, por planin e lobistëve të kryetarit serb dhe partnerit të tij kosovar për rrudhjen e territorit të Kosovës gjermanët e hedhin poshtë për shkak se kanë frikë se do të marrë hov sidomos nacionalizmi serb dhe do të shtohen tensionet në Ballkan. Pasojat e tensioneve i vuan pastaj Gjermania, në radhë të parë. Megjithatë, rrëfimi për ndryshimin e kufijve duket se nuk ka marrë fund në Berlin. Aleksandar Vuçiqi ishte i sinqertë. Tha: nëse ka propozim më të mirë se lëvizja e kufijve, jam i gatshëm ta dëgjoj. Por, vazhdoi ai, propozim më të mirë deri më tani nuk kam dëgjuar. Përse të tërhiqet Vuçiq, kur i është premtuar se mund të marrë një copë të territorit të Kosovës?

Në darkën me dyer të mbyllura në Berlin presidenti francez Emmanuel Macron u ka thënë liderëve të Ballkanit se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve sipas vijave etnike dhe se duhet të ruhet multietniciteti i Ballkanit Perëndimor. «Ky është një mesazh i mirë», shkroi në Twitter, Gerald Knaus, nga Nisma Europiane për Stabilitet (ESI), ndër të paktit aktivistë ndërkombëtarë me ndikim që lobistët e presidentit serb dhe partnerit të tij kosovar nuk arritën t’ia ndërrojnë mendjen për të përkrahur rrudhjen e territorit të Kosovës.

Por e vërteta është kjo: në 12 muajt e fundit Macron më shumë ka qenë në anën e tyxharëve të tokave në Ballkan. Mbetet për t’u parë nëse Macron do t’i qëndrojë besnik kancelares Merkel apo do të kthehet prapë në kampin «land swap». Përkrahësit e ndarjes do të presin dobësimin dhe largimin e Merkelit nga posti më 2021. Dy vite kalojnë disi – për shembull mund të arrestohet edhe njëherë me marrëveshje Marko Gjuriqi, nga stacioni i trenit në Beograd mund të niset një tren i ri me parulla në drejtim të Mitrovicës, mund të vritet ndonjë Oliver Ivanoviq tjetër i serbëve të Kosovës… Popullistët ballkanikë janë kreativë, sepse shumë, shumë, shumë miliona janë paguar për ta bërë temë globale ndarjen e Kosovës.

Por bllokimi i planeve për ndarjen e Kosovës nuk domethënë se tani gjërat janë më pak të komplikuara. Kosova do të gjendet para zgjedhjes: e do murtajën apo kolerën? Nëse bie poshtë «korrigjimi i kufijve», do të shtohen kërkesat që bashkësia e komunave serbe të ketë kompetenca ekzekutive. Ky është qorrsokaku në të cilin klasa politike e Prishtinës e ka futur vendin. Dhe për këtë nuk mund të mbështetet për muri vetëm një fajtor.(dp)

2 komente në “Nëntë muaj të humbur me thashetheme për «korrigjime të kufirit», tallje me Luginën e Preshevës, shpëlarje truri – dhe një debakël shqiptar në Berlin”

  1. xx says:

    keto te shikoje Edita Tahiri.katrahuren qe kane bere,dhe jo te presi fjale kot e te gjeje rast te mburri Sali Berishen si lider ”legjendar”.

  2. Analisti Amator says:

    Une te kuptoj qe dhe ju zoti Enver keni mendimet tuaja te ngjashme me te Evropes. Pyetja qe une te bej eshte : po per Ameriken a ke ndonje koment? Shkrimi yt eshte plotesisht politik dhe ka pak ose aspak llogjike analitike.
    Ideja e “korigjimit te kufijve”, lindi fill mbas takimit te Tramp dhe Putin, ne nje kohe kur marredheniet e Amerikes ishin jo te mira me Gjermanine. Kjo ide e perfaqesuar ne praktike nga Thaci dhe Vucic, presupozonte biseda koke me koke dhe marreveshje dypaleshe. Rasti me optimal ishte qe ti jepeshin disa komuna te veriut te Mitrovices Serbit ne shkembim te komunave Shqiptare ne Jug te Serbise. Amerikani dhe Rusi ju lane dore te lire delegacioneve per te bere zgjedhjet e tyre ne menyre qe edhe Serbet, edhe Shqiptaret te ishin te kenaqur. Thelbi I kesaj nisme ishte injorimi qe i behej Evropes, ne rradhe te pare Gjermanit, qe kane interesa te tjera ne kete mesele. Shtrimi I problemit ishte fare praktik. Shqiptaret dhe Amerikanet te kenaqur me zgjidhjen, por edhe Serbi dhe Rusi po te kenaqur. Per ne Shqiptaret problem ishte fare I thjeshte. Si te perfitonin sa me shume territore gjate shkembimit te mundshem. Per Serbin fitorja ishte shume me e madhe. Ata vec territoreve do fitonin edhe te drejten per Bosnjen. Ne thelb, Serbi mund dhe te bente leshime Shqiptareve, sepse marreveshja e mundeshme do i jepte mundesi per per te kerkuar ne vende te tjera ku Serbet perbejne shumicen. Ishte pikerisht kjo gje qe Merkel nuk paranoi dhe me te drejte. Kjo do sillte destabilizim te metejshem te Ballkanit, per te cilen Amerikanet dhe Ruset mendojne ndryshe. Dipllomacia Evropiane u hodh ne sulm. Beri per vete Hajredinaj dhe Tahiraj. Serbi nga ana e vet per te dobesuar pozitat e Thacit ne bisedime I tha Sales te shpalli Thacin armikun numur nje te Shqiptareve. Filloj ajo qe ne Shqiptaret dime te bejme me mire: lufte me njeri tjetrin.
    Qe te mos zgjatem me sa duket Amerikani I ka dhene nje shance Evropes ta zgjidhi problemin. Ne letren qe I dergonte Vucic, Tramp i fliste per njohje reciproke midis Kosoves dhe Serbise, gje qe as u permend ne deklaratat e samitit te fundit. Amerikani e di qe Merkel eshte e zgjuar por nuk ja prish dot Francezit. Francezi eshte mik i perjeteshem me Rusin dhe Serbin. Pra ceshtja po ecen mbrapa. Sidoqofte Amerikanet po veshtrojne. Ata nu kane pse ti bejne leshime Evropes ne kurris te Shqiptareve. Kosova eshte eksluzivisht “prone” e tyre.
    Ju gazetaret qe hiqeni si mbrojtes te medhenj te Evropes(njelloj si Skenderbeu) duhet te perdorni me shume llogjike dhe pak perfitime ekonomike ne shkrimet tuaja. Problemi i bashkimit eshte vetem nje hap mbrapa. Me mendje te kethjellet , kjo mund te ishte shume me afer, sikur politikanet shqiptare te mendonin me koke te vete…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje