“Ciklon” i pritshëm te PSG, që mund të shpërthejë dhe kërcënon të përfshijë edhe kampionët e Italisë.
Performanca e keqe e javëve të fundit mund ta bindë presidentin Al-Khelaifi ta largojë trajnerin Thomas Tuchel, pavarësisht se gjermani ka një kontrate deri në vitin 2021.
Në këtë rast, sipas “Il Corriere dello Sport”, “të prekurit” më të mëdhenj do të ishin dy italianë: Antonio Conte dhe Massimiliano Allegri.
Trajneri livornez ka konfirmuar gjithmonë gatishmërinë e tij për të vazhduar me Juventusin, por një thirrje nga Parisi mund të ndryshojë gjithçka.
Juventusi, në këtë rast, megjithatë, nuk do të kapet i papërgatitur. Sipas “Il Corriere dello Sport”, drejtuesit bardhezinj do të kthenin Antonio Conte në Torino.
Ky i fundit duket se pret vetëm takimin mes Agnelli dhe Allegri, para se të vendosë për të ardhmen.
Me pak fjalë, Juventusi mbetet zgjedhja e parë për Conte, i cili, nga ana tjetër, është zgjedhje e parë e Romës, me klubin verdhekuq të vendosur për të hapur një cikël të ri.
Të gjithë e duan ish-trajnerin e kombëtares së Italisë, pa mohuar plotësisht hipotezën e Interit, ku, sidomos në rastin e parakalimit nga Atalanta në vendin e tretë, skuadra e Spallettit do të tronditej pa masë.
Në një situatë të tillë hipotetike, Marotta do të bënte gjithçka që të merrte Conte trajner, pas viteve të përbashkëta si fitues te Juventusi.
Në këtë moment, shanset që Allegri të largohet nga Juventusi, sipas “Il Corriere dello Sport”, duken të ulëta, rreth 25%.
Në fakt, trajneri livornez, gjatë takimit me presidentin Agnelli, do të kërkojë tri blerje të rëndësishme (një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues), për të provuar përsëri fitimin e Ligës së Kampionëve.
Kjo vlen, nëse nuk i vjen ndonjë telefonatë nga Parisi…