Bota po konsumon gjithnjë e më shumë alkool. Për më tepër, përkundër udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, trendi do të vijojë në rritje deri në vitin 2030. Një studim i publikuar në revistën shkencore “Lancet”, parashikon që në vitin 2030, gjysma e popullsisë së botës do të jenë konsumues të alkolit dhe 23% e popullsisë së globit do ta bëjë këtë në mënyrë të tepruar të paktën një herë në muaj.
Studimi i universitetit të Dresdenit është bazuar në të dhënat e OBSH-së dhe Global Budern of Disesases. Në bazë të përllogaritjeve, në rang botëror, konsumi i alkoolit nga të rriturit është rritur nga 5.9 litër në vit në vitin 1990, në 6.5 litër në vitin 2017. Ndërsa në vitin 2030, konsumi do të shkojë në 7.6 litër.
Në rritjen e trendit në shkallë globale kanë rol parësor vendet me të ardhura të larta e të mesme, ku konsumi rritet në përpjestim të drejtë me rritjen e standardeve të jetesës.
Rritjet më të mëdha në këtë periudhë janë regjistruar në Indi dhe Vietnam, ndërsa Rusia, Britania e Madhe dhe Peruja kanë shënuar rënien më të madhe.
Një tjetër vend që ka shënuar rënie të ndjeshme është Italia. Dikur një nga vendet që konsumonin më shumë, sot vendi fqinj është në mesataren globale. Sipas të dhënave, Italia ishte ndër vendet që konsumonin më shumë, nga 10 deri në 12 litra për banor, në vitin 1990; por tendenca në rënie e ka çuar pranë mesatares globale, midis 6 dhe 7.9 litër.
“Në bazë të këtyre të dhënave – thonë autorët e studimit- qëllimi i OBSH për të reduktuar përdorimin e alkoolit me 10% deri në vitin 2025 nuk do të arrihet në shkallë globale. Përkundrazi, konsumi i alkoolit do të vijojë të mbetet një nga faktorët e riskut për shëndetin, dhe në të vërtetë, ndikimi i tij do të vijojë të rritet”. (TemA TV)