Partizanët clirimtarë, xhambazët politikë e mediatikë dhe përmetari Simon në Amerikë !

11 Maj 2019, 19:33Blog TEMA
Partizanët clirimtarë, xhambazët politikë e mediatikë

Nga Kristo  MËRTIRI

-Pikë e zezë ! Gjatë tri dekadave të fundit, sa herë fryjnë erërat e ngrohta jubilare të Clirimit të Atdheut, dikush do bëhet “sebep” për të lëshuar ca re të grisura rreth yjeve të pashuar në qiellin e ndritur të kombit. Ish partizanëve dhe Dëshmorëve të Lirisë, vajzave dhe djemve të nënave mandilezeza që u martirizuan për Shqipërinë hallemadhe, u dridhen eshtrat atje ku prehen ! Nëpër lëndinat e medias pluraliste hidhen e kërcejnë pupthi pa u dalë ende puplat dhe ashtu buzëqumësht, japin definicione cmendurake e lapurake disa zogj e karkalecë përballë shqiponjave që rrahin krahët përjetësisht mes Botës Antifashiste anembanë globit. Ata mercenarë të mirëpaguar edhe nga taksat e fakirfukarenjve dhe të përkëdhelur e velur nga qeveritë e majta e të djathta, në cdo fillim Jubileu, cuditërisht hedhin vickla e tullumbace erërënda në opinionin publik bashkë me qeveritarë e opozitarë sojsëzë që ua kanë zënë këmbët me derë. Sinqerisht, shpesh mua më ngjajnë me karkanxhollë qesharakë e kulpërakë(figurë e përrallave popullore), që duan të përmbysin “historinë kapakkuqe” e pa huqe ose më së paku të helmojnë a retushojnë poshtërsisht e djallëzizht nderimin sipëror të merituar me gjak e sakrifica. Këto thagma neveritëse e ulëritëse gjoja të sofistikuara e realisht të “studiuara” nga kapterë politikë derdimenë në fushën e historisë, më e shumta të bëjnë për të vjellë ose për të mbajtur barkun me dorë. Mirëpo, “për cdo shteg e derë ka një lesë”, thotë i mencuri. Po kush e dëgjon ?! Sidomos kur veqilharxhët e Kryeveqilharxhët në pushtet e opozitë, jo vetëm nuk lajnë gojën me një “Ndalu Beg, se ka hendek !”,por mjerisht u krehin bishtin atyre “bishtatundësve” që dalin si rrëfimtarë kallpazanë nga ferrat ! Packa se shkelet me të dyja këmbët Kushtetuta e Ligji, tradita e zakoni i lashtë shqiptar e atdhetar, vetë e drejta kombëtare e ndërkombëtare, ëndrra vezulluese europerëndimore, progresi. Sepse liderët e ndryshkur, kanë 30 vjetë që i bien qemanes…(Një befasi  e këndshme, dje në mëngjez : -A e këndove lajmin taze për veteranin shqiptar të Ushtrisë Amerikane nga Lufta e Dytë Botërore ? Quhet Simon Simollari, është nga Përmeti ynë ! Ditët e fundit u nderua në SHBA me Medaljen e Artë të Kongresit, për shërbim e guxim të shquar. “I vetmi që ka mbetur gjallë nga njësia shqiptare që u dërgua posacërisht nga Amerika, për të ndihmuar në mposhtjen e nazistëve në Shqipërinë e pushtuar”. Iu bashkua njësive partizane. Në 28 Nëntor 1944 paska parakaluar në Tiranë krah për krah me 25 shtetasit e tjerë amerikanë dhe me drejtuesit e Frontit Antifashist Nacionalclirimtar. Gjatë ceremonisë së tanishme të nderimit nga Kongresi Amerikan, nga mendja dhe goja e përmetarit Simon, më bëhej se dëgjoja edhe klithmën tënde të mirënjohur : Nuk nëpërkëmben partizanët clirimtarë, o të marrë !”)….Jo më kot disa të njohur e miq, mbi harkun e Urës së Tabakëve, më cingrisën si me hosten se përse nuk po prononcohesha ditët e fundit rreth polemikave të vjetruara e shterpa në median e qorollepsur e të korkolepsur për partizanët, komandantët e komisarët e pavdekshëm të LANC. Megjithse kam mbi 40 vjetë që nuk hesht (në monizëm e në pluralizëm), në orët e vona gjeta disa shënime tepër domethënëse. Shumica të publikuara e me tingëllimë mjaft aktuale. Le të jenë edhe si përgjigje për vërsnikët e lexuesit e mi. Sepse e njëjta taktikë “jubilare”, dhelpërake e tinëzare tamam si para 5 vjetëve(por me personazhe të rinj) po ndizet paturpësisht edhe tani. Dhe as kam ndërmend t’u bëj reklamë falas e popullaritet kallp asnjë kalemxhiu të shitur a të blerë moralisht e pse jo financiarisht në tregun e Polit(h)ikës pa kurrfarë morali :

“…Do më dëgjosh pak, miku im ? Natën e 24 janarit e përcolla pa vënë gjumë në sy. U detyrova të bëj shoqëri edhe me një faqore të vogël ballë kazani nga lurushku i vithimave te Kroi i Madh. Pa kthyer ende ndonjë gllënjkë, sikur më hipi gjaku në kokë dhe u bëra gati të ulërija. Do zgjoja gjitonët, mëhallën e fshatin dhe ashtu të lebetitur mund të thoshin: Ç’e gjeti të ziun, bo-bo, mos lojti nga fiqiri !”. Të nesërmen do shkoja në Përmet, në 70 vjetorin e lindjes së Brigadës së gjashtë Partizane. Do vinin veteranë e pasardhës që nga Tirana, e jo unë që e kam veç një vrap pele larg ! Do takoja i malluar edhe shokë të babait. Se amanetin e tij nuk e tret dheu…Kur po qasej mesnata e vetëm ndonjë qen kopeje dëgjohej në pyllin mbi fshat, këmbeva stacionin e një televizori  me seli në kryeqytet. Një emision kuvendim që unë e ndjek jo rrallë, (ndoshta që nga ajo ditë që ti ma lavdërove gazetarin, kur erdhe në Tepelenë),po shkonte drejt fundit. I ftuari nga Mitrovica, që të them të drejtën nuk e mora vesh mirë se ç’zanat kishte- filozof i “pavarur”, analist, profesor, politikan, gazetar a historian pa mjekër,- po kukuriste si firaun.( Kujtesa e vëllezërve kosovarë të Prishtinës e Mitrovicës nuk besoj të harrojë 29 Nëntorin 1944, kur festuan e gëzuan me zemër Ditën e Çlirimit të Shqipërisë bashkë me luftëtarët e Brigadës III e të V Sulmuese Partizane. Ashtu siç gjëmuan Prizreni e Peja, që u çliruan në një ditë me Tiranën!). Mirëpo ky i ftuar “special” përtej akshamit, pasi deklaroi se Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva nuk ishin kolaboracionistë dhe as bashkëpunëtorë të nazistëve gjermanë (madje i pagëzoi fët e fët si figurat më pozitive të kohës!),i vuri kapak muhabetit duke zbrazur një tjetër shpifje të zezë e gënjeshtër me bisht që më rrënqethi trupin e shpirtin.E mbajta shënim në defter.Ja, dëgjoje:

-…Në fakt, as partizanët nuk kanë luftuar kundër gjermanëve. Ne nuk dimë se sa gjermanë janë vrarë në Shqipëri, ne dimë 1 në Tiranë nga Vojo Kushi dhe 1 në Borovë. Nuk janë më shumë se dy…(?!).

Më jep xhevap,ti miku im,përballë këtyre bandillëve të shkolluar a të gdhendur së prapthi, duhet heshtur apo të ulërasësh me thes në kokë ? Apo ta shtyj me një “pordhi kali në derë të hanit”! Ti e di mirë si thonë në nahijen tonë për shpifësit : Duan të vrasin veten,atij që ia thonë dhe ata që i dëgjojnë. Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare e popullit shqiptar mbetet e shenjtë. Ore babam, nuk thonë kot të mencurit patriotë: Kush përpiqet të shkelë mbi të, i bie damllaja…”.

Unë e kuptoj mirë dëshpërimin e revoltën e vërsnikut tim hallemadh e të papërkulur që jeton midis Grykës së Këlcyrë-Mezhgoranit, në atë grykë hijerëndë ku bëjnë roje në shekuj Trebeshina e Goliku me këmbët  përkundur buzë Vjosës. Atje,sot e kësaj dite mjaft rrënjë lisi e bliri,çaji e trëndeline,misri e gruri,bimë mjekësore etj. mbijnë edhe nëpër gëzhoja e gjyle të plasura nga pushtuesit nazifashistë.Mbi 7 dekada kështu.Madje nëpër shtrungat a stanet e bagëtive,por edhe nëpër avllitë e shtëpive gjen ende helmeta e gaveta italogjermane që përdoren për të shuar etjen dhitë e dhentë,kuajt e qentë…Ja, atje në Sajmolë, në tokën e pakët më pjellore të luginës historike,ishte deri vonë një varrezë e madhe e ushtarëve të huaj.Veçse nuk u përdhosën e nuk hyri kurrë as parmenda e as traktori.Një kod zakonor i lashtë sa malet ! Për të mbledhur kockat e tyre,erdhi nga përtej detit edhe një ish gjeneral i ushtrisë së vdekur…Por kushdo që kalon për në Tepelenë a Përmet, nuk mund të mos mërmërijë vetiu atë këngën lapidar “Një zë po del nga Gryk’ e Mezhgoranit”.Mbase pak e dinë në Shqipëri,Kosovë,Maqedoni , Mal të Zi e gjetkë, faktin se përmasat europiane asaj kënge partizane do ia falte zëri i paarritshëm i një ish mitralieri partizan në atë betejë, i rreshtuar në çetën “Hajredin Tremishti”. Ai djalosh hamall i punës,luftës,lirisë e këngës,atëhere qau si fëmijë mbi supet e shkëmbit të murrmë kur pa komisar Asimin e sharruar nga plumbat e dushmanit mbi istikam.Qante për komisarin e dashur që la studimet e larta në Romë dhe erdhi në mëmëdheun që lëngonte i pushtuar.Ishte zëri i papërsëritshëm i të madhit Mentor Xhemali…Por përroi i Mezhgoranit ka mbi 70 vjet që gurgullon e derdh në Vjosë edhe një betim erë baruti mbajtur me grushtin lart mbi trupin e heroit: Me luftë e nisëm,me luftë do ta fitojmë Lirinë! Foli një tjetër trim mbi trimat. Ishte Xheladin Beqiri(Karadaku i famshëm),që nëna kosovare e kish lindur për një Botë të Re.Në ballë të Batalionit,ky komandant i rrallë do binte heroikisht në betejën e mirënjohur të Qafës së Gjarprit,në përleshje me nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nënat shamizeza të Oparit e të Kurveleshit e vajtuan me ligje partizanin nga Gjilani…

Të jem i sinqertë, po të kish lëshuar broçkulla të tilla thjesht një ballist a zogist i rëndomtë, mbase nuk do ulesha për të shkruar.Se neokuislingët vërtet nuk firasin,por harrojnë që historia është bërë.Janë tjetër gjë shkrimi e shkarrashkrimi sipas bindjeve politike në këtë të uruarin pluralizëm! Faqet e ndritura të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,i dhanë dritë e nder atij Koalicioni Botëror fitimtar. Kaq e lehtë është sot të zësh vend nëpër kolona gazetash e në faqe ekranesh,me ajër të kondincionuar,me kostum e kollare dhe të përbaltësh kuturu e këmbë përmbi këmbë mbi 600 vajza e djem partizanë që ranë e derdhën gjak për lirinë e viseve shqiptare në Kosovë,në Mal të Zi e gjer në Bosnjë ?! Po ata qindra luftëtarë që u kthyen në vatrat e tyre familjare me plagë e plumba në trup dhe mjaft prej tyre i morën me vete edhe në atë botë?…Në rastin konkret,fjala vjen,unë do të dëshiroja të ishte gjallë e ballë për ballë me “analistin” e ftuar edhe  Ramadan Çitaku nga Mitrovica,një nga figurat e shquara e jo dosido të Luftës ANÇ. Po pse jo edhe gjakovarët e paharruar Hajdar Dushi,Emin Duraku,Sadik Stavileci etj.! Po pse jo edhe trimi i ndershëm,djali i “kapedan Sali Vranishtit”,Maman Saliu plot çika stërralli, me të cilin pata fatin dikur të kuvendoja gjatë në ballkonin(divanin) e thjeshtë të shtëpisë së tij në Lumin e Vlorës ! Ose Resul Bedon e dashur që nuk iu përtha kurrë pena për dëshmorët e shokët e luftës kundër nazifashizmit. Tjetër. Më gjeni një shembull të dytë si ai i partizanit mallakastriot Haki Kapaj,borizanit legjendar në Tendën e Qypit: Nga fyti i shpuar prej plumbit nazist, vërshoi gjaku e kushtrimi që ndezi zjarrin e përleshjes trup me trup,bajonetë më bajonetë! Historia nuk harron asgjë. As ata pionierët heronj Nimete Progonati,Ylbere Bilibashi,Met Hasa etj. Nënë Fatimeja e ëmbël për cdo tepelenas,nuk ia veshi dot vellon e nusërisë Nimetes,i mbeti lule e bukur trimërie e atdhetarie në Sinjë të Dibrës. Veshi përjetësisht vellon e kuqe të Lirisë…Ndërsa gjoksi i njomë i Metit u ça si shegë mbi grykën e mitralozit nazist! Heroizmi i Ylberes ka 70 vjet që ligjëron e drithëron te kodrat e Junikut,në Kosovë…Mos vallë vajzat dhe djemtë e nënave që mbushën njësitet e para guerrile,çetat,batalionet,brigadat e divizionet partizane, dolën në male thjesht për piknik a uikend ?! Në çdo kilometër është një çezmë gjaku për Lirinë ! Dikush mund ta quajë patetizëm a figurë letrare. Por Shqipëria jonë,nga Lufta ANÇ doli “me faqe të ndritur ndaj gjithë njerëzimit në botë”. Kjo është e vërteta që do na nderojë në breza.

Historia u bë nga 70 mijë partizanë e partizane(6 mijë ishin gra e vajza). Nuk mund të bësh tjetër, siç rropaten më kot ca sejmenë batakçinj të gojës e të penës. Gjatë dy dekadave të fundit, boll janë lënduar veteranët,pasardhësit,familjet e dëshmorëve dhe të afërmit e tyre! Vlerat e luftëtarëve kundër nazifashizmit janë në themelet e qytetërimit botëror. Sistemet dhe bindjet e ndryshme politike shkojnë e vijnë,por gjaku partizan nuk bëhet kurrë ujë. Pinjollët e zinj me pushtet e pa pushtet dëmtuan pllaka përkujtimore, lapidarë,shtëpi muze,buste e përmendore.Disa pseudohistorianë mercenarë morën yrysh nëpër media e gjer në tekstet shkollore.Si gjithnjë,në emër të një “antikomunizmi” kallp.Dhe kapën majën më të turpshme në historinë e turpit: shpërblyen me pafille(dekorata) të ndryshkura edhe bashkëpunëtorë të nazifashizmit ! Më thoni, në cilin vend europian e perëndimor ka ndodhur kështu ?…Partizanët shqiptarë ishin dhe mbetën atdhetarët idealistë më të kulluar,një kurorë lavdie e krenarie shekullore. Ndoshta çdo kohë do pjellë “atentatorë politikë”,por edhe “atentatorë mediatikë”.Mirëpo në rastin e këtij fillimshkrimi,nuk mund të jesh thjesht “filogjerman” i thekur që bredh me trastë në dorë për të gjetur emra e mbiemra nazistësh të vrarë.Sepse realisht,gjetkë fle “lepuri” i djallëzisë e ligësisë: Duan ta pagëzojnë me çdo çmim me damkën ogurzezë të “luftës civile”!Këta myteberë  “nacionalistë” e paskan zbuluar të keqen e komunizmit edhe përpara rusëve e anglezëve. O tempora, o mores !

-Bëj durim edhe pak,miku im.Ai zotria,me siguri ka kaluar p.sh. në Qafmorinë të Kukësit.Aman,më qafsh,pyete se kush dhe pse i pushkatuan te ai vend 26 shqiptarë të burgosur,70 vjet më parë ? Po për kampin shfarosës të Prishtinës,përse nuk iu hap goja në studion televizive ? Ose le të na thotë,kush dhe pse i vranë e masakruan 104 bij e bija shqiptare,duke i vërvitur të gjithë në një gropë të madhe ? (Atje kuqon e akuzon fort edhe gjaku i ish kolegut tonë antifashist,redaktor i revistës “Kushtrimi i Lirisë”,23 vjeçarit Gjikë Kuqali !).Po terrorin e përbindshëm nazisto-ballist të 4 Shkurtit,mos duhet ta fshijmë nga historia?!Po për 8 operacionet e pushtuesit vetëm gjatë Mësymjes dimërore nga Jugu në Veri,ku mbetën 3 mijë nazistë të vrarë,të plagosur e robër,të mos flasim? Po ai gjenerali nazist(komandant i D 297 e nënkomandant i Korpusit XXI),me kë luftoi dhe la jetën në Qishëbardhë të Vlorës? Ishte ai mot e ai dimër i egër që lule djemtë e nënave “I qante me lotë dëbore”.Lëvizja e Ushtria Nacionalçlirimtare nuk shuheshin dot.Ose më tej: po ditarin e komandantit 26 vjeçar të Divizionit Partizan,Gjin Marku,a e ka lëçitur vallë? Kur të kalojë nga Mushqetaja a Peza,le të pyesë se kush e drejtoi atë Thirrjen kombëtare flakërimë “pa dallim feje,krahine e ideje” dhe cilët nuk iu përgjigjën duke fshehur kokën nën kapotat e sqetullat nazifashiste?…Po ata 127 partizanë,kundër kujt ranë për çlirimin e Tiranës? Apo ata qindra ushtarë e oficerë pushtues ishin ulur këmbëkryq në kryeqytet për të bërë sehir e gosti (?!). Vetëm në Qafën e Gjarprit dhe në Gurin e Prerë lanë kokën 150 vetë(emrat e tyre,të nënës e të babës etj.mbase do i gjejë një ditë ai “analisti” firaun!).Deri atëhere besoj do ketë zbuluar edhe atë shënimin dëshpërues të ish kreut të Regjimentit I Alpin hitlerian…Por mirë më thua ti,miku im i vjetër,gjetkë daullja e gjetkë dasma! Nuk i tret meraku për evidencat e gjendjes civile .Damkën e sahanlëpirësit të pushtuesit nuk e lan dot lumi e deti dhe as ca “djathtistë” të sotëm që tundin palo këmborën zëçjerrë “patriotë antikomunistë”.Po pse,paskan qenë më antikomunistë se fashistët e nazistët?!…Nuk nëpërkëmben partizanët çlirimtarë, o të marrë !

Në tregun e lirë të demokracisë nuk do mungojnë xhambazët politikë e mediatikë.Por gjaku i dëshmorëve as nuk shitet e as nuk blihet dot.Është në themelet e Shqipërisë sonë.Të mbushur me krenari,do shkruajmë e këndojmë bashkë me poetin e madh ishpartizan:“Emrat e tyre janë yje/Shumë yje,/Sa drurët e kaltër në pyje !/Asnjë nga ata nuk vdiq nga mosha e vjetër,/Asnjë nga ata nuk vdiq nga lëngimi në shtrat,/Ngre kokën një bir e një vajzë në çdo kilometër:/-Bukur, vëllezër,/E çuat nderin e Nënës lart e më lart !…”.        

4 komente në “Partizanët clirimtarë, xhambazët politikë e mediatikë dhe përmetari Simon në Amerikë !”

  1. Besniku says:

    Gjithe respektin per ty, Kristo Mertiri
    Lufta antifashiste nacionalclirimtare eshte me e lavdishmja ne historine e Shqiperise, ajo i siguroi kesaj pavaresine reale. Partizanet qe mbushen radhet e brigadave dhe batalioneve ne kete lufte ia ngriten koken Shqiperise sa me lart, duke u radhitur ne kampin e njohur antifashist. Ballistet ishin larg kesaj lufte, duke u bashkuar me pushtuesin kunder forcave partizane. Ne krahun e tyre ishte dhe Legaliteti. Lavdi te renve, lavdi partizaneve trima qe i dhane popullit lirine.

    1. Gezim Maloku says:

      Besnik, e ashtuquajtura “Lufta antifashiste nacionalclirimtare”, qe filloi me lindjen e Partise komuniste, qe nga 8 nentori 1941, qe nje Firme Piramidale politike, qe u sajua nga Misionaret e Titos, te cilet u ftuan nga Grupet Komuniste te Shqiperise, per te bere “Celebrimin e bashkimit”, se vete komunistet shqiptare nuk munden ta gjenin gjuhen e bashkimit dhe ta krijonin vete Partine Komuniste te Shqiperise. Lajmesi u gjet ne Gjakove, shoku Fadil Hoxha, qe ishte student ne Shkollen Normale te Elbasanit, ishte anetar i Lidhjes Komuniste te Jugosllavise dhe jete “ilegali” ne Shqiperi, se ne Kosove e keronin per ta futur ne burg. Fadili ishte anetar i Grupit Komunist te Shkodres dhe i kerkoi ndihme Miladin Popovicit, per te ardhur ne Tirane dhe te behej i mundur bashkimi i grupeve komuniste te Shqiperise, me ndihmen e Titos, qe ishte nje anetar i Asamblese se Internacionales Komuniste, pra njohja nga Tito perbente “Certifikate Njohje nga Internacionalja Komuniste”. Miladini erdhi bashke me Dushanin, sollen Programin e Partise Komuniste dhe pasi grupet e pranuan bashkimin dhe krijimin e Partise Komuniste, zgjodhen edhe Kryesine e Partise, qe ne krye zgjodhen Miladini Popovicin dhe Komandant per ceshtjet Ushtarake Dushan Mugoshen, i cili zbatoi progranin ushtarak, duke krijuar formacionet e medha, qe nga Brigada e Pare Sulmuese. Ushtaret e Ushtrise Nacional Clirimtare u pajisen me Yllin e kuq ( modeli Rus i ushtrise se Kuqe ) dhe u quajten “Partizane”, sipas modelit jugosllav. Duke qene nen komanden e Beogradit, Shqiperia ra ne rrjeten e Federates, pas luftes u be Republika e Shtate e saj. Shtabi i Pergjithshem i krijuar me 10 Korrik 1943, ishte nen urdherat e Shtabit te Pergjithshem te Jugosllavise, qe kishte synim bashkimin e te gjitha shteteve ballkanike, perfshire edhe Greqine, Bullgarine, Rumanine. Ne Historine e saj Partia Komuniste, cdo gje e ka pase me stampen “MADE IN YUGOSLAVIA” dhe per Komandant te Pergjithshem kishin Josip Broz Titon. Dushani me Miladinin sunduan dhe komanduan te gjitha veprimet politike e ushtarake, qe nga Konferencat si ajo e Pezes e Labinotit, Kongresi i Permetit dhe krijimin e Brigadave ne gjithe vendin. Edhe dergimi i formacioneve ne Vishegrad gjoja pet te shkuar deri ne Berlin, bashke me Ushtrine e Kuqe te BRSS, por pasi u kthyen pas, ato u mbajten ne Kosove, per 18 muaj, per ti bindur shqiptaret se jane pjese e Armates Jugosllave, por me e keqja ishte se Brigadat tona kane kryer krime ndaj popullit te kosoves, doke vrare shqiptaret “nacionaliste antikomuniste”, Serbia i vriste kosovaret me doren e vellezerve te gjakut. Kjo perben nje Tradheti Kombeatre per palen e komunisteve te Shqiperise londineze prej 28 mije km/2, te cilet serbet i quani “Vellezer dhe kosovaret Popull mik apo fqinje”. PKSH zbatoi ne Kosove parullen e Titos “VLLAZERIM E BASHKIM” dhe kush dilte kundra saj, denohej me vdekje apo me burg. sa per patriotizmin e “partizaneve shqiptare”, Mehmet Shehu ka thene : “Doli shqiptari ne lufte, per nje pale breke dhe per nje dyfek”. Dyshja jugosllave qendroi plot 3 vjet ne krye te Partise dhe te Ushtrise Shqiptare, qe ne vend te Lirise dhe clirimit nga okupatoret naziste, na sollen Pushtimin nga Jugosllavia Komuniste, qe ishte shume me i rende se pushtimi fashist. Me 28 nentor 1941 u vulos pushtimi nga Serbia i trojeve tona, duke shkelur mbi gjakun e rilindasve, qe solli Pavaresine me 1912, ne Vlore me ngritjen e Flamurit te Skenderbeut. Tradhetia e PKSH dhe kreut te saj, Enver Hoxhes, eshte akti me antikombetar, antishqiptar, se per nje Kolltuk te Pushtetit personal, Enveri pranoi pushtimin e vendit nga Serbia.

  2. Raiti says:

    Luften partizane nuk mund ta erresoje askush, qofte balliste apo moster tjeter e tyre. Lexoni historianen angleze Miranda Vickers kur flet per dallimet midis luftes nac-cl. dhe ballisteve. Kjo lufte nuk iu tut asnje raprezalje, Balli u hodh ne preher te gjermanve, per te mbrojtur privilegjet e njerzve te tyre, cifligarve, bejlerve. Dokumente te shumte flasin per bashkepunimin e tyre dhe elementve zogiste me gjermanet kunder popullit dhe rezistences se tij antifashiste.

  3. Lexuesi i Piskoves says:

    Pena e ketij gazetari mbeti po ajo, e mprehte, e guximshme, gjithmone e drejte. Shkrimet e tij i pres ti lexoj me kenaqesi si zedhenes i admirushem i interesave, i shpirtit te njerzve te thjeshte. Faleminderit kesaj pene.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje