Për Akademinë dhe zotin Gjinushi

22 Maj 2019, 17:08Blog TEMA

Nga Ilir Yzeiri

Këto radhë po i shkruaj si pedagog universiteti prej më shumë se 20 vjet, dhe së fundi edhe si pedagog i jashtëm në IB Ëashington DC, si pjesëmarrës në shumë veprimtari akademike jashtë vendit, si gazetar që një pjesë të madhe të shkrimeve të mia ia kam kushtuar edhe problemeve të kulturës, të arsimit apo të shkencës në përgjithësi dhe si qytetar i Republikës që, në më shumë se një rast, jam shprehur për krizën e thellë të mendimit human e shkencor në vend.

Kam qenë dhe jam i mendimit edhe unë se gjendja e sotme e Akademisë së Shkencave, për shumë e shumë arsye, nuk është ajo që do të donim të gjithë të ishte, pra një institucion honorifik me hije të rëndë që të orientonte zhvillimin e dijeve në Shqipëri në mënyrë që të gjitha anët e jetës shqiptare duke filluar nga shkolla e duke mbaruar te inteligjencia artificiale fjala vjen, të kishin edhe gjurmën e imazhit që vinte nga lëvrimi i dijes me Akademinë si nxitëse dhe orientuese.

Në anën tjetër, qortimi, kritikat dhe anatemimet ndaj Akademisë u kthyen në sport kolektiv aq sa publiku dhe opinioni i gjerë nuk arrinte të orientohej në problemet reale që ka ky institucion dhe shkenca në vendin tonë. Por, arrinte të kuptonte, në shumë raste, pleksjen e interesave vetjake të një apo më shumë individëve.

Në disa raste, ligjërimi publik, në lidhje me këtë argument, shfaqej në artikulime njerëzish të dëshpëruar që bëjnë thirrje për mbyllje  ose të tjerë që, me anë platformash e prononcimesh në shtyp, vizatonin realitetin e tyre për këtë institucion. Secili është në të drejtën e tij që të shpalosë platforma e të bëjë projektligje ashtu siç e mendon ai se mund të reformohet Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Unë do të kisha parapëlqyer të dëgjoja ndonjë prej atyre akademikëve që, bashkë me qeverinë e zotit Berisha, në vitin 2008, shkatërruan rrjetin e institucioneve kërkimore shkencore të vendit duke i atashuar ato pranë universiteteve publike dhe, për të larë hesapet me një pjesë akademikësh, miratuan një ligj që u ndalonte akademikëve mbi moshën 75-vjeç që të zgjidhnin e të zgjidheshin. Ky ligj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankimimit që i bënë atij disa akademikë, mes tyre edhe profesor Gjinushi. Dhe sot degradimi i universiteteve ka marrë me vete dhe ka shuar edhe ato pak qendra kërkimore që kishte vendi deri në vitin 2008.

Qysh kur mësova se Prof. Skënder Gjinushi, së bashku me një grup pune, kanë marrë përsipër hartimin e një projektligji që do të reformojë Akademinë e Shkencave, krijova menjëherë bindjen se vetëm në këtë rast puna ka shkuar tek i zoti. Profesor Skënder Gjinushi është më i afti, më i përgatituri dhe njeriu që ka lirinë më të madhe akademike për ta reformuar atë institucion. Këtë mendim timin e kam dhënë edhe në ambientet universitare kur na u kërkua të shpreheshim për këtë projektligj dhe po e shpall edhe tani. Do të doja të përmendja disa argumente në favor të kësaj ideje.

E para, kam qenë pedagog në kohën kur Skënder Gjinush u zgjodh ministër i arsmit në Shqipëri në vitin 1987 dhe e kam ndjekur dhe e kam parë nga afër reformën e thellë që ai kreu në arsimin shqiptar. Ai ishte i pari që ideoi dhe zbatoi një reformë të mirëfilltë arsimore duke futur për herë të parë termin « modernizim » të arsimit dhe duke larguar me elegancë termat e trekëndëshit edukim idologjik apo boshti m-l, etj. Reforma e ndërmarrë prej tij ishte e dyta që kryhej për të zëvendësur reformën e vitit 1968. Në këtë reformë që përfshiu gjithë arsimin shqiptar, parauniversitar dhe universitar, për herë të parë, u vu si kriter dija kritike dhe të mësuarit logjik. Mbaj mend se, në atë kohë, në universitetin tonë, nën frymën e kësaj reforme, e hoqëm lëndën « Mendimi estetik i Enver Hoxhës », lëndë të cilën e gjeta në universitetin e Tiranës në vitin 1990, por kjo është histori tjetër. Të gjithë ata që e mbajnë mend atë reformë do të kujtohen sidomos për dy ndryshime thelbësore që u bënë në arsimin parauniversitar, për lëndën e gjuhës dhe atë të matematikës. Këto dy lëndë u shpallën prioritare për shkollën dhe programet e tyre dhe tekstet u konceptuan si një e tërë nga klasa e parë deri në të fundit të 8-vjeçares. Programi dhe tekstet e matematikës u drejtuan dhe u hartuan nën drejtimin e Prof. Skënder Gjinushit.

Unë e mbaj mend shumë mirë dhe dua ta përmend përsëri atë që kolegu im nga Australia, prof. Peter Morgan shkruan në librin e tij për Kadarenë (« Shkrimtari dhe diktatura ») kur flet për rolin e elitave të borgjezisë komuniste në përmbysjen dhe në shembjen e diktaturave komuniste. Edhe te ne, studentët që u ngritën në revolta, intelektualët që u përfshinë në debatet publike për kritikën e komunizmit, ishin pjesë e kësaj elite. Ndër ta u dallua edhe Skënder Gjinushi, i cili, në disa forume të larta të Partisë së Punës, në atë kohë, u shpreh me kritika të forta për sistemin dhe për kthimin drejt Perëndimit.

Ndërsa në vitet e tranzicionit, Prof. Gjinushi është ndër personalitetet më të përgatitura, me zgjuarsi të lindur, me logjikë prej shkencëtari dhe për meritë të  tij  ne kemi sot shumë nga ligjet që janë miratuar e zbatohen me koherencë. Është ndër të rrallët politikanë të tranzicionit që banon në të njëjtën banesë që ka pasur para viteve ’90.

Ndërsa, nëse e sheh projekt-ligjin që ai ka hartua,r bashkë me grupin e tij të punës, dallon pikërisht këto tipare : njohjen e thellë të objektit dhe vizionin që ai ka, të cilat mund të përmblidhen shumë shkurt në tri shtylla. E para, projekt-ligji i jep fund spekulimeve nëse duhet apo nuk duhet të kemi Akademi. Zhurma e tepruar ndonjëherë se. meqenëse kemi krizë të Akademisë. duhet ta zhdukim atë, apo teoritë kinse moderne se Akademia jonë është e modelit sovjetik, këtu bien poshtë dhe modeli që ndërtohet është ai i një institucioni serioz siç e kanë Austria, Gjermania, Maqedonia e Veriut apo vende të tjera. Projektligji, për herë të parë, adreson dhe ndan dy probleme : krizën e shkencës në Shqipëri dhe strukturën e funksionimit të Akademisë. Për të zgjidhur këtë ngërç, projekt-ligji i zotit Gjinushi është i qartë : jo rikthimit të institucioneve që i transferoi qeveria e Berishës te universitetet publike, duke i shkatërruar ato, por krijim pranë Akademisë i bërthamave kërkimore-shkencore sipas vizionit që ka Akademia, vizion që duhet të mbajë në vështrim idenë që dija duhet t’u paraprijë zhvillimeve të një vendi në arsim, në teknologji, në sociologji e me radhë. Këto bërthama që do të realizojnë projekte në ndihmë të zhvillimit të vendit dhe në bashkëpunim edhe me institucione kërkimore brenda e jashtë vendit, nesër, nëse e rrisin famën dhe produktivitetin, mund të shndërrohen në Institute. Akademia ka vetëm rol koordinues dhe vizionar.

E dyta, organizmimi i Akadmisë me Asamblenë dhe Ekzekutivin sipas projekt-ligjit të Gjinushit merr një zgjidhje optimale. Në fillim duhet të kujtojmë se një vendim i qeverisë Berisha, siç e përmenda më sipër, përjashtonte akademikët mbi moshën 75 vjeç nga e drejta e zgjedhjes. Ky ligj është është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe sipas projekt-ligjit të zotit Gjinushi, akademikë zgjidhen edhe ata që janë deri në këtë moshë. Kjo krijon mundësinë që të hapen vende të reja për anëtarësime nga vendi dhe nga rajoni. Është fjala gjithmonë për Asamblenë e Akademisë e cila në këtë formë krijon një fizionomi më të plotë. Ka dhe një propozim tjetër që mosha të ulet në 68 vjeç. Sipas pikëpamjes sime kjo e zhvlerëson kuptimin për figurën e akademikut sepse, jo vetëm që të tillë, deri në këtë moshë, kemi shumë pak, por pjekuria akademike, në disa raste, nis pas kësaj moshe. Ndërsa problemi i reformimit të Akademisë, sipas projektligjit Gjinushi, bën zgjidhjen më të arsyeshme dhe i harmonizon moshën dhe kontributin. Ndërkaq, funksionimi i institucionit, më tej, rregullohet me Statut dhe me rregullore të posaçme.

Këto janë vetëm disa nga anët themelore që përmban projekt-ligji Gjinushi, të cilat, bashkë me frymën që ka ai projekt-ligj, do ta bëjnë Akademinë një institucion që do të marrë përgjegjësitë që i takon në jetën e vendit.

Ekzistenca e kësaj Akademie dhe fytyra e re që do të marrë ajo nesër, do të krijojnë mundësinë që në të të përfshihen edhe studiues të dalluar shqiptarë që sot ndodhen jashtë vendit. Veçanërisht krijimi i bërthamave kërkimore-shkencore me specialistë që do të konkurojnë me platforma dhe që do të përfshihen në këto bërthama për të dhënë ndihmesën në fusha të dijes që sot janë në krizë, do t’ai rrisë peshën dhe hijen këtij institucioni. Dhe kandidatura e zotit Gjinushi është ajo që duhet.

13 komente në “Për Akademinë dhe zotin Gjinushi”

  1. Mësues , në pension . says:

    Ilir ! Gjinushi është ndër vlerat më të mira intelektuale të vendit .Fatmirsisht, dhe nga ana njerëzore, qendron shumë lart pseudointelektualëve dhe pseudoshkencëtarëve tanë .
    Duhet mbështetur , për të mirën e këtij institucioni , sepse çakejtë filluan ta kafshojnë .

  2. pirua says:

    Akademiku nuk ka kufizim moshe deri ne vdekje ose semundje qe s’perballon dot biseden. Ndersa moshe duhet te kete per politikanet; po kaluan 65 apo deri 70 vjeç , duhet tu hiqet me ligj e drejta e pjesmarrjes ne politike dhe jane te detyruar te dalin ne pension.

  3. Ladi says:

    Me dhe mjaft kenaqesi me te vertetat qe shkruan.
    Jemi mjaft konfuze: pasi shkrimet per interes personal, perhapja e lajmeve te rreme, propoganta e grazhdeve politike ben efekt tek ne ne qytetaret qe e duam sinqerisht kete vend.
    Te falenderoj

  4. faro says:

    Realist.
    Gjinushi është ndër njerëzit me të formuar dhe me të zgjuar. Meritat e tij vijojnë që nga mosha e re. I shquati I përhershëm si fitues olimpiadash.
    Fatkeqësi që I mungon politikës!

  5. Taraboshi says:

    Zoti Yzeiri nje te lumte dora me te madhe.Kjo per te gjithe ato qe dijne te lexojne dhe te asimilojne per te gjitha sa ke shkruar.Keto ishin edhe pa asnje lloj bindeje politike Respekte.

  6. Artan says:

    Yzeiri eshte nga keta te paktet opinioniste qe jep argumente. Por ne kete rastin ketu ja ka shkelur pak duke shitur gjinushin,

    Se pari, Gjinushi mund te kete bere nje reforme arsimore revolucionare ne 80-n, por si ka mundesi qe nje ish minister I rritur dhe I pjekur ne komunizem, ti besojme te na beje reformat Akoma 30 vjet pas renjes se komunizmit. Cfare e ben nje ish minister komunist me nje karriere te pasur ne ate sistem opsionin e duhur te ndermarre reforma te tilla?
    Se dyti, Gjinushi I eshte future politikes dhe per mire a keq I ka shfrytezuar keto vitet e demokracise te kontriboje ne politike. perse ky vend duhet te marre nje politikan jo fort te sukseshem qe per me teper e ka trasheguar nga komunizmi?
    se treti, mos ky vend eshte shkretuar nga persona te rinj, te edukuar jo vetem ne komunizem dhe qe kane karriere akademike dhe jo politike.

    1. Llaman says:

      Mos ja fusni me top, Gjinushi eshte me doktorate te marre ne France, zoteron mjaftueshem konceptin europian te shkences dhe arsimit te sotem. Deviza tij ne reformen e 1988-90 ne arsim ishte qe pedagogu eshte nje student i mire, dmth nuk duhet te pushoje as nje here se lexuari dhe eksperimentuari, metoda problemore e te mesuarit eshte baza e arsimit progresiv te sotem. Mos kujtoni ju se akademiket 70 vjecare ne France e gjekte merren me kerkime? Akademia shkecore eshte kshilli shkencor i Shqiperise ( nuk bie dakord me mendimin e pro Dritan Spahiut.

    2. ish-Studenti says:

      Artan, ja ke futur kot.
      Lerja atyre qe e njohin Prof. Gjinushin te flasin per te.
      S’ka patur asgje komuniste te ai. Madje ai i vinte ne loje (me lezet) gjerat e mykura… pa rene komunizmi ende, e pa u bere minister.

  7. Genti says:

    Edhe nje here ky shkrim na tregon se ne Shqiperi eshte i mbrujtur thelle ne gjene kulti i individit dhe jo i rolit qe ai duhet te luaje. Ore pedagog, cfare cilesie do te kishin leksionet e tua ne matematike nqse ti ke mbi 20 vjet qe ke pushuar dhe je dehur ne tallazin e politikes ku nuk te duhen me shume se 200fjale ne fjalorin profesional?!
    Cfare ekspertize mund te kesh kur kes mbi 20 vite qe nuk perballesh me boten akademike te perparuar.
    Sa e besueshme do te ishte e ashtuquajtura reforme kur nuk permban shkencetare te vertete. Kjo fryme e percuar nga ky shkrim “me nje perulesi” per tu patur zili, na bindi qe Shqiperia nuk ka nevoje per shkencetare. Si gjithnje, na duhet te kopjojme institucionet e huaja por t’i mbushim dhe t’i veme ne funksionim sipas menyres sone. Ja pse gjithnje ne prodhojme sharlatanizem dhe pseudo-shkencetare.

  8. Popullore says:

    Bravo Ilir Yzeiri! Per fat te keq, kryetarja e Komisionit te Medias ne Kuvendin e Shqiperise, Fatjona Dhimitri (PD), sapo e sulmoi politikish reformatorin e Akademise se Shkencave, Ak. Prof. Dr. Skender Gjinushit, i cili eshte dorhequr nga te gjitha funksionet e jetes politike te Shqiperise.
    Para dhjete viteve, nje rapsod kosovar pat vajtuar:
    Thone, ka ra zjarr ne ate Shqypni,
    Se c’u doq nji Akademi!
    Kush e dogji Akademine?
    Artan Fuga me Saline!

    Tani, grupi i Sazeve te Permetit do te kendoje:

    Tritan Shehun zevendesova,
    hi syve njerezve iu hodha;
    Ne jete te jeteve me Saline
    tym e flake ta bejme Shqiperine!
    Zjarr i ndeze zemrat tona,

  9. timo says:

    Më vjen keq që Skënder Gjinushi humbi kohën më të mirë të jetës së në politikë. Por më mirë von se kurrë. Ky pozicion i sotëm për të dhe për Akademinë e Shkencave është gjëja më e mirë që ka ndodhur. Urime dhe sukses Prof. Gjinushi. Me këmbë të mbarë.

  10. mali says:

    Ilir je nje servil i peshtire i pushtetit. C’intelektual mund te jete nje monster e tille qe jargavitet ne kete menyre me argumenta fals per nje njeri si Gjinushi qe ka mbi 35 vjet jashte shkences, i kredhur ne gjirizin me te felliqur te politikes!

  11. Denisi says:

    O mali je nje anadollak injorant dhe mos u perziej me punet e akademis , nuk jan probleme te fushes tende bej noj koment politik pzr ballin komtar ose zogun ku te mundesh per PD E PSpor problemin e akademis leri te tjeret te flasin , statura e prof GJINYSHIT esht me e shkelqyera per kte post esht nji nga matematicienet qe ka mbaruar doktoraturen ne paris me medalje ari , fat qe kemi nje njeri si zoti GJINUSHI ne kte vend , qe sot jan me pikatore , ka qen i vetmi politikan qe nuk e ka njoft korrupsionin , rrespekt ZOTIT GJINUSHI . Per nje her te vetme kto 30 vjet , po vem njeriun e duhur ne vendin qe i takon .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje