INTERVISTA/ Sotiraq Filo: Ndryshimi që ka ndodhur në Korçë do mbërrijë tek qytetarët si mirëqenie

27 Maj 2019, 12:32Politika TEMA

Flet kandidati I PS-së për kryebashkiak: Ja objektivat për ta shtrirë investimin edhe në zonat rurale

Nga Fernada Cenko

Kreu i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, ka bërë një bilanc të punës së tij ku ka treguar problematikat kryesore të qytetit dhe sfidat për garën elektorale.

Në një intervistë për gazetën “TemA”, ai ka komentuar edhe formulën e përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Socialiste për pushtetin vendor.

I pyetur lidhur me diferencën “fshat-qytet” sa i përket vëmendjes me investime, Filo siguron se në të ardhmen do të implementohen projekte për t’i minimizuar problematikat.

Ndërkohë, kryebashkiaku tregon edhe për raportin me paraardhësin e tij në krye të Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi.

Z. Filo, mendoni se Partia Socialiste duhet të kishte garë të brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për Kryetar Bashkie?

Partia Socialiste ka përgjegjësinë që të paraqesë një listë të kandidatëve për Kryetar Bashkie, të cilët të gëzojnë mbështetje në radhët e anëtarësisë së saj dhe në elektorat. Në dijeninë time kjo është realizuar duke organizuar disa sondazhe për të matur mbështetjen që kanë kandidatë të caktuar potenciale në elektorat, si dhe është kryer një proces konsultimi dhe marrje mendimi nga strukturat e PS-së në bazë bashkie.

Qyteti dhe fshati në Korçë shihet me një diferencë të madhe, ku në njërën anë kemi një qytet të lakmushem dhe nga ana tjetër, fshat që has vështirësi të mëdha. Si keni menduar ta zgjidhni?

Është e vërtetë që ka një diferencë të madhe në gjendjen e infrastrukturës, midis qytetit të Korçës dhe fshatrave, që u bënë pjesë e Bashkisë së Korçës, pas reformës administrative dhe territoriale të vitit 2015, por nuk duhet të harrojmë se edhe ndryshimi i Korçës nuk ndodhi as në një vit dhe as në një mandat. Janë dashur shumë vite pune me përkushtim dhe vizion të qartë për të ardhmen e qytetit, për të realizuar atë që është sot e prekshme nga të gjithë, si dhe mbështetja e qeverisë nëpërmjet projektit të madh të Rilindjes Urbane të qyteteve.

Gjendja që kemi gjetur në fshatra në vitin 2015, ka qenë e vështirë me problematika të shumta edhe në infrastrukturën bazë. Në këto 4 vite kemi bërë shumë për ti adresuar këto problematika nepërmjet projekteve të ndryshme.

Është investuar në infrastrukturën bazë, si rikonstruksione rrugësh, ujësjellësash, ndriçimi publik etj, por edhe në rikonstruksione të objekteve arsimore.

Projekte të rëndësishme në ndihmë të fermerëve kanë qenë edhe pastrimet dhe rikonstruksionet e kanaleve vaditëse dhe kulluese, mirëmbajtja e rrugëve të parcelave apo edhe pajisja me certifikata pronesie të tokës bujqësore.

Zhvillimi i fshatit do të vijë nëpërmjet investimeve në infrastrukturën bazë, mbështetjes për sektorin e bujqësisë, por edhe celjes së mundesive të reja për zhvillimin e sektorëve të tjerë, siç është ai i turizmit dhe agroturizmit në ato fshatra që kanë potenciale turistike. Në këtë drejtim projekti i 100 fshatrave përbën një mundësi reale për zhvillimin e agroturizmit si burim potencial punësimi dhe të ardhurash për zonën rurale.

Pranë prefekturës së vjetër është ndërtuar një mur, i cili ka hasur kritika të forta nga qytetarët. Keni ndonjë koment për skeptikët?

Në krah të Prefekturës është ndërtuar godina e Bibliotekës së re dhe Galerisë së Artit. Pjesë e kësaj godine është edhe përgolata, të cilës i referoheni ju. Është një detaj arkitektonik i dhënë nga arkitekti që ka projektuar këtë godinë. Nuk më rezulton, që të ketë patur kritika të forta nga qytetarët, pavarësisht faktit, që gjithësecili është i lirë të ketë shijet dhe preferencat e veta estetike. Kritikëve mund t’ju them që studioja e arkitekturës, që ka projektuar bibliotekën e Korçës, ka projektuar edhe Bibliotekën Kombëtare të Luksemburgut. Për mua është e rëndësishme që Korça do të ketë shumë shpejt një Bibliotekë të re, moderne dhe funksionale, e cila do të jetë ndër bibliotekat e para në Shqipëri, që do të funksionojë me fond të hapur.

Cila është marrëdhënia me ish kryetarin Niko Peleshi, sa ndikon ai në vendimmarrjen e Bashkisë?

Unë vazhdoj të kem marrëdhënie të ngushtë me ish Kryetarin e Bashkisë Niko Peleshi. Kam punuar përkrah tij në periudhën 2007-2013 si N/Kryetar i Bashkisë dhe i njoh meritën që filloi kthesën dhe transformimin e qytetit të Korçës, transformim i cili vazhdon edhe sot. Si Kryetar Bashkie unë jam i hapur që të dëgjoj dhe konsideroj vërejtje dhe ide, që i vlejnë punës time dhe vendimmarrjes sime, jo vetem nga Nikoja, por nga të gjithë ata individë, që dëshirojnë të përfshihen dhe japin kontributin e tyre për zhvillimin e Bashkisë së Korçës, në fshat dhe qytet.

Cilat jane tre objektivat që nuk i përmbushët dot gjatë mandatit tuaj si kryebashkiak i Korçës?

Nuk mund të flas për objektiva të papërmbushura. Unë mendoj që ky mandat ka qenë i suksesshëm duke thelluar transformimin pozitiv të qytetit të Korçës dhe duke hedhur bazat e ndryshimit pozitiv edhe në fshat. Thënë këtë padyshim që ka akoma shumë për të bërë dhe ka sfida të rëndësishme përpara.

Sfida jonë kryesore tani është që ndryshimi të arrijë tek mirëqënia e çdo familjeje. Ndaj do të mbështetim sektoret si turizmi, bujqësia, agrobiznesi, që do të jenë sektorët kryesorë të punësimit dhe zhvillimit ekonomik të Bashkisë, por edhe mbështetja e inovacionit dhe sipërmarrjeve të reja, sidomos të të rinjve.

(TemA Javore)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje