VIDEO/ Fitorja e proeuropianëve në PE, Bushati: Ndikon pozitivisht për Ballkanin

27 Maj 2019, 20:00Politika TEMA

Nga Mariglen Kume 

Sekretari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste Ervin Bushati e cilëson si një zhvillim të mirë për Shqipërinë fitoren e pro evropianëve në PE. Në një intervistë për TemA TV, Bushati është shprehur se pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime dhe fitorja e proevropianëve rrit presionin te ndërkombëtarët për të marrë përgjegjësitë e tyre.

Sa më shumë ndërgjegjësohen qytetarët europianë, e kuptojnë se politika është një institucion për të ndryshuar realitetin brenda një logjike europiane, pra jo duke e mohuar atë. Mendoj që ky është një lajm pozitiv edhe për vendet e Ballkanit sepse tregon se Europa do të marrë më shumë përgjegjësi, do të jetë më e fuqishme në të ardhmen dhe patjetër nuk mund t’u shmanget më përgjegjësive si entitet kaq i rëndësishëm dhe vendimmarrës”, thotë Bushati.

Një rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e qytetarëve evropianë te BE si politikë ka luajtur Brexit.

Po shikojmë që qytetarët e Europës e kanë kuptuar rëndësinë e PE dhe BE. Kam përshtypjen se edhe problematika e Brexit e ka galvanizuar votuesin europian, për të kuptuar rëndësinë e Parlamentit Europian dhe Bashkimit Europian”, shprehet Bushati.

Një lajm i mirë për Shqipërinë sipas Bushatit është edhe pjesëmarrja në PE e deputetëve me origjinë shqiptare.

Lajm shumë i mirë. Unë kam qenë një nga propozuesit dhe më vjen mirë që mu bashkuan edhe dy kolegë të tjerë. Kapitali ynë kryesor sot në botë është kapitali politik që kemi në çdo vend të Europës.  Do të krijojë një pjesë të një lobimi pozitiv. Do të jetë pjesë e një fryme apo ere tjetër në Parlamentin Europian sepse do të kemi përfaqësues që kanë lindur në Shqipëri, që flasin shqip dhe do ta mbrojnë shumë mirë interesin e vendit”, shprehet ai.

Pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, vëmendja përqëndrohet te procesi i zgjerimit në Ballkan. Bushati shprehet i bindur se komisioni evropian do rekomandojë çeljen e negociatave më 29 maj.

Raporti është pozitiv, përsa i përket teknikaliteteve Shqipëria i ka përmbushur. Por të përmendësh Shqipërinë në Europë, e para që të vjen në mend është reforma në drejtësi. Shtyrja në kohë e ftesës ka qenë vetëm për arsye të brendshme të vendeve që do të ishin në këto zgjedhje parlamentare”, thotë ai.

Kriza politike në Shqipëri, që sipas Bushatit po shkon drejt zgjidhjes, nuk do të jetë pengesë që Shqipërisë t’i çelet drita e jeshile për të nisur bisedimet.

Sa u takon deklaratave të herëpashershme të zyrtarëve grekë, se do të ushtrojnë të drejtën e vetos për Shqipërinë në PE, nëse nuk respektohen të drejtat e minoritarëve, Bushati nuk i konsideron si kërcënime por si vaksinime për të qenë një shtet sa më demokratik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje