Ambicia e zv.kryeministrit italiane, Matteo Salvini, për të bashkuar partitë e ekstremit të djathtë të Europës duket se nuk do të realizohet në përmasat që ai priste.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se nuk ka shumë shanse që partia e tij, Fidesz, të bashkëpunojë me Legën e Salvinit.
Në një deklaratë dje, zëdhënësi i Orban, Gergely Gulyas, tha se partia që qeveris Hungarinë për momentin nuk ka në plan të bëhet pjesë e grupit të sovranistëve në Parlamentin Europian.
“Respektojmë zëvendëskryeministrin italian dhe qeverinë e tij, si edhe rezultatet elektorale, që e bënë Legën partinë më të fortë në zgjedhjet europiane. Por pavarësisht kësaj, nuk shohim shumë mundësi për bashkëpunim mes dy partive në një grup të vetëm”, ka thënë Gulyas.
Strategjia e Orban duket e qartë: edhe pse partia e tij është pezulluar nga grupimi PPE, ai nuk ka ndërmend të largohet prej tyre, për t’u reshtuar me partitë nacionaliste euroskeptike të Salvinit dhe Le Penit në Francë.
Të njëjtën strategji duket se po ndjek edhe Nigel Farage në Britani. Lideri i Partisë Brexit ua ka mbyllur të gjitha dyert e bashkëpunimit sovranistëve. Ai e ka refuzuar ftesën e Legës, e cila deri tani ka në krah vetëm Bashkimin Kombëtar e Marine Le Penit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /