Zgjedhjet “problematike” të Dibrës dhe një ofertë se si mund të shmangen përplasje të tilla në të ardhmen

20 Qershor 2019, 14:17Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Tema e ditës, në këto javë të nxehta qershori, është bërë diskutimi rreth përgjimeve të publikuara nga tabloidi gjerman “Bild”, ku vëmendje të veçantë po i kushtohet përgjimeve të dosjes 184 që ka të bëjë me zgjedhjet për bashkinë e Dibrës në vitin 2016. Siç dihet, për shkak të një skandali seksual të ish-kryebashkiakut të Dibrës, pas rreth një viti aty u zhvilluan zgjedhje të parakohshme vendore.

Përballë njëri tjetrit ishin një mjek që garonte nën siglën e PS-së, zoti Rama, dhe një deputet i asaj zone, zoti Shehu. Me aq sa e kam ndjekur unë politikën shqiptare të zgjedhjeve, më rezulton se sa herë ka pasur zgjedhje të pjesshme vendore, gjithnjë ka qenë i avantazhuar kandidati i partisë në pushtet.

Kështu ka ndodhur gjatë viteve të qeverisjes “Berisha”, ku në ato raste ku janë zhvilluar zgjedhje të pjesshme vendore, jo vetëm që ka fituar kandidati i PD-së, por nisur edhe nga ky historik, edhe vetë PS-ja, atëherë në opozitë, nuk shfaqte kurrë impenjim maksimal për ta fituar me çdo kusht atë njësi vendore.

Në rastin e Dibrës, janë një sërë rrethanash që e bëjnë të besueshme fitoren e zotit Rama. Së pari, PS-ja ishte në qeverisje qendrore, pra kishte nën varësi edhe një sërë institucionesh publike që edhe nga pikëpamja psikologjike e votuesit nuk ndryshonin edhe sikur të fitonte kandidati demokrat. Përveç kësaj, ajo ishte po ashtu në qeverisjen e bashkisë Dibër, që do të thotë që jo vetëm qyteti, por edhe njësitë e tjera administrative drejtoheshin nga përfaqësues politikë të PS-së. Shtoji këtyre faktorëve edhe avantazhin tek kandidaturat për kryebashkiak: Zoti Rama, mjeku kirurg i spitalit, që me sa di unë, ishte i vetmi në atë profesion tek ai spital, jetonte dhe shërbente çdo ditë mes banorëve dibranë; ndërkohë përballë tij vërtetë ishte një deputet, por që ishte shpërngulur me kohë me shtëpi në Tiranë dhe dibranët veç emrin i njihnin vitet e fundit.

E pra, nisur nga këto faktorë, nuk mund të thuash se PD-ja kishte ndonjë avantazh të madh dhe pritshmëri për të fituar atje. Zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në Dibër, u morash më tepër se sa duhet, seriozisht nga dy partitë kryesore, PS e PD. Ato u panë si një test politik kur na ndanin afro një vit nga zgjedhjet parlamentare. Por, ta konsiderosh Dibrën si një test kombëtar mbështetjeje, nuk më duket shumë e arsyeshme. Nëse do ishin zhvilluar zgjedhje të pjesshme në Shkodër dhe aty të fitonte kandidati socialist, atëherë po, mund të thuash që ky është një test fantastik. Apo anasjelltas, po të fitonte kandidati demokrat në Vlorë a Fier në një rast hipotetik zgjedhjesh të pjesshme. Por të fusësh Dibër në këtë diskutim, nuk kam fjalë ta përshkruaj.

Gjithsesi, tashmë jemi përpara faktit të kryer që atje zgjedhjet morën një rëndësi të madhe për të dyja partitë. Sekush prej tyre e kishte sfidë për ta fituar. Praktikisht të dyja formacionet u angazhuan me burimet e tyre të shumta që i shpërndanë anekënd Dibrës. Lulzim Basha me gjasë e kishte ëndërr ta rimerrte Dibrën për të ngjallur sadopak optimizëm në kampin e vetë. Edi Rama, po ashtu, nuk e dëshironte një humbje atje pasi mendoj se ai besonte që kjo do përdorej nga opozita si revansh që populli nuk e do më.

Fushata elektorale, kur zhvillohet në zona kaq të ngushta, natyrisht prodhon tension të madh politik. Çdo i deleguar dëshiron që të mburret përballë shefit të vetë dhe partisë në tërësi se ia arriti qëllimit duke siguruar fitoren. Pa diskutim, përveç avantazheve të lartpërmendura, rol luan edhe puna me njerëz me influencë në zonat e tyre. Të mos harrojmë që jemi në veri, ku janë disa tradita specifike në lidhje me influencat fisnore, ku fjala e një njeriu në një zonë të caktuar ka më shumë peshë edhe se vetë fjala e një kryeministri, pra në tërësinë e tyre, çdo politikan kërkon që për të rritur sa më shumë mbështetjen elektorale, të sigurojë edhe besimin prej këtyre burrave të cilëve u ecën fjala në zonat ku jetojnë.

Po flitet shumë për një individ atje që quhet Imer Lala. Mbase gaboj dhe më ka shpëtuar nga syri e veshi, por për të s’kam dëgjuar që në këto 29 vite të ketë bërë ndonjë dënim me burg për çfarëdolloj vepre penale. Të mos harrojmë që falë aftësive dhe ndikimit të tij, ai arriti të nxjerrë si deputete të bijën. Edhe sot që po flasim unë nuk di që ndaj zotit Lala të ketë ndonjë akuzë për ndonjë krim, bie fjala, vrasje, grabitje, kontrabandë, trafik droge, trafik njerëzish, prostitucion, terrorizëm … etj., etj. Nëse ka, na i thoni që të jemi më të qartë se me cilin kemi të bëjmë.

Nëse PD-ja është xheloze se ai ka ndikim në Dibër dhe e kanalizon mbështetjen që ka tek një forcë politike, ky është problem i saj, por jo i tij. Më herët zoti Lala i ka siguruar mbështetje politike PDIU-së që sot është në koalicion me Lulzim Bashën. Pse nuk u kujtua Luli në zgjedhjet e vitit 2017 ta vinte në dukje këtë dhe ta vinte në dyshim fitoren e zonjës Lala?! Kjo e fundit e ka pranuar vetë publikisht në Kuvend që ka qenë vetë Lulzim Basha që ka kërkuar marrëveshje bashkëpunimi me tij dhe të atit të saj, por që ky i fundit nuk ka pranuar. Kjo i ngjan asaj shprehjes: O me mua dhe i mirë, o kundër meje dhe i keq.

Për të shmangur në të ardhmen situata të tilla, ku qeveria dhe opozita investohen me mish e me shpirt për të fituar një njësi vendore në zgjedhje të pjesshme, kam një sugjerim i cili, natyrisht, nuk vlen për zgjedhjet e 30 qershorit, por që mund të jetë pjesë e një pakete ligjore për zgjedhjet vendore të vitit 2023.

Sugjerimi im ka të bëjë me shmangien e zgjedhjeve të parakohshme kur kemi raste të tilla që një kryebashkiak, për një sërë faktorësh, ikën nga detyra, pra jep dorëheqjen, ndërron jetë apo dënohet me vendim të formës së prerë. Kam mendimin që në zgjedhjen e kryebashkiakëve të ndiqet modeli i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Pra, kandidati për kryebashkiak të vijë si një paketë e vetme edhe me kandidatin për zëvendës kryebashkiak.

Që do të thonë, në rast se kryebashkiaku i zgjedhur largohet nga detyra për shkaqet që përmenda më lart, ai të zëvendësohet automatikisht nga zëvendës kryebashkiaku (i cili është votuar nga populli si i tillë) pa qenë nevoja për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Duke qenë i zgjedhur, ai nuk mund të shkarkohet dot nga kryetari i bashkisë. Ky zëvendës kryebashkiak padyshim që duhet t’i përkasë të njëjtës forcë politike si e kryebashkiakut, me qëllim që të mos krijohet dualizëm në rast se kryebashkiaku largohet nga detyra. Në qoftë se pas largimit të kryebashkiakut, edhe zëvendësi i tij pëson të njëjtin fat për ato shkaqe që thashë, atëherë mund të kalohet në zgjedhje të parakohshme.

Ky sugjerim bëhet me vullnetin e mirë jo vetëm për të shmangur ato përplasje të forta që ndodhin rëndom në kësi rastesh, por edhe si leverdi ekonomike pasi dihet që fushatat elektorale kanë kosto financiare për buxhetin e shtetit. Të mos harrojmë edhe precedentin, që pas largimit para kohe nga detyra të kryebashkiakut Rroshi nga drejtimi i Kavajës në vitin 2017, atje pati përplasje aq të forta qeveri – opozitë, saqë u vu në diskutim zhvillimi i zgjedhjeve. Organizimi i tyre u arrit vetëm kur ato u shtynë për t’u zhvilluar në një ditë me zgjedhjet parlamentare. Ja pra, edhe ky shembull na mjafton të kuptojmë se sa problematike na shfaqen këto zgjedhje të pjesshme kur ato zhvillohen në vetëm një njësi.

Duke u shmangur zgjedhjet e parakohshme, nuk i detyrojnë as kryetarët e partive kryesore që t’i hyjnë betejave donkishoteske për të fituar me çdo kusht bashki periferike për t’i tundur më pas ato si model mbështetje, të cilat pastaj bëhen shkak për situata si ato që kemi kaluar dikur apo që po kalojmë sot. Nuk pretendoj se kam ofruar zgjidhjen më të mirë, por më të mirë se kjo nuk shoh. Sfidoj ndokënd tjetër që të japë kundër argumentet e veta.

1 komente në “Zgjedhjet “problematike” të Dibrës dhe një ofertë se si mund të shmangen përplasje të tilla në të ardhmen”

  1. Student says:

    Z ketro .imeri eshte imeti. Ka qene gangster. Punonjes shiku i gazidedes. Vrases i falut pa bere nje dite burg nga sali berishs
    Shok i ngushte me luan ramen. Shpetom idrizin. Kontrabandist e burgaxhi i thekur. E kane perdor politiksnet per vota e si politikanet per te mbuluar krimet e tij. Po duke ardhe nga dhomat e burgut ordiner por te konvertuar ne politike i antar i pd dhe pushka e saj tani we ju ka dale nga duart fladin per te.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje