“Milani” dhe “Interi” kanë gjetur marrëveshjen për të ndërtuar një stadium të ri, që do të kushtojë rreth 700 milionë euro dhe pritet të jetë gati brenda tre viteve.
Pas muajsh të tërë bisedimesh, sipas një shkrimi të publikuar në “Sportmediaset”, dy shoqëritë do të paraqesin në bashkinë e Milanos kërkesën zyrtare për ndërtimin e impiantit të ri. Hipoteza e rikonstruksionit të stadiumit “Giuseppe Meazza” është lënë mënjanë, për t’i besuar një projekti 700 milionësh, që sipas parashikimeve duhet të jetë gati për sezonin 2022-2023.
Pavarësisht protestave të romantikëve të futbollit për prishjen e “San Siros”, dy shoqëritë milaneze shohin drejt së ardhmes. Sipas medieve italiane, brenda këtij muaji do të merret vendimi përfundimtar për stadiumin e ri.
Nëse nuk do të ketë pengesa të paparashikuara më parë, impianti i ri do të ndërtohet nën nivelin e rrugës, në krah të “Meazzas”, ku për momentin ndodhet parkimi. Zona që do të krijohet nga shembja e “San Siros” do të organizohet në mënyrë alternative.
“Milan” e “Inter” po punojnë së bashku për të mbyllur në një kohë sa më të shpejtë dhe dokumentacionin që do nevojitet për të marrë dritën jeshile nga bashkia, që puna të nisë brenda fundit të kampionatit tjetër.