Korriku ka nisur i “nxehtë” në shtëpinë e Interit, që ka njoftuar edhe zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me mbrojtësin e mirënjohur uruguajan Diego Godin.
Ish mbrojtësi i Atleticos së Madridit, kishte refuzuar rinovimin me spanjollët dhe prej kohësh përflitej se kishte një marrëveshje me italianët, të cilët vetëm mëngjesin e sotëm njoftuan se Diego Godin është zyrtarisht një futbollist i Interit.
Në moshën 33-vjeçare, Godin është një futbollist që i bashkohet Interit me parametra zero dhe pritet të sjellë një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, të fituar gjatë 9 viteve të qëndrimit në Madrid, por edhe te kombëtarja uruguajane.
Mësohet se Diego Godin ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin zikaltër dhe do të vihet në dispozicion të Antonio Contes në ditët e fundit të korrikut, për të formuar një “digë” mbrojtëse bashkë me Milan Skriniar dhe Stefan De Vrij.
Gjatë ditës së sotme zikaltrit pritet të zyrtarizojnë edhe mesfushorin anësor Valentin Lazaro, i cili u ble përreth 22 milionë euro nga Hertha e Berlinit dhe mbërriti mbrëmjen e djeshme në Milano.
Gjithashtu këtë javë do të prezantohet me fanellën zikaltër edhe mesfushori i Sassuolos, Stefano Sensi, pasi palët kanë arritur marrëveshjen e transferimit, ndërsa nuk përjashtohen emra të tjerë, pasi po punohet në pista si Edin Dzeko, Romelu Lukaku dhe Nicolo Barrela.