Futbolli shqiptar vazhdon që të jetë dekadent dhe kjo është ndoshta sëmundja më e madhe dhe, për momentin, e pashërueshme. Nëse futbolli në vendet e tjera vazhdon të zhvillohet dhe shumë skuadra po marrin “dimensione” europiane, duke avancuar dhe fituar pikë, ekipet shqiptare dorëzohen që në momentin e hedhjes së shortit.
Dje erdhi konfirmimi i radhës. Malta na e ka kaluar me kohë, duke krijuar përvojë dhe duke arritur madje edhe me çudira të ndryshme. Por, turi i parë i Europa League tregoi se skuadrat luksemburgeze janë më të forta se ato shqiptare.
Kështu, në turin e dytë të Europa League, federata e Luksemburgut mund të mburret me tre ekipe: Dudelange (vjet ishte në grupet e Europa League ndaj Milanit, Betisit dhe Olympiacos), Progrès Niederkorn, që eliminoi ekipin irlandez të Cork City (diferencë golash në dy fitore për kokë) dhe skuadra që dërgoi në shtëpi ekipin e Kazakistanit, Tobol. Po flasim për Jeunesse Esch.
Dudelange zbret nga Champions, pasi në turin e parë u eliminua nga Valletta, ekipi kampion i Maltës, në dy ndeshje tepër të dyluftuara.
Në turin e dytë, skuadrat luksemburgeze do të përballen si më poshtë:
Jeunesse Esch-Vittoria Guimaraes (Portugali)
Shkëndija (Maqedoni e Veriut)-Dudelange
Rangers (Skoci)-Progres Niederkorn
Me përjashtim të përballjes që Progres ka përballë Rangers dhe Jeunesse përballë Guimaraes, Dudelange i ka shanset 50 me 50 me Shkëndijën e Tetovës.