SHISH s’është më hermetik: Publikon informacione për kundërzbulimin, terrorizmin dhe krimin

19 Korrik 2019, 17:23Kronika TEMA

Shërbimi Informativ Shtetëror i konsideruar si një institucion tejet hermetik ndryshon kurs, duke u bërë më i aksesueshëm për publikun. SHISH ka rinovuar totalisht faqen online të institucionit nga ku për herë të parë, jepen detaje për punën zbuluese në terren që lidhet me kundrazbulimin, terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Në të dhënat e publikuara nga SHISH në lidhje me operacionet e agjencive jomike informative apo të sigurisë, thuhet: “Monitorimi i veprimtarive dhe operacioneve të agjencive jomike informative apo të sigurisë, është prioritet madhor për SHISH-in.

Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe intensifikimin e përpjekjeve për integrim në BE, janë shtuar arsyet pse vendi ynë është objektiv me interes në rritje. SHISH-i vlerëson se, një aktiviteti i shërbimeve informative jomike është i vijueshëm, i qëndrueshëm në kohë, me prirje rritjeje dhe me ndërthurje të metodave klasike me ato hibride.

Vërehen prirje për grumbullim informacioni të klasifikuar, aktivitete influencuese, përdorim të hapësirës kibernetike, propagandës online, dezinformim, në favor të synimeve të tyre strategjike.”

Për sa i përket terrorizmit SHISH vlerëson se ISIS/DAESH, Al-Kaeda dhe degët apo grupimet e lidhura me to janë mes grupeve terroriste që paraqesin kërcënim potencial për vendin tonë, rajonin e më gjerë.

“Udhëtimet nga Shqipëria drejt organizatave terroriste, pas vitit 2015 e në vijim, janë ulur ndjeshëm e po shkojnë drejt ndërprerjes. Numri i të raportuarve të vrarë është rritur: 21% e numrit total. Rreth një e treta e tyre janë kthyer tashmë, kryesisht para adresimeve ligjore.

Në terma të përgjithshëm, të kthyerit në rajon kanë ruajtur profil të ulët por, shumë prej tyre, të kthyer në vendet e origjinës kanë gjetur të njëjtat kushte jetese, çka ka ndikuar në radikalizmin e mëtejshëm të tyre dhe vijimin e veprimtarive ekstremiste apo bërjen pjesë të komploteve të zbuluara terroriste”, thuhet më tej.

Krimi i organizuar, trafiku i lëndëve narkotike, korrupsioni dhe krimet në ekonomi janë pjesë e punës së SHISH. Për krimin e organizuar SHISH mbërrin në përfundimin se të përfshirët po e sofistikojnë aktivitetin criminal.

“SHISH-i vlerëson se, struktura të tilla kriminale janë agresive, kanë prirje për zgjerim dhe përshtatshmëri, për të shmangur masat e shtuara të agjencive të zbatimit të ligjit, përdorim të teknologjisë, komunikimeve të koduara, dokumenteve të falsifikuara, identiteteve të ndryshme, etj”

Në lidhje me korrupsionin, SHISH thotë është e përqendruar në dukuritë e korrupsionit në nivele të larta në sistemin e drejtësisë dhe administratën publike, në evazionin fiskal në përmasa të mëdha dhe me pasoja të rënda për ekonominë e vendit.(TCH)

2 komente në “SHISH s’është më hermetik: Publikon informacione për kundërzbulimin, terrorizmin dhe krimin”

  1. R.S says:

    Ca ShIShI more as Sali Berishen as Ilir Meten as Lulzim Bashen as Tritan Shehun dhe asnji tjeter nuk zbuloi dot se punojne per agjensi te huaja spiunazhi dhe lista eshte shume e gjate.Po shkrujta emrat e ketyre se nuk del koha te shkruash per te gjithe.

  2. Studenti 1 says:

    ????!!!! Se mos hap edhe ndonje faqe facebook-u apo twiteri.
    Sherbimi Informativ Shteteror, le te rrije perseri shteteror.
    Nuk late ministri pa e ba me faqe facebooku, bashki dhe institucione te tjera shtetrore gjithashtu.
    Nuk late sekrete te shtetit pa i nxjerre ne pazar……etj etj.
    Hiqni dore nga “like”t dhe “share”t se nuk bahet puna me keto gjana.
    Puna qe behet flet vete……nuk ka nevoje me i ba reklame.
    Nje gje e tille ndodhte edhe ne kohen e xhaxhit Enver, , , por nuk ngopet populli me lug bosh. Dihet perfundimi i atij sistemi.
    Qeverirare te Shqiperise!
    Hiqni dore nga reklama.
    Behuni me te pergjegjshem dhe fitoni besimin e popullit me pune.
    Pastaj meritoni te votoheni perseri.
    Mos kopjoni Saliun qe merrte nje foltore, nje pale gershere dhe nje shirit kudo qe shkonte dhe ku te shihte ndonje rruge te rikonstruktuar, ndalonte e vendoste foltoren ne mes te saj dhe i priste shiritin.
    Pastaj e shikoje ne cdo kanal televiziv, duke u transmetuar disa here ne dite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje