Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, beson se skuadra e tij ka dhënë provat kundër Karabak që ka një përbërje cilësore. Në konferencën për shtyp para duelit me Sherif Tiraspol, ai shprehu besimin që ekipi mund të kërkonte rezultat të rëndësishëm ndaj azerëve.
“Sa më përket, kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje për më tepër kemi pasur përballë një skuadër të fortë dhe rastet i kemi krijuar. Nuk jam i shqetësuar nga kjo. E rëndësishme është që të krijojmë raste.
Si detyrim është të bësh maksimumin, të mundohesh të bësh maksimumin në çdo pikëpamje, psikologjike, fizike e përqendrimi, të fitosh është rrjedhje e kësaj.
Zgjedhja është të hedhim një skuadër që të ketë fillimisht ekuilibër të fortë, të sulmojë në numër të mjaftueshëm lojtarësh dhe të mbrohet në bllok si skuadër. Ky është objektivi ynë.
Kemi bërë dy paraqitje të mira ndaj Karabak, duke mbajtur profil të ulët, duke pasur respekt te vetja dhe besim te lojtarët që më kanë treguar se përveçse dinë të luajnë futboll janë një grup i fortë. Kjo më bën të kem besim për këtë sfidë të dyfishtë.
Përmbysjet e Sherif? Në futboll ndodh, i kemi parë dhe analizuar të dy ndeshjet. Ndodh ndaj duhet të jemi të përqendruar e të kemi respekt ndaj Sherif, por duhet të mendojmë për vetveten, të bëjmë ndeshjen si e kemi përgatitur, për ne kjo është e rëndësishme”, tha Lerda.