Kanë kaluar më shumë se 30 vite kur skuadra e Flamurtarit do të përballej në stadiumin e saj në Vlorë kundër gjigandëve të futbollit spanjoll, Barcelonën.
Një duel i vlefshëm për kualifikueset e UEFA Cup, i cili do të mbetet gjithnjë në memorien e sportdashësve shqiptar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale media e njohur spanjolle “DiaroSport”, ka rikthyer në fokus historinë e Barcelonës kur udhëtoi drejt qytetit të Vlorës.
Shkrimi i DiaroSport:
Barça, në fund të botës…
“Në futboll, në kohën para globalizimit, të udhëtoje në Shqipëri ishte një udhëtim drejt të panjohurës. Sezoni 1986-87, sezon kur Barcelona do të ndeshej kundër Flamurtarit së Vlorës, në raundin e parë të UEFA Cup.
“Nuk di asgjë për Flamurtarin”, tha asaj kohe futbollisti katalanas, Migueli. “Terri Venables mund të na informojë për ndonjë gjë”.
Pasi zbritën në Tiranë, futbollistëve të Barcelonës iu deshën plot katër orë që të arrinin në Vlorë, 140 kilometra larg. “Pamë shumë pak makina rrugës. Kishte një dominim të çiklistëve dhe njerëzve që ecnin në këmbë”, thoshte një gazetar i ‘DiaroSport’, i cili kishte udhëtuar së bashku me ekipin katalanas.
Barcelona mori me vete dy arka të mëdha me ushqime me vete, pasi nuk ishin aspak në dijeni se si mund të ishin kushtet në Shqipëri. Katalanasit nuk morën dot më shumë se një barazim 1-1 në Vlorë, për t’u kualifikuar më pas në Spanjë pas një barazimi 0-0.