Edhe sot, firmat e nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit janë nisur me kamiona në drejtim të fshatit Novaj, për të filluar punën, por janë bllokuar sërish nga policia, pas vendimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për bllokimin e guroreve.
Kjo ka bërë që ata t’i lënë të gjithë kamionët në rrugë dhe të bllokojnë aksin nacional Poliçan-Skrapar, ku është bllokuar totalisht qarkullimi nga të dyja krahët.
Firmat kanë deklaruar se rruga nuk do të hapet më, deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare me shkrim nga policia për arsyen e bllokimit me forca të shumta policie dhe FNSH-je, që kanë më shumë se një muaj në mal që janë pozicionuar për të penguar fillimin e punës së firmave të nxjerjes së gurit.