Rama dhe Gjonaj vizitojnë familjet e dëmtuara nga tërmeti: Rimëkëmbje totale për çdo banesë të dëmtuar, vëmendje për çdo banor

22 Shtator 2019, 18:20Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kanë vizituar disa nga shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti në njësinë 7 në Tiranë.

Shefi i qeverisë ka garantuar se çdo banesë do të jetë në vëmendje të qeverisë ku i ka kërkuar banorëve që të largohen përkohësisht nga banesat e dëmtuara për t’i ofruar hapësirë punonjësve që do të merren me rrehabilitimin e godinave.

Rama zbuloi edhe një bisedë me ministren Gjonaj, e cila e cila sipas tij e kishte kontaktuar menjëherë për të parë gjendjen nga afër dhe për të gjetur bashkërisht zgjidhjen.

“Më mori Etilda në telefon dhe më tha hajde urgjent që të bindim disa nga qytetarët pasi nuk duan që t’i lenë banesat e tyre për të shkuar të Kavalishenca në Durrës ku kemi strehuar banorët e prekur. Në fakt pak janë ata që kanë këtë problem, por nuk mund ta neglizhojmë. Duhet të largoheni, që kjo godinë të shikohet nga inxhinjerët në çdo aspekt”, tha Rama.

Ai shtoi:

“Faktikisht ka rezistuar mjaft mirë. Kjo duhet patjetër të riparohet dhe ju nuk mund të rrini më këtu. Duhet të shkoni te Kavalishenca të bëni një pushim të detyruar pasi pjesa lart pashë që është shumë e dëmtuar. Kështu që të marrim masa dhe të shkoni aty ku i keni të gjitha në dispozicion, dhomën, ushqimin dhe shëtitjen buzë detit”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Gjonaj ka garantuar se po ofrohen kapacitetet maksimale institucionale për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari që i është prekur banesa dhe jo vetëm.

Nga kjo njësi ku është gjendur pranë banorëve, Gjonaj ndër të tjera tha:

“Në njësinë 7, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Këshillit të Qarkut Tiranë Aldrin Dalipi dhe administratoren e njësisë 7, vizituam disa nga familjet më të dëmtuara nga lëkundjet sizmike që fatkeqësisht prekën vendin. Së pari për t’i qetësuar nga paniku dhe për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të njësisë dhe së dyti për t’i garantuar plotësisht për rimëkëmbjen e çdo banese të prekur nga tërmeti. E njoh fare mirë sakrificën e tyre për të pasur një banesë, ndaj jemi të angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë si për ndërhyrjen institucionale, ashtu edhe për ndihmën tonë të drejtpërdrejtë. Bashkë do të mund ta kapërcejmë këtë situatë për të vijuar më tej me projektet që ju kemi premtuar dhe po i realizojmë”, shprehet Gjonaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje