SHBA: Drejtori i Zbulimit Kombëtar dëshmon para Kongresit

26 Shtator 2019, 16:10Bota TEMA

Drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar, i cili bllokoi publikimin e ankesës së një informatori, ankesë që ndodhet në qendër të një hetimi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, pritet të dëshmojë publikisht të enjten përpara komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Joseph Maguire pritet gjithashtu të dëshmojë edhe në komisionin e Zbulimit të Senatit në një seancë me dyer të mbyllura.

Të mërkurën në mbrëmje, disa ligjvënës të komisionit të Zbulimit janë lejuar të shohin ankimin e informatorit. Përfundimet e tyre janë të ndara sipas linjave partiake. Demokratët thonë se në ankim ka fakte që tregojnë keqbërje nga ana e Presidentit ndërsa republikanët thonë se publikimi i tij nuk do të shkaktonte asnjë shqetësim për presidencën e zotit Trump.

Një nga ligjvënësit republikanë të komisionit të Zbulimit në Senat dha një mesazh për ligjvënësit e të dyja palëve.

Ka gjëra vërtet shqetësuese këtu“, tha Ben Sasse për gazetarët pasi lexoi dokumentin. “Republikanët nuk duhet thjesht të shtrëngojnë radhët dhe demokratët nuk duhet të kishin përdorur fjalën shkarkim pa ditur asgjë mbi thelbin e ankimit“.

Polemikat nisën javën e kaluar pas njoftimeve në media se një informator i paidentifikuar brenda komunitetit të zbulimit kombëtar ishte alarmuar lidhur me një seri veprimesh brenda administratës Trump, të cilat përfshijnë atë që dihet tashmë, një telefonatë në muajin korrik mes zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Informatori kontaktoi Inspektorin e Përgjithshëm të Zbulimit, i cili e quajti ankesën “serioze” dhe “urgjente”.

Avokatët e informatorit kanë qenë në kontakt me të dy komisionet e zbulimit në Kongres, në një përpjekje për të përpunuar detajet e një takimi të drejpërdrejtë të tij me ligjvënësit e këtyre komisioneve, nëse do të ishte e nevojshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje