Numri 1 i stolit shqiptar do të freskojë grupin kuqezi në mesfushë, por edhe në portë. Debutuesi absolut në listën e Kombëtares Shqiptare do të jetë mesfushori i krahut të djathtë, Lindon Selahi. RTSH Sport mëson dhe 20-vjeçari i Tëentes është ndjekur nga Reja kohët e fundit dhe trajneri 71-vjeçar ka vendosur ta bëjë pjesë të grupit kuqezi, pavarësisht aktivizimit të pakët me uniformën e 21-vjeçarëve.
Lojtari i lindur në Belgjikë ka vendosur të përfaqësojë vendin e origjinës duke u shpërblyer me grumbullimin për dy sfidat vendimtare në Stamboll dhe Kishinjev.
Selahi e ka nisur karrierën në radhët e Standard Liegge por këtë verë u transferua në Holandë te Tëente ku trajneri Gonzalo García i ka dhënë hapësira të mëdha duke e aktivizuar titullar në të 8 ndeshjet e zhvilluara në Eredivisie. Mesfushori me origjinë shqiptare numëron plot 583 minuta gjatë këtij sezoni dhe do të jetë një nga lojtarët më të aktivizuar të listës kuqezi.
Një tjetër risi edhe pse nuk është hera e parë që thirret në kombëtare, është edhe portieri Gentian Selmani.
I transferuar këtë verë nga Laçi te Menemenspor, gardiani kurbinas duket se ka tërhequr vëmendjen e Edi Rejës që po përgatit një rotacion të butë dhe pa shumë zhurmë për Etrit Berishën, i cili nuk ishte pjesë e kombëtares shqiptare për sfidat me Francën dhe Islandën.
Zyrtarisht largimi i tij nga grumbullimi u justifikua me një dëmtim por shkaqet mund të jenë të tjera dhe të lidhura ngushtë me rikthimin e Strakoshës zgjedhje e parë në hierarkinë e ngritur nga Reja. Lista e plotë e të besuarve të Rejës pritet të publikohet gjatë orëve në vazhdim, ndërsa të Dielën trajneri i Kombëtares do të dalë në një konferencë për shtyp.