Shkrimtari Moikom Zeqo, që së fundmi ka qenë duke u kuruar nga një sëmundje e rëndë, ka dhënë një intervistë për gazetën “Panorama”, ku flet për jetën e tij, krijimtarinë, por dhe përfshirjen në politikë.
Ai tregon se si e përzuri nga jeta politike Fatos Nano dhe për një kohë të gjatë, është dashur të jetojë vetëm me 15 mijë lekë.
“Nga politika më largoi Fatos Nano, prej kapriçove të tij. Unë isha ministri i tij i Kulturës, por kur u ktheva nga Amerika, ku gjatë viteve ’96-‘97 isha për studime, ai vendosi që unë të mos kisha asnjë lloj posti, pavarësisht angazhimit intensiv gjatë viteve ’92-1996.
Mund të them se gjatë kapitalizmit, kam qenë me pozitë vetëm gjatë kohës kur isha drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, nga ’98-2006-ta.
Meqenëse ngela pa punë pas kësaj detyre, pensioni im i jetës më doli asokohe më pak se 15 mijë lekë, pasi shumë vite nuk llogariteshin.
Si për shembull periudha në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, pasi ishin mbyllur administratat. Ishte e tmerrshme”, thotë Zeqo.
Ai ndërkohë tregon transformimin e Partisë së Punës, në Parti Socialiste.
“Për sa i përket themelimit të PS-së, unë s’kam qenë në brendi të krijimit, mirëpo kujtoj se në muajin prill të ’91- shit kam qenë në zyrën e Ramiz Alisë së bashku me Artan Fugën dhe Maqo Lakrorin, ku kemi paraqitur raportin që do të bëhej në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, që u bë Kongresi i Partisë Socialiste.
Kam ende procesverbalin e asaj mbledhjeje, ku jam ngritur dhe kam mbajtur fjalën e radhës. Kam thënë se duhej hequr emri i Partisë së Punës, pasi partitë lindin dhe vdesin, por Shqipëria ka më tepër rëndësi. Po ashtu, kërkova të hiqej formula marksizëmleninizëm, të ridimensionohej figura e Enver Hoxhës e të kalohej në një parti të tipit social-demokrat.
Ramiz Alia ndërhyri dhe tha: “Po pse të ndërrohet, emri i Partisë së Punës është emër i bukur”. I thashë: “Është një parti që tani e ka mbyllur ciklin e vet, një parti e vdekur!”. Mandej në Kongres siç edhe dihet diskutim të fortë mbajti edhe Dritëroi, mirëpo ai u zgjodh anëtar, ndërsa unë jo.
Unë jam një ndër përpiluesit e programit, në një kohë që krerët e saj që nga Fatos Nano e të tjerë që vinin më pas, as që e kishin idenë e përmbajtjes së tij. Kujtoj se në formulimin kryesor, si një angazhim substancial, ka qenë nderimi i vlerave të Luftës Nacional Çlirimtare”, tregon ai.(TemA)
ja dhe Nano by-tha…ha ha ha, cfare kapadaiu me shkolle partie nga te Nexhmies