Pasojat e tërmetit, deputetja e PS bilanc për shtëpitë e rindërtuara: Shembull për solidaritetin njerëzor

28 Tetor 2019, 17:32Sociale TEMA
Pasojat e tërmetit, deputetja e PS bilanc për shtëpitë e

Deputetja socialiste Edlira Bode ka bërë një bilanc për pasojat e tërmetit në qarkun e Korçës i cili dëmtoi mjaft banesa, kryesisht në disa fshatra të Devollit të sipërm.

Gjatë seances parlamentare ajo tha se është bërë një punë pozitive për ringritjen nga e para të shtëpive të dëmtuara, duke i ofruar fshatrave një prespektivë të re.

“Jam këtu për të dëshmuar që menjëherë pas rënies së termetit, stukturat e Emergjencave Civile te Prefektures Korçë, Bashkise Devoll, si dhe forca të ushtrisë, të koordinuara nga Prefekti i Qarkut, u gjendën në Vidohovë, për të menaxhuar situaten e krijuar. Banorët e shtëpive në rrezik shembjeje u strehuan në çadra të emergjencave civile, iu sigurua atyre ushqimi në një mensë të ngritur nga Bashkia e Devollit e të furnizuar me ushqime nga institucione joqeveritare si Myftinia e Korçës apo Kryqi i Kuq”, u shpreh Bode.

Fjala e plotë

Gjatë seancës së 30 shtatorit, që ishte seanca e parë pas javës jeshile në zbatim të rregullores së re të kuvendit, duke qenë se ishte e freskët ngjarja e tërmetit të dates 21 shtator, me të drejtë, kolegët deputetë përfaqësues të zonave të prekura, kryesisht Durrës, Tiranë, Elbasan, morën fjalën këtu e raportuan mbi problemtikat, shqetësimet apo edhe masat e marra për përballimin e situates.

Siç të gjithë e dime, një tërmet i mëparshëm, më 1 qershor, preku Qarkun e Korçës e solli dëme të konsiderueshme, fatmirësisht vetëm materiale, kryesisht në 3 fshatra të bashkive Korçë, Ersekë e Devoll.
Vidohova është një fshat me rreth 500 banorë, 150 shtëpi, në juglindje të vendit tone, kufitar me shtetin grek, në bashkinë e Devollit. Është një nga 3 fshatrat e dëmtuar më së shumti nga termeti i 1 qershorit.
Terren i thyer malor, fshat i ndarë në tre lagje me vështirësi komunikimi me njëra¬-tjetrën për shkak të terrenit, por dhe me fshatin më të afërt të madh, qendër njësie, për shkak të 4-5 kilometrave rrugë shumë të keqe e të pamirëmbajtur deri në atë kohë.

Tërmeti ishte padyshim një ngjarje dramatike për banorët e zonës. Frika dhe paniku që shkaktoi goditja fillestare me intensitet të lartë, u shoqërua me ankth e pasiguri pasi toka vazhdoi të lëkundej për ditë me rradhë nga një numër shumë i madh goditjesh të tjera më të vogla.

Jam këtu për të dëshmuar që menjëherë pas rënies së termetit, stukturat e Emergjencave Civile te Prefektures Korçë, Bashkise Devoll, si dhe forca të ushtrisë, të koordinuara nga Prefekti i Qarkut, u gjendën në Vidohovë, për të menaxhuar situaten e krijuar. Banorët e shtëpive në rrezik shembjeje u strehuan në çadra të emergjencave civile, iu sigurua atyre ushqimi në një mensë të ngritur nga Bashkia e Devollit e të furnizuar me ushqime nga institucione joqeveritare si Myftinia e Korçës apo Kryqi i Kuq.

Pati prani të shtuar të përfaqësuesve nga institucionet, qendrore dhe vendore, kryesisht arsimore dhe shëndetësore me psikologe të dërguar nga ZA vendore dhe një çadër/qendër shëndetësore e përkohëshme shtesë, në atë lagje që e kishte më larg ambulancën e fshatit.
Një nga autoambulancat e Spitalit te Bilishtit, e pajisur dhe me personel shëndetësor, mjek dhe infermier, gjatë dy javëve të para pas tërmetit, shkoi çdo ditë në Vidohovë e qëndroi aty në gatishmëri, duke shërbyer, në fakt, në jo pak raste ku të sëmurët patën nevojë të transportohen në spital.

Zv. Ministri i Mbrojtjes, Z. Petro Koçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Z. Haki Çako vizituan Vidohovën disa ditë pas tërmetit, morën kontakt me banorët dhe konstatuan personalisht situatën dhe masat e marra.
U bë konstatimi paraprak dhe më pas vlerësimi real i dëmeve nga komisioni me specialistë i ngritur sipas ligjit.

Termeti i 1 qershorit në gjithë territorin e Bashkinsë Devoll bëri totalisht të pabanueshme 11 shtëpi, dëmtoi rëndë 29 dhe shkaktoi dëmtime më të lehta në 95 të tjera.

Në kohën e duhur, Bashkia Devoll bëri ndërhyrje të rëndësishme për riparimin e urës dhe rehabilitimin e rrugës që lidh Vidohovën me qendrën e njësisë Miras.

4 sipermarrje private, duke treguar solidaritet te admirueshem, morën përsipër ndërtimin e shtëpive të reja, kanë filluar punën e një pjesë janë tashmë drejt përfundimit. Janë rikonstruktuar 21 nga 29 shtëpitë e dëmtuara rëndë dhe për 8 të tjerat puna mbyllet në fund të muajit. Do të dëmshpërblehen sipas VKM 329 per emergjencat civile familjet me dëmtime të lehta të shtëpive të tyre, sipas dosjeve të përgatitura tashmë nga emergjencat civile të bashkisë.

Ka ankesa nga disa banore per vleresim të gabuar nga ana e komisionit te vleresimit. Kryetari i Bashkise ka marrë vendim për ngritjen e një komisioni rivlerësimi. Duke djekur rast pas rasti pretendimet e banorëve e duke patur në dispozicion informacionin nga Institutit i Ndërtimit, specialistët e të cilit ishin në terren dhe vlerësuan nga afër me profesionalizëm çdo dëmtim, jam e bindur që do të adresohen në mënyren e duhur edhe të gjitha këto ankesa.

Mund të them që ajo që ka ndodhur e po ndodh ende në Vidohovë, është një shembull shumë i mire i funksionimit dhe bashkërendimit të institucioneve shtetërore, si qendrore edhe vendore, por në mënyrë të veçantë i solidaritetit njerëzor, i Shqipërisë solidale.

Është një vlerë që duhet vazhdimisht ta promovojmë sepse vetëm së bashku ia dalim.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje