Pas zhurmës që ka filluar të bëjë Fevzo nëpër ekrane për librin autobiografik rreth familjes së tij, Jari u shqetësua shumë pasi mori një letër nga Libohova, në të cilën populli i Libohovës i drejtohej atij, si të vetmit president që kanë nxjerrë, për të vënë në vend këtë padrejtësi historike:
“I dashur Jari!
Po të drejtohemi ty, pasi je i vetmi personalitet i lartë që ka nxjerrë Libohova, që është gjallë dhe që nuk rrezikohet nga ndonjë atentat.
Dëgjuam që Fevzo në librin e tij të fundit, na ka vjedhur një vrasje.
Bile na ka vjedhur vrasjen më të rëndësishme të shekullit të kaluar për Shqipërinë, vrasjen që e bëri Libohovën të njohur në gjithë botën për vrasje.
Ai ka marrë vrasjen tonë dhe ja ka kaluar gjyshit të dajës së mamasë, që e quan dhe stërgjysh të tij, ose një nga tetë gjyshat që ka.
Vjedhja e vrasjes sonë, është një goditje pas shpine që i bëhet Libohovës, nën qeverinë e Edi Ramës.
Është një nga gjëmat më të mëdha që na ka bërë kjo qeveri, duke nxitur njerëz si Fevzo ta bëjnë këtë gjë.
Na vodhën pyjet këta të LSI, por e mbajtëm veten.
Na vodhi rimbursimet e blegtorisë kjo e AZHBR, por e mbajtëm veten.
Na ropën këta të hipotekave, duke mos na rregjistruar shtëpitë, por po durojmë.
Por të na vjedhin dhe vrasjen, kjo është një gjë e padëgjuar.
Në këtë rast, hajduti ka lënë gjurmë, pasi mallin e vjedhur, pra vrasjen tonë, ja ka kaluar si pronë gjyshit të dajës së nënës, dhe kjo është bërë sheshit fare.
Kjo qeveri u ka hequr cipën hajdutëve dhe dalin mburren në televizore për vjedhjet.
Ai ka tre ditë që del TV më TV dhe mburret që na ka vjedhur vrasjen e Esat Pashë Toptanit.
Të drejtohemi ty të vësh në vend këtë padrejtësi.
Dhe e bëjmë këtë me bindje të plotë, se ty të kanë dalë plot llafe, të mira e të këqija, të kanë pas thënë i paditur, të kanë pas thënë ushtar i bindur, të kanë pas thënë naiv apo ndonjëri dhe budalla, të kanë akuzuar se mund të kesh vjedhur dhe ndonjë tokë, por asnjë nuk të ka akuzuar se ke vjedhur vrasje.
Dhe kjo tregon integritet të lartë, që të jesh afër Saliut, ku vrasjet janë sheshit e të mos kesh dorë në asnjë vjedhje, vrasjesh.
Ndaj nuk duhet ta lejosh këtë turp.
Ai duhet të kthejë një orë e më parë vrasjen në vend të vet, ndryshe na ka borxh, një vrasje të madhe brenda fisit të tij.
Dhe me sa dimë ne, në atë fis ai ka ngel më i rëndësishmi dhe mund ta paguajë me kokë, se ne vrasim më të mirin e fisit, sipas rregullave.
Me respekt dhe padurim, në pritje të përgjigjes.
Populli i Libohovës!”