Bylisi nuk ia del të surprizojë Kukësin në “Elbasan Arena”, ku verilindorët fituan me rezultatin 2-1, për t’u ngjitur në vendin e dytë me 21 pikë, një më pak se Partizani, që mbyll javën e 13-të me sfidën ndaj Laçit.
Skuadra ballshiote, edhe pse u kthye pa pikë nga kjo transfertë, u përball si e barabartë me formacionin e Duros e nëse do të barazonte, nuk do të vidhte asgjë.
Kristal Abazaj shënoi golin e parë të këtij takimi në minutën e 21-të, me një goditje të befasishme, pas një asisti perfekt të Musollit, me të jashtmen.
Bylisi nuk u demoralizua pas pësimit të golit, përkundrazi e rriti presionin dhe pak para se të mbyllej pjesa e parë barazoi me meritë me Guindo, që goditi bukur me kokë pasi u shërbye nga Murataj.
Cilësia e lojtarëve të Kukësit doli në pah në minutën e 73-të, ku pas një kombinimi të bukur mes Abazajt, Shkurtajt dhe Rrocës, ky i fundit e detyroi Hidin ta nxirrte për herë të dytë topin nga rrjeta. Nuk ndryshoi asgjë në minutat e mbetura, madje skuadra verilindore mund ta kishte thelluar rezultatin, nëse Abazaj do të tregohej më i saktë në kundërsulm.
Nuk nxori fitues sfida e Vlorës mes Flamurtarit dhe Luftëtarit, që përfundoi me rezultatin 1-1.
Në fakt, bluzinjtë flirtuan me fitoren, madje mund të thuhet se humbën 2 pikë në këtë transfertë, pasi goli që solli baraspeshën në shifra u shënua në kohën shtesë nga Nikaj, që pak para se të mbyllej takimi u ndëshkua me karton të kuq.
Rezultati përfundimtar i kësaj përballjeje nuk kënaqi asnjë palë, pasi barazimi nuk ndryshon asgjë në renditje.
Me “vuajtje”=me veshtiresi