Ra ky tërmet e u pamë!

26 Nëntor 2019, 20:54Politika TEMA

Nga Alfred Peza

U desh që në territorin e Shqipërisë të regjistrohej një nga tërmetet më të frikshme e shkatërritmare të dekadave të fundit, për ta detyruar politikën shqiptare që të zbatonte një kod kalorsiak, i cili na ka munguar prej sa nuk mbahet mend.

Në 24 orët e para të tragjedisë, si shefi i qeverisë ashtu edhe ai i opozitës, si kryetarët e partive të tjera të “Opozitës së Bashkuar”, ashtu edhe Presidenti i Republikës, ishin në terren me qytetarët dhe për qytetarët. Ishin atje ku duhej; në Durrës e Thumanë. Ishin në dy qendrat urbane më të goditura nga bilanci i zi i humbjes së jetëve njerëzore dhe dëmeve materiale. Jo për të bërë “politikë për politikë”. Jo për të bërë poza. Propogandë. Për të mbajtur qëndrime. Për të recituar fjalime. Apo për të hedhur e pritur, akuza e kundërakuza, mes njëri tjetrit.

Si në banesat e shembura ku kërkohej e vazhdohet që të kërkohet për të mbijetuar. Në spitale ku po kurohen e shërohen plagët e tragjedisë. Në media. Në rrjetet sociale. Në takimet me qytetarët e traumatizuar nga “goditja e pabesë e natyrës”, klasa politike shqiptare si në të rrallat momente të historisë së postkomunzimit shqiptar, ka ditur deri tani, që të ngrihet në lartësinë e dinjitetit dhe përgjegjësisë së një momenti solidariteti të paprecedentë njerëzor.

Nuk qe elita politike e Tiranës, ajo që gjeti fuqinë dhe pati koshiencën për tu ngritur vetë në këtë lartësi. Por ajo diti këtë radhë, që të harmonizohej dhe sinkronizohej me solidaritetin e çdo shqiptari. Në Shqipëri. Në Kosovë. Në Ballkan. Në Europë. Në anën tjetër të oqeanit. E kudo ku ka shqiptarë rreth e rrotull globit.

E po ti shtosh kësaj, edhe solidaritetin e aleatëve, partnerëve, fqinjëve tanë dhe lidershipit të politikës ndërkombëtare të botës demokratike e të qytetëruar, atëherë beson se edhe lidershipi i politikës shqiptare ia doli të kuptojë se jeta është shumë e shkurtër. Shumë më e shtrenjtë, sesa e mendojnë apo as që e mendojmë fare përgjatë përditshmërisë rutinore, së përpara tragjedisë që na tundi e shkundi të gjithëve.

Pas kësaj kuptuam se “ra ky tërmet dhe ne u pamë” me njëri- tjetrin, jo vetëm si të vdekshëm. Por edhe si njerëz normalë. Jo vetëm si ata që kujtohen për komshiun pasi panë vdekjen me sy dhe e takojnë me batanije në kurriz, në 4 të mëngjesit në oborrin e pallatit apo rrugicën e lagjes. Por, mbi të gjitha si shqiptarë.

Goditja e pabesë e natyrës dhe shenja që na dha Zoti, duhet ta bëjnë elitën tonë që të kuptojë se jo vetëm këto 24 orë, por se ka vend për njerëzillëkun edhe brenda politikës. Ka jetë edhe përtej cic mic-eve dhe banaliteteve të përditshme. E mbi të gjitha, se vetë jeta ka gjëra shumë më të shenjta e të shtrenjta, sesa vetëm ëndrrat me karrike e pushtet; me çdo çmim, me çdo mjet, e me çdo kusht.

Lëkundjet e frikshme të tërmetit, për pak sa nuk shkaktuan një katastrofë. Duke na dhënë me ketë rast jo vetëm një mësim, por edhe një mundësi të re e të madhe, për reflektim të thellë. Një shans të ri për të kuptuar se ato që na bashkojnë, janë shumë herë më të shtrenjta, sesa ato që na ndajnë nëpërmjet politikës.

“Tragjedia e jetës,- thoshte Benxhamin Franklin,- është se ne plakemi shpejt dhe bëhemi të urtë shumë vonë”. Edhe solidariteti i klasës sonë politike pas tërmetit shkatërrimtar, ishte një akt i vonuar. Por, edhe ky rast vërtetoi se kurrë nuk është vonë, për të bërë gjëra të mira!

12 komente në “Ra ky tërmet e u pamë!”

  1. I pagabueshmi says:

    Shkrim teper i vlefshem ne kontekst!

  2. Enver says:

    Por ama ky shkrim nuk duhet te zbus luften ndaj krimit dhe korrupsioni apo vjedhjes nga ish qeveritare apo qeveritare te majte te djathte te cdo ngjyre qofshin.

    1. Grusht bashkuar ne emigracion says:

      Nga fitorja ne fitore, ta thellojme luften e klasave: klasa a pasanikeve (Meta, Birisha) dhe … bota.

  3. emigranti says:

    Mendoj se duhet marre ne konsiderate ky nosterdam i ri,..

    1. Bureto says:

      Hej emigrant! Mos deshe të thoshje Nostradamus…apo ke patur në mendje Nastradin efendinë?.
      Por edhe aq sa e ke shkruar ‘Nostradamusi’, nuk ka lidhje me shkrimin. Dyshoj se nuk e di fare se ç’përfaqëson ai. Mëso djalo, lexo plako, në vend që të harxhosh kohën me budallallëqe.

    2. Bureto says:

      Emigrant o derman! Mos ke dashur të thuash Nastradin, sepse ai që ke shkruar ti nuk ekziston, Nostradamus-i po!

  4. Tana says:

    Kjo fjale e urte popullore eshte nje “kamzhik” per Ramen dhe pushtetin e tij diktatorial!
    Populli ka nevoje te respektohet dhe te degjohet per dite nga cdo rrogtar i pushtetit vendor e qendror,e jo t’i thuhet ,qe te ankohet tek portali kryeministror mashtrues!
    Populli ka miliona halle ne dite,nga padrejtesite e rrogtareve dhe te gjithe eproret e tyre duhet te presin qytetaret pa asnje kohe te kufizuar!
    Ne se rrogtaret e bashkise e shtetit do ta dine se po bene padrejtesi dhe qytetari ankohet tek eprori i tij,qe do ta ndeshkoje ate sipas shkalles se fsjit,me siguri qe do mendohet mire here tjeter!
    Keshtu do pakesohen padrejtesite dhe ankesat dhe popullit do t’i sherbehet me mire!
    Kjo eshte bashkeqeverisja reale e jo ajo mashtruese qe ben Rama per reklame !

  5. Hena says:

    Q
    Per qytetaret e varfer “termet” bie per dite kur perplaset me zyrtaret e pushtetit qe u bejne padrejtesi,i zvarrisin dhe ne fund u tregojne deren e gjykates!
    Kur votojme na pergjerohen keta matrapaze duke na mburrur se gjoja jemi
    sovrani ,ndersa ata, sherbetoret tane!
    Por sa marrin postin na trajtojne si skllever!
    Dhe kjo poshtersi fillon nga kryeministri qe ankesave te popullit jo vetem nuk kerkon te respektohen,por as vete nuk pyet per ato!
    Jetojme ne nje shtet korruptiv,qe sundohet nga PUSHTUES e jo shqiptare!
    Edhe keto shfaqje mashtruese nuk behen se u hap barku per hallet e popullit,por se ju duhen foto e vidio per reklame mediatike,qe bota te shohe se sa njerezore e kemi kryeministrin!
    Nga pamjet televizive dhohim se shteti nuk ia ka idene se cfare masash duhen marre para prakisht per raste te tilla!
    Kudo pame rremuje,veprime amatore,mungese te theksuar te organizimit ,mungeses se mjeteve dhe profesionisteve te pergatitur per kerkimin dhe shpetimin e njerezve!
    Shembull ishin mjetet dhe punonjesit e Kosoves!
    Per raste termetesh duhen mbajtur ne gatishmeri mjete dhe njerez te pergatitur e jo puntore krahu!
    Organizimi i shtetit ishte per turp!

  6. Orli says:

    Z.Peza! Mos mendo se ky shkrimi jot do te zbusi hajdutin meta,ai eshte gjalle dhe mendon dite e nate burgun,konfiskimin e pasurise se vjedhur.Ai ka menduar dhe vdekjen me vetvrasje por edhe si hero dhe per mendimin tim do te ishte i lumtur sikur te shkonte per lesh por pasuria ti mbetej femijve.Problemi eshte se ai eshte gjalle dhe ne vend qe te jete perfaqesuesi i unitetit te te gjithve,eshte bere zjarrvensi i unitetit te popullit dhe nje klloun ne mbrojtje te pasurise se tij te vjedhur.

  7. Loni says:

    Amon vetem ky mos flasi…..foli dhe per ligjin kck….ky duhet hetuar I pari…

  8. 3030 says:

    Ngushellime te gjithe atyre qe pesuan humbje ne kete tragjedi qe nuk varet nga njeriu. Desha te theksoj qe natyra nuk eshte kurre e pabese, politika po. Natyra ka qene para nesh do jete dhe pas nesh, ka ligjet e saj dhe nuk mendon per ne. Ne duhet ti njohim dhe te veprojme ne perputjhe me to dhe jo kunder tyre. Si 62 vite ne Durres nuk kam perjetuar nje gjendje te tille frike, dhimbje dhe trishtimi. Uroj ta kalojme, me perkujdesje ndaj njeri tjetri jo me deklarata.

  9. Dash says:

    “3030”..shume sakte, natura ka ligjet e saj, jemi ne qe duhet te pregatitemi per cdo rast pa perdhunuar natyren

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje