Flet inxhinieri: A po dëmtohen pallatet nga lëkundjet që vijojnë?

28 Nëntor 2019, 16:23Sociale TEMA

Nga Entela Resuli

Tërmeti i mëngjesit të së martës ka ndryshuar rutinën e ditës në vendin tonë.

Njerëzit janë të frikësuar, pasi qindra tërmete vazhdojnë të bien qysh prej atij momenti.

Kemi jetë të humbura. Banesa të shkatërruara. Afro 30 persona kanë humbur jetëN dhe mbi 600 persona kanë marrë plagë nga këto tronditje.

Qyteza e Thumanës në rrethin e Krujës tashmë i ngjan një vendi ku ka rënë bomba.

Të njëjtën pamje ka edhe zona e ish-kënetës në qytetin e Durrësit ku dhjetëra banesa janë të shkatërruara dhe me qindra njerëz tashmë jetojnë në çadra pranë stadiumit “Niko Dovana” të këtij qyteti.

Shembje ndërtesash dhe jetë të humbura ka patur edhe në Golem, zonë në të cilën po vazhdohet ende të kërkohet për trupa të mbetur nën rrënoja.

Ky trekëndësh tashmë është kthyer në një varrezë të madhe që ka thithur nën tokë fëmijë, burra, gra dhe të moshuar.

Tërmeti i këtij Nëntori ka për të mbetur në histori si një ndër situatat më të vështira që ka kaluar vendi ynë.

Pavarësisht se jemi ende në momente emergjente, duhet të jemi të ftohtë dhe të kuptojmë sa mund t’i përballojmë këto fatkeqësi natyrore dhe si mund t’i shmangemi atyre.

A kemi ndërtuar në vende të gabuara? A kemi respektuar rregullat e ndërtimit? E kemi nga padija dhe mendojmë se e kemi ne gjithçka në dorë? Po shteti, cili është rolI i tij dhe pse nuk i ka detyruar këta njerëz që të ndërtojnë me standardet dhe kushtet që kërkohen?!

Dita sjell një bisedë me inxhinierin gjeolog Sokol Markun, mbi tërmetet, tokën dhe ndërtimet.

-Z. Marku, a mund të thuhet se Shqipëria po bëhet epiqendër e tërmeteve, ku më i forti ishte 6.4 ballë?

Është e gabuar të thuhet se Shqipëria po bëhet epiqendër tërmetesh. Një pyetje e tillë nënkupton se vendi ynë asnjëherë deri më sot nuk ka njohur evente sizmike të këtij lloji dhe papritmas këto ditë po përfshihet nga kataklizma.

Në të vërtetë trualli ynë bën pjesë në brezin Alpin, i cili nisi të krijohej miliona vjet më parë, atëherë kur një super kontinent i quajtur Pangjea, u shkëput në disa copa duke krijuar dy Amerikat, Australinë, Afrikën dhe kjo e fundit “lundroi” drejt veriut të globit ku hasi një pllakë në krijim e sipër që ne e quajmë Laurasia, e nga përplasja u ngrit gjithë brezi i maleve të larta që fillon me Pirenejtë, e mbyllet me çatinë e botës, Himalajen, e ku përfshihen edhe malet tona.

Pra, trualli ynë është krijuar e vazhdon të zhvillohet nën përplasje pllakash e për rrjedhojë eventesh sizmike.

-Është fenomen normal ajo çka po ndodh me tokën që po shkaktohen kaq shumë tërmete?

Ne njerëzit i shohim tërmetet si diçka shkatërruese, sepse për jetën tonë të tilla janë. Në qoftë se do e shohim çështjen nga këndvështrimi i shtresave të tokës, do i kuptonim gjërat krejt ndryshe. Toka shndërrohet e rinovohet nëpërmjet lëvizjes së pllakave të cilat futen nën e mbi njëra – tjetrën, në atë formë që do i ngjante përqafimit apo dashurisë njerëzore.

Pra me tokën në të vërtetë ndodh një akt dashurie, i cili si dhe tek njerëzit shoqërohet me çlirim energjie të jashtëzakonshme, me shfryrje, dridhje e gjithfarë emocionesh. E di se kjo formë e të shpjeguarit të fenomenit sizmik nuk është akademike, por është mjaft e saktë dhe e kuptueshme nga të gjithë. Fillon me përkëdheljet ngacmuese, paragoditjet, kap kulmin me goditjen qëndrore që do e quaja një orgazmë e shtresave të tokës e pastaj vazhdon me përkëdhelje derisa shtresat bien në gjumë të kënaqura për të rinisur po këtë lojë pas 10, 20, 30 apo 100 vjetësh.

– Përse tërmetet janë përqendruar vetëm në zonën e Durrësit dhe bregdetin përreth?

Në këtë moment, aktiviteti sizmik po zhvillohet në një zonë që kap një trekëndësh mes Kepit të Rodonit, Thumanës dhe Durrësit. Por nuk duhet harruar se vetëm vitet e fundit kanë ndodhur lëkundje sizmike me epiqendra në Elbasan, Gjoricë (Peshkopi), Fier, Bulqizë, Korçë e deri në Himarë.

Shqipëria është klasifikuar si një vend me aktivitet sizmik të moderuar, çka do të thotë se trualli ynë kalon periudha me një sizmicitet normal, ku lëkundjet megjithëse të përditshme nuk ndjehen nga popullata dhe herë pas here, në një periodicitet të caktuar ndodhin lëkundje të këtij lloji apo si ato të 21 Shtatorit të cilat ndjehen, e fatkeqësisht përveç frikës e panikut, shkaktojnë dëme materiale dhe çfarë është më e rënda dëme në jetë njerëzish, e vetmja humbje e parikuperueshme në këtë botë.

Tërmete në Shqipëri zhvillohen sipas disa linjave sizmike, katër nga të cilat janë më kryesoret, Linja gjatësore Adriatiko-Joniane, Linja tërthore Vlorë-Elbasan-Dibër-Shkup, Linja gjatësore Korçë-Dibër dhe linja tërthore Shkodër-Pejë. Këto linja gërshetohen në formën e diezisit (#) dhe në to gjenerohen pjesa dërrmuese e tërmeteve të vendit.

Sikurse thashë, tërmetet kanë një periodicitet, i cili është përcaktuar duke studiuar kohën e ngjarjeve sizmike të cilat për Shqipërinë njihen që në vitin 68 P.K. Durrësi ka qenë “viktimë” e disa tërmeteve shkatërruese gjatë historisë, më e fundit me këto përmasa në 11 dhjetor 1926, ku si thuhet nga kronikat e kohës shkaktoi dëme të konsiderueshme në këtë qytet.

Këtu, në gjirin e Lalëzit, atë të Drinit e deri në Malin e Zi tërmetet janë në përgjithësi të shkaktuara nga futja e mikropllakës së Adrias në orogjenin shqiptar, i cili është një tërësi zonash tektonike që kanë hipur mbi njëra – tjetrën në drejtimin nga lindja në perëndim, në linjën Adriatiko-Joniane.

Pra jemi në të njëjtën situatë me përplasjen e disa makinave në autostradë ku dy të parat kanë qenë në krah të kundërt me njëra-tjetrën.

-Banesat e dëmtuara janë në një zonë kënetore, a është e këshillueshme që të ndërtohet aty?

Banesat e shkatërruara, me sa kam marrë informacion, janë në ish-kënetën e Durrësit dhe në Thumanë, edhe kjo me një historik ish-kënete. E gjithë Ultësira Perëndimore shqiptare është një zonë që përgjithësisht doli mbi ujë 600 vitet e fundit, pak a shumë menjëherë pas pushtimit otoman të vendit, madje mjaft sipërfaqe u kthyen në toka të qëndrueshme vetëm nga bonifikimet e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Parimisht nuk ka asnjë truall kategorikisht të ndaluar për ndërtim, por në çdo truall duhet të ndërtohet duke mbajtur parasysh rregulla e masa teknike rigorozisht të përcaktuara. Zonat kënetore dhe ato bregdetare përbëhen nga sedimente të pakonsoliduara. Të paktën deri në thellësinë 200 metra këto janë sedimente mjaft të reja që i përkasin Kuaternarit, me një moshë jo më të vjetër se 2.5 milionë vjet, që e krahasuar me moshën prej 4-6 miliardë vjet të tokës janë ende embrione. Madje studime të miat tregojnë se duke nisur nga lartësia topografike 10 metra e duke shkuar drejt perendimit në bregun e detit, trashësia deri 100 metra nuk ka moshë më të madhe se 20 mijë vjet. Pra jemi në shtresa me një konsolidim mjaft të ulët.

Këto shtresa duke qenë në kontakt me ujin e detit dhe lumenjve e përrenjve që rrjedhin në ultësirë, e duke qenë të ndërtuara nga ndërthurje shtresash rëre të përmasave të ndryshme kokrrizash, argjilash e alevrolitesh, janë të rrezikuara nga fenomeni i njohur i lëngëzimit të rërës. Çfarë është ky fenomen. Kur kemi një shtresë ranore nën tokë, ajo ka aftësi të mbajë ujë dhe ajër në hapësirat mes kokrrizave dhe ta zemë se me gjithë ujin dhe ajrin shtresa është e trashë 1 metër. Gjatë lëkundjeve, uji dhe ajri shkojnë në pjesën e sipërme të shtresës, kurse rëra poshtë. Në gjithë vëllimin rëra është caktuar se zë vetëm 30% të totalit (30 cm) dhe kështu do krijohet një boshllëk prej 70% (70 cm) e mbushur me ajër e me ujë. Atëherë çdo peshë mbi këtë shtresë do fundoset.

-Banorët shpesh janë të painformuar, po shteti a duhet t’i ndalonte ndërtimet në këtë zonë?

E vërtetë, nuk ishin të informuar, por kjo nuk i shpëton nga faji. Në ligjet njerëzore dhe në zakonet shqiptare kur duam të përfitojmë nga një e mirë duhet të pyesim më parë e të marrim leje. Por në përgjithësi tokat në Shqipëri i zaptuan në parimin “tok e zanun”.

Megjithatë ishte dhe faj i shtetit, i cili nuk arriti të ngrihej në nivelin që kërkohej, për të kontrolluar territorin. Fatkeqësisht në Shqipëri roli i shtetit, në vend që të ishte e një organizimi të themeluar prej qytetarit për të ndihmuar qytetarin, është parë si një grupim individësh, të cilëve u kemi patur borxh t’u bindemi dhe se ndihma ishte një lëmoshë që u jepej qytetarëve, kur këta të fundit ishin të pëlqyeshëm prej shtetit.

Edhe roli i shkencës nuk është përfillur. Asnjë qeveri nuk ka kuptuar ende se vendet e zhvilluara bënë përpara vetëm pasi investuan në shkencë dhe nuk pritën një herë të pasuroheshin e pastaj të investonin në shkencë. Investimi në shkencë është investim në siguri.

Fatkeqësisht edhe gazetarët shqiptarë po dëgjojnë çdo deklaratë të papërgjegjshme të sizmologëve grekë dhe po injorojnë analizën e gjeologëve dhe sizmologëve shqiptarë, që megjithëse të ngjirur nga shqyerja e zërit për këto që priteshin e ndodhën, nuk u lodhën asnjëherë, por megjithatë u shpërfillën.

Jam i sigurt se pas një javë në mos ndodhshin më evente të tilla, gjithçka thamë ne, do harrohet e do zverdhet në letrat e gazetave dhe arkivat e medias elektronike. Ky është turp i madh e i pafalshëm për vendimarrësit, gazetarët dhe popullin shqiptar.

-Zona e Durrësit ka patur shumë ndërtime pas viteve ’90, a është ky qytet një ndër më të rrezikshmit nga tërmetet edhe për mënyrën se si është lejuar të ndërtohet aty?

Durrësi ka rreziqe, por nuk duhet harruar se është porti më i madh i vendit. Në Shqipëri kemi një thënie “pranë detit, pranë mbretit”. Pra është e kuptueshme se megjithë shkatërrimet e herë pas herëshme që nga Epidamusi i lashtë, njerëzit prapë duan të ndërtojnë e jetojnë në Durrës.

Masat teknike në planifikimin urban, studimin dhe zbatimin e projekteve ndërtimore, që duhet të kenë në rrënjë studimin gjeologjik, janë e vetmja zgjidhje. Gjeologjia në këtë rast ka rolin e fjalës në Bibël, “të jetë e para e pa të, të mos bëhet asnjë hap”.

Është njësoj si me makinat, secila prej tyre në varësi të drejtuesit të mjetit të ofron një udhëtim të këndshëm ose kthehet në një bombë vrasëse.

-Cilat janë masat që merren në raste të tilla?

Masat janë: studim me parime shkencore nga gjeologë të përgjegjshëm të truallit të përcaktuar për ndërtim. Por për të testuar ndërgjegjen dhe aftësinë profesionale të secilit specialist të licensuar, një komision kontrollues krijuar nga institucione eksperte si Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, me ligj ky i njohur si këshilltar teknik e shkencor i shtetit në fushën e gjeoshkencave, është i domosdoshëm.

-A mund të quhet tërmeti që ra dy ditë më parë si shkatërrimtar apo banesat tona janë të pasigurta?

Tërmetet me magnitudë mbi 6 Rihter janë me pasoja shkatërruese. Tërmetet më të mëdha që ka njohur vendi ynë sillen mes Magnitudave 6-6.9 Rihter. Në përgjithësi banesat e padëmtuara nga kjo goditje mund të konsiderohen të sigurta dhe besoj se ato mund të përballojnë edhe tërmete më të forta.

Megjithatë e rëndësishme është që të bëhet një inspektim i hollësishëm. Ka ardhur koha të themi “ose sot ose kurrë”. Dhe propozimi im është organizimi i grupeve inspektuese që të kenë në përbërje domosdoshmërisht gjeologë, sizmiologë dhe ndërtues, sepse është tjetër gjë dëmtimi e tjetër gjë shkaku i këtij dëmtimi, i cili mund të jetë nga probleme konstruktive, por mund të ketë ndodhur edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së terrenit mbi të cilin është ndërtuar dhe pa e shmangur këtë, nuk ka siguri.

-Në Tiranë ka shumë pallate të reja, cila është shkalla e goditjes që ato përballojnë?

Me sa kam njohuri, intensiteti sizmik historik i vëzhguar në pjesën e Tiranës ka qenë me VII-VIII ballë, (mos ta ngatërrojmë këtë me shkallën Rihter). Zonimi sizmik i kryeqytetit e klasifikon në detyrimin për të parashikuar ndërtime që të përballojnë intensitet deri IX ballë.

Pra nisur nga intensiteti në epiqendër i tërmetit të datës 26 Nëntor dhe duke supozuar një zbatim të drejtë të detyrave dhe parametrave të ndërtimeve, Tirana i përballon mjaft mirë të tilla lëkundje. Por duhet mbajtur parasysh fakti se këto kode antisizmike janë formuluar pas tërmetit të 15 Prillit 1979, lind nevoja për t’i shqyrtuar ndërtimet më të hershme për të marrë masa përmirësuese dhe duhet mbajtur parasysh mungesa e kontrollit në ndërtime, ndërhyrjet në struktura, fenomene këto të pas vitit 1990, duhet shtrirë kontrolli dhe në ndërtimet dhe rikonstruksionet e kësaj kohe.

Duhet të punohet për rinovim të kodit antisizmik, për t’u përdorur mbase edhe mënyra të tjera përllogaritje, sipas NDSHA (New Deterministic Seismic Hazard Analysis-Metoda e re e analizës deterministike sizmike), e cila në 6-7 vitet e fundit shihet si mundësia më e mirë përllogaritëse pas shkatërrimeve të tërmeteve në Itali e Japoni, ku metodat ishin llogaritur me mënyrën PSHA (Probabilistic Seismic Hazard Analysis-Metoda e analizës probabilistike sizmike).

– Cilat janë këshillat që duhet të kemi parasysh kur bie një tërmet?

Së pari të mos na kapë paniku. Qartësia në mendim e veprim janë parësore. Siguroni fëmijët nën trarët e dyerve apo nën tavolina dhe prisni që tërmeti të pushojë. Dilni jashtë menjëherë pas tërmetit, por mos qëndroni nën godina. Mos merrni makinat për t’i mbajtur rrugët të lira për t’i mundësuar qarkullim të lirshëm ushtrisë, policisë, ambulancave. Mos besoni asnjë lajm n.q.se ai nuk jepet nga organe të specializuara.

– Z. Marku, ndërsa tërmetet vazhdojnë… çfarë ndodh me ndërtesat që janë ende të padëmtuara teksa lëkundje e njëpasnjëshme nuk po ndalen?

Ndërtesat njeriu i ndërton që të qëndrojnë e të jetojnë gjatë, prandaj nuk shoh ndonjë arsye për t’u shqetësuar për sa u përket banorëve në ndërtesat që nuk kanë pësuar dëmtime gjatë këtyre lëkundjeve që filluan prej datës 26 Nëntor.

E kundërta duhet thënë për ndërtesat e dëmtuara. Banorët duhet të qëndrojnë në vendstrehimet e përkohshme të ngritura nga qeveria dhe të bashkëpunojnë me organet shtetërore të cilat besoj menjëherë pas emergjencës së kërkim-shpëtimit do të fillojnë të kryejnë konstatimin e dëmeve dhe më pas vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe klasifikimin e banesave për tu rikonstruktuar apo për t’u shembur. Banorët nuk duhet të hyjnë në këto banesa të dëmtuara pa një vendim të certifikuar nga organet e specializuara.

7 komente në “Flet inxhinieri: A po dëmtohen pallatet nga lëkundjet që vijojnë?”

  1. Qytetar says:

    Faleminderit ! Perçmim per portalet me anal – et partiake.

  2. aleko says:

    Kur u vine ment shqipetareve nuk I hane as qente…keshtu kemi qene gjithmone , nje popull I lehte qe e kalojme me nje ci qi temen”tani ka radhen te paguje per pak me shume mendje…

  3. tepelenasi says:

    Nje shkrim shume shume professional qe u duhet ,ne veçanti institucioneve shteterore e te mos tolerojne, per asnje ndertim ne te ardhmen….Mesova shume, per te mos u besuar portaleve e me keq, ha-nalisteve te trupit, te tipit Andi Bushati etj etj me…doktorrin ne krye.

  4. Toka e zanun says:

    Bravo zoti inxhinier????
    Falenderim per nje analize kaq te sakte…kenaqesi t’Ju lexosh.
    Ka Shqiperia akoma njerez te zote dhe profesioniste! ?

  5. Lili says:

    Shume bukur kur lexoj shkrime te tilla me kaq inteligjence dhe profesonializem
    Bravo inxhinier !

  6. Albani says:

    Bravo inxhiner qe mundohesh te sqaroshe kete milet qe eshte shume veshtire te kuptoje te verteten sepse nuk do tu bindet ligjeve njerzore dhe atyre natyrore.
    Betim Muça nje sismolog i vertete nuk po ja degjojme zerin per mua e pa kuptushme,nje inxhimier shume i talentare dhe me vizion per kete fushe qe sote po vuajne shume njerez deri ne ekstremitet.

  7. Veshi says:

    Intervista eshte me te vertee shkencore ne sherbim te praktikes. Me shume te drejte permendet edhe fakti i nenvleftesimit nga autoriteti burokratik e teknokratik ii mediave i kapacitetit dhe pervojes shumevjecare te mendimit shkencor dhe teknik te Shqiptareve; nenvleftesim me rrenje qe nga e shkuara historike kontradiktore dhe shume prepotente. Ketu dua te theksoj formalizmin teknokratik te nocionit vije sizmogjene Shkoder-Peje qe eshte bere ndarje e rreme sikur deri ne kete vije shtrihen Helenidet, qe artificialisht eshte, per te maskuar sjellljen burokratike e pompoze ne shkence, pershtatur me termin Albanide Juugor. Termi i vijes artificiale Shkoder-Peje dhe ndarja ne Albanide Jugor dhe Verior, ndodhi pasi nga nje studius praktik i ketij segmenti tektonik u arguementua me artikull ne Buletinin Shkencor te Universitetit (1971) qe kjo vije eshte e sajuar ne imagjinaten e teknokrateve qe nuk e kane shkelur dhe studjjuar marredheniet kufitare te Zonave midis Mirdites dhe zones Tektonike Kraste-Cukal. Ky ndikim burokratik vazhdon te qendroje dhe te ndikoje peruljen tone zyrtare si te manget. Fatkeqesi! Perulje fatale!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje