Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë në një njoftim për shtyp shprehet se ka konstatuar që pavarësisht forcës së tërmetit me magnitudë prej 6.3 të shkallës Rihter dhe forcë afro 8 ballë në qytetin e Durrësit, siguria e ndërtimeve të pas viteve ‘90 u vu në një provë të rëndësishme.
Për shoqatën, thuajse plotësisht, qëndrueshmëria e strukturave të këtyre ndërtimeve ka mundur të mbajë këtë forcë shkatërrimtare të natyrës.
Në asnjë rast, citon shoqata, strukturat bazike të ndërtimeve nuk janë kolapsuar nga forca e madhe e tërmetit të mëngjesit të 26 nëntorit. “
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë konstaton gjithashtu se dëmet në ndërtimet e reja janë shkaktuar kryesisht në muret e brendshme dhe në rifiniturat plotësuese, por në asnjë rast në strukturën qëndrore të objekteve.
Në këtë situatë, shoqata sugjeron se është domosdoshmëri hartimi i normave teknike, që aktualisht mungojnë për këto procese në kushtet e veprimeve sizmike mbi strukturat skelet.
Normativat ne fuqi, vëren shoqata, nuk trajtojnë në formë koherente mbrojtjen e rifiniturave nga veprimi sizmik.
Sipas saj, eksperienca europiane nëpërmjet Eurokodeve duhet të përqafohet sa më shpejt nga legjislacioni shqiptar. Gjithashtu është nevojë imediate, thotë shoqata, të plotësohet legjislacioni si dhe të organizohen struktura të posaçme shtetërore për kontrollin e punimeve që nga faza e marrjes së lejes e deri në vënien në shfrytëzim të objektit, gjë që për investimet private praktikisht mungon.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë shprehet e gatshme që, së bashku me qeverinë dhe parlamentin, të ofrojë asistencën e saj për ndryshimet e mundshme ligjore për të patur akoma dhe më shumë ndërtime cilësore dhe sa më të sigurta.
Shume drejt sepse po krijohet nje stuhi artificiale kunder inxhiniereve te cilet me te vertete jane treguar te zote dhe projektet e tyre kane qene brenda normave. Ne televizione ftohen njerez qe nuk e kane haberin nga ndertimet dhe flasin me terma urrejtjeje. Cdo faj tek ne e ka pushteti i cili lejon te firojne hilera dhe babezi, tejkalim katesh nga 2 ne 5, apo nga 6 ne 12, bilé edhe kur jane hedhur ne gjyq gjykata ka legalizuar shkeljen, apo hipotekat qe i kane legalizuar ne kundershtim me projektet. Mu te Shkembi Kavajes para dy vitesh po festonin pronaret sepse u kishte dale hipoteka, pavaresisht se nga 6 kate, pallati kishte shkuar 11 kate. Jane dhene leje aty ku nuk duhet te ndertohet etj. Ketu eshte nje zinxhir e tere qe duhet ribere nga fillimi. Kam frike se shembull do behet si gjithnje i dobeti dhe i pambrojturi. Nuk kane pse te vine ta bejne te huajt, por thjesht te kthehemi ne rregullat e para viteve 90 dhe te rihapen institutet e ndertimit dhe ai i sizmiologjise te mbyllura çuditshem.