“Pallatet ku pati humbje jete, janë skena krimi”, Lleshaj: Ajo që s'do të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt

3 Dhjetor 2019, 13:50Kronika TEMA

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka inspektuar sot disa objekte që do të shëmben në Durrës, pasi janë shpallur të pabanueshëm pas tërmetit të 26 nëtorit.

Në një deklaratë  për median Lleshaj tha se te gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi dhe jane konsideruar nga policia si te tilla.

Më tej ai paralajmëroi se “Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera”.

Prononcimi i Lleshajt: 

Pyetje: Policia do të marrë tashmë të gjitha provat si për godinat që janë shembur, por edhe ato që janë në plan për t’u shembur?

Ministri Lleshaj: Sigurisht, këto ditë ne kemi parë vetëm atë pjesën më tragjike të asaj që ka ndodhur, varrimin e shumë njerëzve që humbën jetën. Kjo që po shohim tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë. Tani thjesht po bëhet transporti i tyre drejt vendeve të grumbullimit të mbetjeve.

Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera.

Që ditën e parë pavarësisht se publiku ka parë forcat e ndërhyrjes që kanë bërë punën për evakuimin e njerëzve, për shpëtimin e njerëzve, paralel me këta kanë punuar edhe strukturat e tjera të Policisë, të cilat nuk janë edhe aq shumë të dukshme ndoshta nga pikëpamja e uniformave, kanë punuar për të evidentuar gjithçka që lidhet me veprimtari të mundshme kriminale.

Të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar.

Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë.

Pra gjithçka është bërë me një skrupolozitet të paqortueshëm dhe sot për çdo godinë që është rrëzuar përfundimisht, provat janë të administruara sipas procesit përkatës procedural ligjor.

Ndërkohë që një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të na japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur, sepse kemi diferenca.

Kemi raste kur dy pallate janë ngjitur dhe një pallat është shembur dhe tjetri jo, pra një përgjigje duhet kërkuar përse është shembur ky dhe jo ky tjetri.

E para, gjëja kryesore që ka të bëjë me fiksimin dhe administrimin e provave është bërë. Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia, çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale.

Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive dhe kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin.

Pra janë këto 3 grupe, të cilat do të hetohen me rigorozitet maksimal.

Sot Kryeministri e përmendi edhe në takimin e mëngjesit të Qeverisë që kjo punë duhet të ndodhë shpejt dhe me seriozitetin më të lartë.
Dhe pikërisht për këtë jam këtu, bashkë me një ekip të Policisë së Shtetit në mënyrë që ky shqetësim publik të marrë përgjigje sa më parë.

Edhe njëherë theksoj se askush nuk vë gishtin në një pallat, pa u marrë të gjitha provat, fotot, materialet e gjithçka.

Gjithçka është marrë dhe do të merret deri në fund.

Aktualisht jemi të përqendruar te banesat kolektive dhe pastaj në fazën tjetër do të shkojmë në banesat individuale. Por sidomos kolektivet janë prioriteti absolut i momentit.

4 komente në ““Pallatet ku pati humbje jete, janë skena krimi”, Lleshaj: Ajo që s’do të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt”

  1. Goni says:

    Ashtu. Te zbatohet ligji dhe gjithekush te mari pergjegjsine qe I takon.

  2. Flamur says:

    Pse ato ku ju kanë rënë muret, tullat dhe suvaja njerëzve e i ka plagosur, nuk janë skena krimi? Ke mbi 900 të plagosur, që kur plagosja nuknqënka krim o ministër Leshi?

  3. ceni boston says:

    Pergjegjesia eshte e shtetit ne rradhe te pare qe nuk ka kerkuar zbatimin e kushteve te ndertimit te cilat kane ekzistuar por drejtuesit kane vrapuar mbas 20% , qe nga Rama e deri tek te tjeret , Berisha e Meta me shoke dhe pastaj vjen pergjegjesia e kompanive te ndertimit qe jane terhequr mbas fitimit. Duhen bere disa shembuj me denime te rende qe te vene mend. Popullsia eshte e pafajshme dhe eshte viktime e ketij krimi!Politikanet tani bejne aktorin neper TV dhe kujtojne se populli eshte budalla dhe nuk I di kush jane fajtoret.

  4. Taras Bulba says:

    Si puna e 11 janarit qe u ekzekutuan 4 kalimtare , jo nga termeti por nga dora gjakatare e Sali Berishes dhe Lulzim Bashes p.sh, dhe ate te shkrete 11 janar u zotuat qe sdo ta haronit kurre , e haruat ama . Debila dhe njerez pa gjak , genjeshtare dhe mashtrusa ordinere . Dihet qe sdo ndihmoni , por te pakten tju vije keq , si thosh Migjeni : nese nuk ke mundesi te ndihmosh dike , te pakten derdh nje pik loti ………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje