Tërmeti, kosto e akomodimit në hotele: Qeveria do të paguajë 2 mijë lekë për person, shërbim all inclusive

5 Dhjetor 2019, 21:00Sociale TEMA

Qeveria do të paguajë 2 000 lekë për çdo person të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, i cili do të akomodohet në strukturat hoteliere të Qarkut Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Referuar vendimit të qeverisë, që përcakton  rregullat që do të ndiqen për të gjithë ata që do të strehohen përkohësisht në hotele, kjo pagesë përfshin shërbimin all inclusive, që do të thotë se përveç fjetjes, mbulohen financiarisht edhe 3 vakte ushqimore apo pastrimi, uji e dritat.

Do të jetë Njësia e Qeverisjes Vendore ku jetojnë të dëmtuarit që do të klasifikojë banesat në 3 kategori e më konkretisht  në të shembura, të dëmtuara rëndë dhe të pabanueshme.

Për kategorinë parë, sistemimi në hotel do të mbulohet deri në dhjetor të vitit 2020, ndërkohë që për 2 kategoritë e tjera, deri në mars të vitit 2020.

Për të përfituar akomodimin në hotel, çdo person i dëmtuar nga tërmeti duhet të paraqitet në njësinë ku banon dhe të pajiset me vërtetimin që është banor i kësaj njësie si dhe kategorinë e dëmtimit ku përfshihet banesa e tij.

Gjithashtu, nevojitet një dokument identifikimi  si dhe formulari i vetë deklarimit sipas formatit të miratuar.

Në rastin e familjeve me shumë anëtarë, dokumentacioni i mësipërm paraqitet nga kryefamiljari, shoqëruar me certifikatën familjare për personat që ka në ngarkim.

Mbulimin i shpenzimeve të akomodimit të përkohshëm do të bëhet nga fondet e emergjencës të buxhetit të shtetit.

1 komente në “Tërmeti, kosto e akomodimit në hotele: Qeveria do të paguajë 2 mijë lekë për person, shërbim all inclusive”

  1. degelisi says:

    “all inclusive” tregon injorancen e te shkruarit kushdo qe ka shkruar kete shkrim

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje