ANALIZA: Arsyet e fitores së Boris Johnsonit nga këndvështrimi i një politikani laburist

17 Dhjetor 2019, 12:44Bota TEMA

Nga Lavdrim Krashi*

Me 12 Dhjetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, të tretat në katër vitet e fundit. Ndërkohë që humbja ishte deri diku e parashikuar, thellësia e saj erdhi si një shok. Ajo ishte më e madhja qysh prej viteve 30′ për Partinë Laburiste. Kjo periudhë duhet të jetë një kohë reflektimi për partinë Laburiste mbi arsyet e humbjes dhe rrugës e gjatë drejt zgjidhjes.

Suksesi elektoral i konservatorëve erdhi për disa arsye. Të bashkuar përballë opozitës së ndarë, me kalanë prej rëre të partisë Brexit që unifikoi votën e tyre, me një media kryesisht të djathtë për të përçuar mesazhin e tyre, por mbi të gjitha kundër Xheremi Korbin, një “lideri” që nuk mundi të udhëheq laburistët.

Pyetjes pse e urreni kaq shumë Korbin, elektorati përgjigjej thjesht “nuk na pëlqen”. Ndoshta ishte anti-semitizmi i paluftuar apo i nxitur brenda radhëve të partisë, politika për Brexit, çeshtje të sigurisë kombëtare apo diçka e vakët në rrafshin personal. Sidoqoftë ai shihej më shumë si një pengesë në arritjen e një suksesi se sa një aset në zgjedhje. Në të vërtetë, përkrah mesazhit të Brexit, frika e Korbin si KM i ardhshëm ishte mesazhi tjetër qendror i fushatës së konservatorëve. Ndonëse elektorati ishin të pakënaqur me Brexit dhe Xhonson, kishin një frikë më të madhe – Korbin!

Konservatorët shtuan pak vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme; laburistët humbën miliona. Kjo ishte një fitore e ndërtuar mbi kolapsin e opozitës.

Laburistët duhet të kishin më shumë se një parandjenjë përtej parashikimit të sondazheve për një humbje sepse u fokusuan në programin zgjedhor (manifestin) dhe aspak lidershipin e partisë. Tragjedia e Korbinizmit është se pa Korbin, laburistët nuk mund të kishin këtë program ambicioz por me të si lider nuk mund të fitonin zgjedhjet për të implementuar programin e shpresës.

Partia Laburiste nuk e ka pasur asnjëherë të lehtë të bindë elektoratin si alternative e besueshme veçanërisht në ekonomi dhe çeshtje të sigurisë kombëtare. Kjo është krejt e padrejtë, per fat të keq nuk është fenomen i të tashmes. Sfida e saj themelore, veçanërisht kur vjen me një program radikal, është të ketë një lider të besueshëm si KM i ardhshëm. Udhëheqës si Toni Bler ja kanë dalë, të tjerë janë përpjekur por kanë dështuar; Korbin as nuk e mori mundimin të ishte i besueshëm dhe kredibël nga shumica e elektoratit. Sjellja e tij në fushatë u fokusua në vlerat “morale” personale dhe nuk i kushtoi aspak rëndësi elektoratit të pavendosur, që është në fakt fushëbeteja e politikës reale.

Korbin nuk arriti të dalë nga pozicioni i tij prej rebeli në karrierën si deputet për 30 e më shumë vite. Ai ka votuar 533 herë kundër ligjeve të qeverive laburiste gjatë viteve 1997-2010 në parlament, një record që ja kalon edhe pjesës më të madhe të deputetëve konservator të opozitës. Ai mendonte se NATO është më “e frikshme” se Putin, se anti-semitizmi është një keqkuptim etj.

Fitorja surprizë dhe ardhja e Korbin në krye të laburistëve në 2015, kërkontë që ai duhet të ndryshonte, të kishte një fillim të ri si lider. Kjo nuk ndodhi dhe në vend që ta zgjeronte apelin e partisë laburiste për një elektorat shumëngjyrësh ai e rrethoi veten me fanatik dhe ekstremist të majtë duke bërë përpjekjet maksimale për marrë kontrollin e partisë nga centristët e Bler.

Arritjet e hershme të Korbin, sidomos rritja e anëtarësisë së partisë, ngjallja e interesit në politikë tek të rinjtë apo ngjallja e imagjinatës së politikave radikale u zbehën ndjeshëm pas zgjedhjeve të 2017. Dorëheqja e tij pas humbjes në 2017 do ta kishte ndihmuar ndjeshëm partinë laburiste dhe vet Korbin. Ai u soll si fitues kur në të vërtetë i kishte humbur këto zgjedhje, ndonëse laburistët kishin marrë më shumë vota dhe deputet se në zgjedhjet e 2015.

Për sa i takon Brexit, Korbin ishte personi i gabuar në vendin e gabuar. Me pikëpamje euroskeptike përgjatë gjithë jetës së tij politike por që u detytua të mbështeste një referendum të dytë. Në proçes, ai humbi besimin e atyre që mbështesnin qëndrimin në BE ndërkohë të tjerët nuk e donin per arsye të tjera.

Dobësia e Korbin në shumë plane e bëri atë një objektiv politik të lehtë për tu sulmuar, shpesh me baza të pavërteta, gënjeshtra. Konservatorët kanë provuar të atakojnë edhe lider të mëparshëm laburist duke i etiketuar si marksist, por kanë dështuar ndërkohë që ja dolën me Korbin. Ai ishte impresionues kur fliste me njerëz që mendonin njesoj por me skpetikët ndaj ideve të tij paraqitej “i ofenduar” nga “paaftësia” e tyre për të kuptuar se sa njeri i mirë dhe parimor ishte ai vet.

Konservatorët e drejtuar nga Xhonson nuk e merituan fitoren në këto zgjedhje. Pas 9 vitesh në pushtet, një fushate të bazuar në genjeshtra, ksenofobi dhe politika të dobëta dhe me iluzionin e nje Brexit të lehtë për tu arritur ata fituan një mandat tjetër.

Rruga e rikthimit për laburistët nuk është pashpresë. Partia Konservatore nuk është aq dominuese sa sugjerojnë numrat në parlament. Ajo nuk ka ide qeverisëse përtej “të realizojmë largimin nga BE”, një projekt që i ka ardhur në majë të hundës shumë njerëzve dhe që do të jetë i vështirë gjithsesi.

Një faktor favorizues për laburistët është demografia e votuesve. Ndarja e votave nuk përcaktohet nga klasa, as nga qëndrimi në lidhje me largimin ose jo nga BE por mosha e votuesve. Sikur të ishin zgjedhjet në dorën e të rinjve (deri në 35 vjeç), laburistët do të kishin shumicën. Ndërkohë që konservatorët e kanë bazën për votat e tyre ndër më të moshuarit.

Nga këndvështrimi shqiptaro-britanik, laburistët mbeten të dashur për mbështetjen që i kanë dhënë çeshtjes Shqiptare në Ballkan dhe atyre që kanë gjetur strehë në Mbretërinë e Bashkuar. KM laburist, Toni Bler udhëhoqi fushatën kundër genocidit serb mbi shqiptarët autokton në Kosovë. Ai është një hero për shqiptarët.

Laburistët ja kanë dalë në të shkuarën. Miliona njerëz presin që kjo të ndodh sa më shpejt.

*Lavdrim Krashi, është një politikan shqiptar i zgjedhur në strukturat e Partisë Laboriste të Mbretërisë së Bashkuar dhe aktiviteti i tij është kryesisht në Londër. Ai ka qenë edhe zyrtar në pushtetin vendor të kryeqytetit britanik dhe është shumë aktiv në organizimet e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.

Lavdrim Krashi, inxhinier me profesion, është pjesëmarrës në lëvizjen e Dhjetorit 1990 dhe një nga themeluesit e FRESSH-it në vitin 1991, ndërkohë që pas emigrimit në Britaninë e Madhe njihet si nga figurat kryesore të diasporës shqiptare.

1 komente në “ANALIZA: Arsyet e fitores së Boris Johnsonit nga këndvështrimi i një politikani laburist”

  1. Flamur says:

    Pse z.Krashi, sipas jush Botoj Johnson është lider i besueshëm? Vetë sondazhet e kanë nxjerrë më të pabesueshëm se Corbin. Nuk e kuptoj pse e nxjerr si të gabuar përpjekjen e Corbin për ti marrë pushtetin centristëve në parti? Centristët me politikën e tyre janë shkaku i ardhjes së konservatorëve në pushtet. Partitë e majta kanë harruar se duhet të jenë zëri i punëtorëve ( sidomos kur e thotë dhe emri ‘labour’) po janë bërë mbështetësit e atij 1% që janë të pasur e kanë jo verëm ekonominë në dorë por dhe shtypin e masmedian. E këtu duhet kërkuar fitorja e konservatorëve. Një.studim i fundit publikuar në gazetën Forbes tregoi se konservatorët kishin reklamuar në facebook mesazhe të pavërteta në mbi 70% të rasteve ndërkohë që nga Labour nuk kishte asnjë të pavërtetë. Gjatë debatit të fundit konservatorët krijuan një faqe të rremë factcheckUK që përhapi gënjeshtra në twiter gjatë debatit dhe Twiter nuk e bllokoi. U bë një fushatë me shpifje kundër Corbin që u mbështet edhe nga brenda partisë Laburiste. Media luajti një rol vendimtar në paraqitjen e tij si të paaftë si kryemisitër. Pse tërë këto? Sepse 1% që ka paratë nuk duan dikë si Corbin në pushtet dhe ata do bëjnë çdo gjë që ta heqin qafe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje