Barcelona-Real Madrid, 4000 agjentë sigurie blindojnë “El Clasico”

18 Dhjetor 2019, 10:24Sport TEMA

Tifozët spanjollë, por jo vetëm, janë sy dhe veshë nga ndeshja e vitit, nga ajo që mund të kristalizojë vendin e parë të La Liga-s.

Sonte, në orën 20:00, Barcelona dhe Real Madridi do të përballen në një nga “El Clasico” më të zjarrta në histori, pas shpërthimit të trazirave në Katalonjë për dënimin e disa separatistëve.

Një përplasje e shtyrë në kohë, pikërisht për shkak të situatës së nderë politike. Masa të jashtëzakonshme sigurie janë marrë për këtë rast.

4 mijë agjentë të pranishëm për të përballur përplasjet e mundshme, ndërsa të dyja ekipet po qëndrojnë në të njëjtin hotel (“Princesa Sofia”), vetëm 500 metra larg nga “Camp Nou”.

Barcelona dhe Real Madridi do ta lënë hotelin së bashku, në mënyrë që ta lejojnë policinë t’i shoqërojë në udhëtimin e shkurtër drejt stadiumit vetëm një herë.

Kjo do të bëhet në orën 18:00, dy orë para fillimit të ndeshjes. Një atmosferë surreale për një ndeshje që premton se do të ndizet edhe më tej nga këndvështrimi i renditjes, teksa Blaugrana-t dhe “Los Blancos” janë çiftuar në krye, me nga 35 pikë.

Fitorja i jep secilës skuadër kryesimin e vetmuar, çka përbën një fetë të vogël nga “torta” e titullit të La Liga-s.

Valverde nuk do të heqë dorë nga “tridenti” Messi-Suarez-Griezmann, ndërsa Rakitic do të luajë në mesfushë me De Jong dhe Busquets. Semedo dhe Jordi Alba do të pozicionohet në anët e mbrojtjes, ndërsa Piqué dhe Lenglet në qendër të këtij reparti.

Porta ka për “pronar” Ter Stegen. Zidane duhet t’i besojë Bale dhe Isco, si mbështetës të Benzema. Francezi shihet si sulmuesi përcaktues te Real Madridi. Ai vjen pas një goli “in extremis” e me peshë, që shmangu humbjen në “Mestalla”, ndaj Valencia.

Këtu janë formacionet e mundshme:

BARCELLONA (4-3-3): Ter Stegen; Semedo, Piqué, Lenglet, Jordi Alba; Rakitic, Busquets, De Jong; Messi, Suarez, Griezmann.

REAL MADRID (4-3-3): Courtois; Carvajal, Varane, Sergio Ramos, Mendy; Modric, Casemiro, Kroos; Bale, Benzema, Isco.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje