Llukan Stavro
Një nga arsimtarët më të njohur të Tepelenës u nda prej nesh disa kohë më parë. Ibrush Malo, mësuesi I gati pesë dekadave në Tepelenë dhe fshatrat e saj, la pas historinë e ngritjes së arsimit në Tepelenë, një armatë të tërë nxënësish edukuar prej tij, një respekt të thellë në shoqëri dhe një boshllëk të pazëvednësueshëm mes miqëve dhe të afërmëve të tij.
Largimi nga kjo jetë i një mësuesi krijon një trishtim që shtrihet kudo në shoqëri, sepse atë e ndiejnë ish-nxënësit e shumtë që ai ka mësuar dhe edukuar, prindërit me të cilët ka pasur lidhje të ngushta dhe shokët e punës në shkolla të ndryshme.
Ai punoi për afro gjysmë shekulli në frontin e vështirë të Arsimit e të edukimit. Ai lindi në fshatin Peshtan të rrethit të Tepelenës më 1943 në një familje atdhetare. Babai i tij, i paharruari Osman (Çoko) Malo, u rreshtua me armë në dorë në Luftën Antifashiste.
Ibrushi, studioi në shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës dhe më pas filloi punën e mësuesit të ciklit fillor. Punoi në disa fshatra të Tepelenës duke krijuar lidhje të ngushta me nxënësit e familjet e tyre. Jetoi nga afër me problemet, hallet e vështirësitë e kohës që binin mbi nxënësit dhe prindërit.
Më pas Institutin e Lartë Pedagogjik në degën Histori-Gjeografi dhe filloi punë në ciklin e lartë të shkollës 8-vjeçare. U emërua drejtor në disa shkolla të Rrethit dhe inspektor në seksionin e Arsimit. Kudo punoi me përkushtim të rrallë dhe dallohej për përgatitje të lartë metodike e shkencore. Bënte përpjekje të vazhdueshme për të arritur gjithmonë rezultate të larta. I ndihmonte me dashamirësi mësuesit e rinj për formimin e tyre pedagogjik e metodik; mbante lidhje të afërta me prindërit për të krijuar një front të përbashkët në edukimin e përparimin e nxënësve.
Ai fitoi dashurinë dhe respektin e nxënësve, të prindërve e të shokëve. Merrte gjithmonë vlerësime të larta nga organet eprore dhe arriti të bëhej një kuadër i devotshëm i Arsimit në rrethin e Tepelenës.
Humbja e Ibrushit krijoi dhimbje te familjarët, te të afërmit, të miqtë e shokët, tek ish-nxënësit e të njohurit, te ne kolegët që punuam me të dhe mësuam shumë nga përvoja e tij.
Ibrushi do të mbetet i paharruar për punën e ndërgjegjshme që bënte, për dashurinë e respektin që tregonte ndaj të tjerëve, për kontributin që la si mësues dhe si kuadër i Arsimit, për thjeshtësinë e marrëdhëniet e ngrohta që krijonte në shoqëri.
Shembulli i tij në punë dhe në çdo aspekt të jetës ia vlen të ndiqet prej kujtdo. Ai do të mbetet një figurë e lartë e mësuesit, edukatorit dhe e kuadrit që do të kujtohet gjithmonë me dashuri e respekt të thellë nga të gjithë ata që e kanë njohur.